Ekspertët në Beograd: Kosova në KiE, pjesë e procesit të normalizimit
Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke u arsyetuar se janë shkelur parimet ndërkombëtare. Mirëpo, ekspertët në Beograd tregojnë se pranimi i Kosovës si anëtare në Këshillin e Evropës, është pjesë e një procesi më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve.
Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës konsiderohet si fillimi i zbatimit të asaj që është rënë dakord ne Bruksel dhe Ohër. Mirëpo, pasi votoi kundër anëtaërsimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pyetja është nëse Beogradi ka shkelur marrëveshjen në të cilën shkruhet se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimit.
“Kur bëhet fjalë për vlerësimin nëse Beogradi ka shkelur dispozitat e marrëveshjes apo jo vetëm Bashkimi Evropian mund të gjykojë. Një deklaratë e mëparshme e përfaqësuesit të lartë Borell dhe e të dërguarit evropian Lajçak për të njëjtën pyetje se nëse Serbia ka shkelur dispozitat e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përgjigjja ishte se vetëm BE-ja mund të bëjë një konkludim të tillë”, deklaroi Dragisha Mijaçiq nga Grupi Punues për Kapitullin 35.
Beogradi zyrtar e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se janë shkelur parimet ndërkombëtare. Mirëpo, ekspertët thonë se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është pjesë e një procesi më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve, ku të dyja palët duhet të tregojnë maksimumin e tyre.
“Serbia shpesh herë tha se nuk e pranon nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në radhë të parë në OKB. Kundërshtimi për Këshillin e Evropës mund të interpretohet si një akt politik i Serbisë, që është përgjigje ndaj faktit se Kosova nuk e ka zbatuar Asociacionin, të pranuar shumë vite më parë”, tha Marko Todoroviq nga Qendra për Politika Evropiane.
Lidhur me kërcënimet e Beogradit se për shkak të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, mund të largohet nga kjo organizatë, ekspertët sqarojnë se kjo mund të ketë pasoja, siç është mundësia që Serbia të humbasë statusin e saj si vend që negocion me BE-në, sepse pa anëtarësim në Këshillin e Evropës, nuk ka anëtarësim në BE.
Average Rating