Home » Opinione » EKZODI I TË RINJËVE NGA KOSOVA, ALARM PËR TË GJITHË!

EKZODI I TË RINJËVE NGA KOSOVA, ALARM PËR TË GJITHË!

Nehat Hyseni1Shkruan: Nehat Hyseni

Pamjet televizive të këtyre ditëve të shpërthimit të sërishëm të ekzodit të të rinjëve me autobusë të stërmbushur, nga stacioni i autobusëve në Ferizaj, nga Kosova ia mësyejnë drejtë Beogradit në Serbi. Kurse, prej aty shpërndahen gjithandej nëpër botë.

 Këto pamje të braktisjes së Kosovës nga të rinjtë, që paraqesin ardhmërinë e këtij vendi, kanë shqetësuar shikuesit, janë të tmerrëshme, trishtuese dhe paraqesin zhgënjim të thellë në ardhmërinë e Republikës së Kosovës.

Derisa më parë, në kohën e regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan
Millosheviqit, si dhe gjatë kohës së luftës së vitit 1999, e tërë bota mund të na kuptonte për arsyet e ikjes nga Kosova, tani e kemi shumë më të vështirë t'ua sqarojmë miqëve tanë ndërkombëtarë këtë fenomen trishtues, që është duke ndodhur në Kosovën e lirë, Sovrane dhe të Pavarur!

Sepse, të rinjtë ikin nga humbja e shpresave për një jetë më të mirë këtu, nga varfëria ekstreme e popullatës, që është duke u rritur me progresion gjeometrik.

 Kurse, nga ana tjetër, klasa politike e këtij vendi është shndërruar në sheikë të Ballkanit, me pasurimin përrallor të tyre dhe me jomoralitetin politik dhe bllokimin e shtetit e kapjen e pushtetit nga krimi, korrupsioni e papërgjegjësia.

Pra, aktualisht në Kosovë është duke ndodhur varfërimi ekstrem i popullit, nga njëra anë dhe pasurimi ekstrem i klasës politike të saj, nga ana tjetër.

Shpresat se më në fund do të ndodhë diçka e mirë, me prishjen e koalicionit LANV dhe me marrëveshjen për koalicionin PDK-LDK, sa duket, kanë hedhur vaj në zjarrin e ndezur dhe kanë shtuar edhe më tepër radhët e kolonave të braktisjes së Kosovës.

Këmbanat e alarmit duhet të ushtojnë anembanë Kosovës për mobilizimin e shoqërisë dhe klasës politike kosovare për ta zvogëluar dhe ndalur këtë dukuri trishtuese dhe ta kthejmë shpresën për një jetë më të mirë dhe më të pasur për të rinjtë dhe popullin, me politikanë më të përgjegjshëm dhe më të varfër. Ashtu si është realisht në botën e pasur, të zhvilluar dhe demokratike, që është ëndërr dhe synim i të rinjëve tanë.
 Mbase, ky do të duhej të jetë pikësynim dhe përgjegjësi edhe e klasës politike kosovare?!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch