Home » Kulturë » Emin Kabashi – Lufta kundër robërisë dhe historia: Idriz Ajet Gashi

Emin Kabashi – Lufta kundër robërisë dhe historia: Idriz Ajet Gashi

Kolegji BiznesiIdriz Ajet Gashi - libri

Prishtinë 2015

 

410 faqe

 

E falemnderoj mikun tim nga Shtimja, z. Behadin Rexhepi, që ma dhuroi një kopje të këtij libri. Më kishin folur edhe më parë për Idrizin e Pjetërshticës, që e thirrnin shkurt Idriz Ajeti, sa që ngatërrohesha me Idriz Ajetin e Luginës së Preshevës, ish kryetarin e Akademisë së Arteve dhe të Shkencës së Kosovës, shokun e dhomës për tetë vjet të babës tim. Tani marr vesh se ai është në fakt Idriz Gashi dhe ka jetuar vetëm pak më shumë se 27 vjet! Gjermanët e kanë varur në gusht 1944 bashkë me nëntë shqiptarë të tjerë për të terrorizuar popullatën. Sigurisht ata kanë pasur të dhëna nga SIMI italian dhe Gestapo më vonë për veprimtarinë e tij antifashiste dhe bashkëpunimin me partizanët jugosllavë.

Prof. Emin Gashi është rrekur ta portretizojë këtë bir të Kosovës me atë pak material që ka mundur të gjejë për jetën dhe veprimtarinë e Idrizit, madje ka arritur të mbushë një libër me mbi katërqind faqe! Të them të vertetën jam lodhur shumë së lexuari tërë librin nga faqja e parë deri në fund, pasi aty ka shumë përsëritje, shumë rikthime në idetë e shtruara më përpara, shumë superlativa dhe shprehje deklarative. Autori kish mundur me siguri të jepte gjithçka në jo më shumë se 100 faqe!

Mbase, për lexuesit në Kosovë ai e ka parë të nevojshme të paraqesë shumë fakte historike që ata nuk kanë pasur mundësi t’i njihnin para vitit 1999, por edhe këtë autori mund ta bënte në mënyrë më sistematike dhe më të përmbledhur. Nëntitujt e shkrimeve duken sikur janë të gjithë njësoj dhe nuk sqarojnë atë që ata duan të thonë. Diku diku autorit i kanë shpëtuar edhe pasaktësi në datat historike ose në vlerësimin e ngjarjeve.

Megjithatë unë atë e falëmderoj sinqerisht për mundimin që ka bërë. Jam përpjekur të evidentoj disa fakte nga leximi që po i paraqes këtu më poshtë.

Bardhyl Selimi, 11 dhjetor 2015

 

Paragrafë

f.15

Ndër veprimtarët kombëtarë të kësaj periudhe të jetës së Idriz Ajet Gashit, ishte padyshim atdhetari Adem Gllavica, i cili me kalimin e kohës, do të bëhej njëri nga antikomunistët më të përbetuar në hapësirën e pushtuar të tokave shqiptare. Veprimtaria e tij dhe personaliteti kombëtar i Adem Gllavicës do të jenë shumë domethënës në një pjesë të madhe të jetës së Idriz Ajet Gashit, qoftë për mënyrën e zhvillimit të veprimtarisë së tij ilegale, qoftë për punën dhe aktivitetin që zhvillonte në procesin mësimor  në secilën shkollë që emërohej, qoftë edhe për faktin  që puna e tij e përkohëshme në zyrat e fashistëve italianë në Ferizaj, do të bëhej me idenë, me sugjerimin dhe argumentimin e Adem Gllavicës, sepse në atë mënyrë i ndihmohej më shumë popullit dhe veprimtarisë për bashkimin kombëtar që në atë kohë ishte njëri nga orientimet themelore të veprimtarëve atdhetarë dhe të intelektualëve që jetonin dhe vepronin në Kosovë, por edhe në vise të tjera të pushtuara të tokave shqiptare.

 

f.27

Mësuesi serb e cilëson  Idrizin si “shumë inteligjent sa e krahason me gjeniun, si dhe shumë shpërthyes, sa e krahason me barotin”.

 

f.28

Një herë Idrizi del në oborrin e xhamisë me një armë në dorë dhe i paralajmëron tagrambledhësit të largohen përndryshe do të lenë kryet.

 

f.86

Për Idriz Ajet Gashin nuk kishte rëndësi ngjyresa ideologjike e luftëtarëve, por ishte vendimtare pushka për lirinë e vendit. (në shtëpinë e tij strehoheshin edhe partizanë, përfshi Fadil Hoxhën).

 

f.122

që nga burgosja  e tij e parë, nga forcat e pushtuesit italian, Idriz Ajet Gashi e kishte të qartë se liria nuk vjen duke bashkëpunuar me pushtuesin, por duke e luftuar atë me të gjitha mënyrat, deri edhe me sakrifikimin e jetës.

 

  1. 136- 137

Në shtator të vitit 1943, kur ishte themeluar Lidhja e Dytë e Prizrenit, Idriz Ajet Gashi, sipas veprimeve të tij dhe sipas mënyrës së sjelljes gjatë kryerjes së detyrave në shërbim të luftës për liri, kishte zgjedhur të rreshtohej në luftën antifashiste të popullit shqiptar. Lidhja e Dytë e Prizrenit, qëllimin kryesor e kishte çlirimin e Kosovës nga serbët dhe bashkimin e saj me shtetin amë, Shqipërinë.

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte krijuar për të luftuar kundër pushtuesve serbë, kurse Fadil Hoxha shërohej në shtëpinë e Idriz Ajet Gashit edhe me luftëtarë serbë, që po ashtu kishin gjendje të rëndë shëndetsore.

 

f.139

Nga fillimi i vitit 1944, Kosova ishte bërë një fushë betejash dhe ballafaqimesh të interesave nga më të përkundërta ushtarake dhe politike, të cilat përfshinin forcat kombëtare shqiptare, forcat çetnike serbe, forcat partizane jugosllave, reparte të majta bullgare e kështu me radhë..

 

  1. 140

Lidhja e Dytë e Prizrenit kishte arritur të bënte konsolidimin e pushtetit shqiptar në Kosovë, në rrethana shumë të rënda dhe të koklavitura; në krahun tjetër, Lëvizja Nacional- Ҫlirimtare Jugosllave, që aspironte ta merrte pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, që në këtë kohë, pra menjeherë pas kapitullimit të Italisë dhe zëvëndësimit të pushtetit të saj me pushtetin e pushtuesit gjerman, kishte filluar përgatitjet për minimin e bazave dhe të aspiratave të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

 

f.151

ato ditë kur Idriz Ajet Gashi po varej nga gjermanët në Prizren (gusht 1944), komandave të Ushtrisë Nacional – Ҫlirimtare të Jugosllavisë  iu dha nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë direktiva që “të vrisnin së paku 50 %  të banorëve shqiptarë”.

 

  1. 162

…Italia fashiste kapitulloi në radhë të parë falë luftës antifashiste të popullit shqiptar (??!!) të organizuar në frontin nacional- çlirimtar…

 

f.187

Idriz Ajet Gashi kishte shkuar për të bërë studimet e drejtësisë në universitetine  Beogradit (??!!)

 

  1. 191

Vatikani, miku i madh i shqiptarëve dhe aleati ynë që prej kohës  së Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, jo vetëm atë ditë, por edhe më pas, nuk shqiptoi asnjë fjalë mospëlqimi për atë, se në një ditë të shenjtë të fesë që i printe në botë, ishte sulmuar një popull i vogël dhe i pambrojtur.

 

  1. 198

Idriz Ajet Gashi kishte dëgjuar atdhetarë të tjerë shqiptarë, edhe ata të internuar si ai, duke thënë se ditën e 7 marsit të vitit 1939 )??!!) e kishin planifikuar dhe e kishin realizuar disa njerëz të poshtër, të cilët kishin marrë majat e pushtetit të një populli dhe të një vendi historikisht mik.

 

f.213

Trupat malazeze, me 22 shtator 1912 kishin filluar pushtimin e Shqipërisë së Veriut. Më 8 tetor të atij viti, i kishin shpallur luftë Perandorisë Otomane. Kurse më 28 tetor të vitit 1912, kishin rrethuar Shkodrën.

Në anën tjetër, më 10 nëntor të vitit 1912, grekët e kishin rrethuar Janinën, kryeqytetin e Vilajetit të tokave shqiptare të Vilajetit të Janinës, pasi paraprakisht kishin pushtuar Selanikun. Më 5 nëntor të atij viti grekët kishin pushtuar Sazanin, kurse në Himarë kishin hyrë edhe me ndihmën e kolonës së pestë të grekofilit Spiros Milos, ku vendasit ishin ngritur në kryengritje kundër shqiptarëve. Grekët Korçën e pushtuan më 20 nëntor, vetëm tetë ditë para se të shpallej pavarësia e Shqipërisë në Vlorë.

Serbia e kishte pushtuar Kosovën më 23 tetor 1912.

 

f.216

Idriz Ajet Gashi është përjashtuar nga Medreseja për shkak se kishte lexuar dhe kishte shpërndarë libra shqip, të cilat ishin të ndaluara.

 

  1. 219

Më 1 maj të vitit 1889 në Prizren ishte hapur shkolla e parë shqipe.

 

  1. 225

Në vitin 1917 ishte mbajtur Kongresi i Arsimtarëve të Kosovës….Nga ky kongres doli ‘Lidhja kulturore e mësuesit kosovar” e cila u përfshi në shoqërinë kulturore-arsimore “Besa Kombëtare” me qendër në Gjakovë.

 

  1. 259

(Idrizi) kishte dëgjuar se Azem Galica, i cili u printe të gjithë atyre trimave që nuk ishin pajtuar me pushtimin e tokave shqiptare, kushdo qofshin ato, duhej t’i luftojmë që të shkojnë në vendin e tyre, andaj edhe kur kishte zënë robër ushtarë austriakë, ai i kishte lëshuar vetëm pasi kishin ndërhyrë atdhetarë shqiptarë, konsullata të huaja por edhe njerëz që i prinin lëvizjes kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara të atdheut. KJo kishte qenë ideja nismëtare, e cila e kishte përcjellë tërë kohën e pushtimit të Italisë fashiste të kësaj pjese të tokave shqiptare, se kushdo që të jetë armiku, duhej të luftohej që të largohej nga toka jote.

 

f.272

Idriz Ajet Gashi ishte në grupin e studentëve të Medresesë së Madhe të Shkupit, të cilët merrnin pjesë në festat fetare katolike në Letnicë, ku ishin bashkë me veprimtarë atdhetarë, Adem Gllavicën, Halit Ibishin, Isak Sherifin. Kurse, nën sugjerimin e Konsullatës shqiptare në Shkup, ata kishin organizuar edhe një shëtitje në komunën e atëhershme të Medvegjës. Pas kësaj, Konsullata i kishte udhëzuar që të bënin një shëtitje dhe të incizonin strukturën e popullsisë në Ohër, Resnjie dhe në rrethinat e Shkupit.

 

f.276

Që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, pushtimi i së cilës zgjati deri pothuajse në fillim të vitit 1944 (??!!), shumë mësues shqiptarë kishin kryer Normalen e Elbasanit.

 

f.298

Sot populli shqiptar….. në Turqi ka më shumë banorë se sa në viset e veta stërgjyshore në Ballkan.

 

  1. 339

Të gjithë pushtuesit janë njësoj, (Idrizi) u thoshte të gjithëve me të cilët kishte rast të rrinte, të bisedonte, si dhe të zhvillonte veprimtari atdhetare, qoftë edhe fshehurazi, sepse as pushtuesi italian, që thoshte se kishte ardhur si çlirimtar nuk e duronte veprimtarinë e tij atdhetare, andaj e përcillte kudo,  e ndiqte dhe e burgoste.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress