Home » Lajme » Kuvendi i Kosovës – Dështon rezoluta për Luginën e Preshevës

Kuvendi i Kosovës – Dështon rezoluta për Luginën e Preshevës

Ka dështuar votimi i rezolutës në Kuvendin e Kosovës për të drejtat elementare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për mungesë të kuorumit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka kërkuar që teksti i rezolutës në të cilin u përafruan qëndrimet e partive parlamentare tu dorëzohet deputetëve në formë të shkruar dhe votimi për këtë të bëhet në seancën e ardhshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kundërshtuar pikën një të rezolutës në të cilën ishte futur propozimi i kryeministrit Thaçi për amandamentim të kushtetutës.
LDK dhe VV kanë kërkuar që kjo çështje të sillet nga qeveria si dokument i veçantë ose të votohen të gjitha pikat e rezolutës veç e veç, propozim ky që është kundërshtuar nga Partia Demokratike të Kosovës dhe nuk është pranuar.
Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e radhës të vendosë lidhur me këtë çështje.

Krasniqi: Çështja e Luginës të dërgohet në KE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë gjatë kësaj seance se foltorja e Kuvendit kërkon përgjegjësi, duke pasur parasysh se nuk është fushatë zgjedhore.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Rezoluta apo dokumenti që do të nxirret nga Kuvendi duhet të përmbajë një kërkesë drejtuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, për të kërkuar hulumtimin e realizimit të të drejtave etnike të shqiptarëve në pjesën jugore të Serbisë.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë duhet që patjetër të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. “Nëse nuk ndodhë kështu nuk e di si do ta quajmë marrëveshje për normalizim”, ka thënë Krasniqi.

Thaçi kërkon ndryshimin e Kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka siguruar deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës se çështje e shqiptarëve të asaj pjese është diskutuar gjithmonë në takimet me ndërkombëtarët.

I pari i qeverisë ka propozuar që në vend të votimit të rezolutës të bëhet amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i shqiptarëve të asaj pjese.

Thaçi ka propozuar që në kushtetutë të futet ligji i cili e obligon Republikën e Kosovës që të mbrojë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Haziri propozon rezolutë për Luginën e Preshevës

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sipas kërkesës së të cilit Kuvendi i Kosovës ka filluar debati parlamentar lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk gëzojnë të drejtat elementare që sigurohen me konventa ndërkombëtare.

Haziri i ka kërkuar qeverisë që të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për shqiptarët e kësaj pjese.

Ai ka propozuar një rezolutë që kërkoi të miratohet në Kuvendin e Kosovës, ku ndër të tjera përfshihet kërkesa për kujdes shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe nacionale si dhe të trajtojë në mënyrën e duhur shqiptarët e zhvendosur nga kjo pjesë në Kosovë.

Në rekomandim është përfshirë edhe hapja e një zyre në Prishtinë dhe Gjilan për shqiptarët e Luginës që do të ndihmonte në përmirësimin e gjendjes së tyre.

Haziri dhe 20 deputet nënshkrues të kërkesës për debat në rezolutë kanë përfshirë edhe krijimin e lehtësimin në qarkullim dhe shkollim duke suspenduar taksën diskriminuese sipas Hazirit dhe takën për shkollim.

Qeverisë i kërkohet edhe kërkesa për lirim të të burgosurve politik që janë dënuar nga qeveria serbe duke kërkuar pothuajse reciprocitet në mes tyre dhe serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Kuvendi sot debaton për Luginën e Preshevës

Kuvendi i Kosovës do të debatojë sot lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sipas kërkesës së deputetit Lutfi Haziri, i mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues.

Gjatë këtij debati, përveç tjerash pritet të diskutohet edhe për të drejtat në pikëpamjet sociale, si në fushën e arsimit, në atë të kulturës, ekonomisë dhe shëndetësisë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës presin që Kuvendi i Kosovës, në seancën e paralajmëruar për sot, e cila do t’i kushtohet shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të nxjerrë një rezolutë me të cilën duhet të angazhojë Qeverinë e Kosovës që të merret më konkretisht me problemet që kanë shqiptarët e Luginës.
(RTK)

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës presin që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë me të cilën duhet të angazhojë Qeverinë e Kosovës që të merret më konkretisht me problemet që kanë shqiptarët e Luginës.

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa tha për Radion Evropa e Lirë se tash është koha që institucionet e Kosovës të merren seriozisht me çështjen e Luginës së Preshevës.

“Parlamenti i Republikës së Kosovës duhet të sjellë rezolutë shumë të qartë, absolutisht shumë të qartë. Duhet të ngarkojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kryeministrin Hashim Thaçi, që të rinisë bisedimet me Beogradin zyrtar tanimë me pikën e cila i përkushtohet Luginës së Preshevës”.

“Sepse pajtueshmëri e madhe është arritur dhe është vënë një nënshkrim mbi një dokument për realizimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Dhe tani, në të njëjtën masë duhet të angazhohet edhe kryeministri Thaçi për shqiptarët e Luginës, aq sa është angazhuar edhe kryeministri Daçiq për serbët në Kosovë, dhe kjo është shumë e drejtë”, tha Mustafa.

Mustafa tha se pala kosovare tanimë i ka dyert e hapura për të lobuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Sipas tij, në ketë drejtim nuk mund dhe nuk duhet të ketë pengesa as nga bashkësia ndërkombëtare.

Mustafa madje konsideron se mospërmirësimi i gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginë mund ta përkeqësojë gjendje në rajon.

“Sepse në rajon, në dy shtete fqinjë të ekzistojnë standarde të ndryshme të realizimit të të drejtave të pakicave nacionale është e palogjikshme. Është një moment kohor kur sjell destabilitet në rajon, kur sjell pakënaqësi në rajon, dhe kur nuk mund të konsiderohet se  janë krijuar kushte për këto shtete fqinje të hyjnë në BE”, theksoi Mustafa.

Të rëndësishme seancën e Kuvendit të Kosovës, ku do të flitet për Luginën dhe të drejtat e shqiptarëve e ka vlerësuar edhe Shaip Kamberi, nga Partia për Veprim Demokratik.

Ai deklaroi se subjektet politike shqiptare në vazhdimësi kanë kërkuar që institucionet kosovare të jenë më aktive kur bëhet fjalë për të drejtat e tyre.

“Nevojitet që kjo çështje të mos mbetet vetëm në një seancë të kuvendit, por me një angazhim më të madh edhe të qeverisë edhe institucioneve të tjera e ministrive përkatëse që më drejtpërdrejt të kontribuojnë në përmirësimin e pozitës se shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Kamberi.

Me i iniciativën e LDK-së dhe mbështetur edhe nga deputetët, Kuvendi i Kosovës të premten pritet të zhvillojë një debat lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet serbe që në mënyrë urgjente t’i zgjidhin problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kur ndër kërkesat kryesore kanë qenë zgjidhja e çështjeve të sigurisë, atyre ekonomike, të përdorimit të gjuhës dhe simboleve, decentralizimi i gjykatave e të tjera.

Ndryshe, derisa shqiptaret në Luginën e Preshevës kanë kërkuar që të trajtohen si serbët në Kosovë, autoritet serbe kanë thënë se “shqiptarët në jug të Serbisë janë qytetarë me të drejta të plota” dhe se “duhet ndaluar me tërheqjen e paraleleve me veriun e Kosovës”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch