Spanja shpallet kampione e Europës duke shkatërruar dhe turpëruar në ndeshjen finale Italinë e Prandelit.
Kampionët mundën me rezultatin e thellë 4-0 Italinë, duke dhuruar emocione të jashtëzakonshme për tifozët spanjollë dhe hidhërim e trishtim të thellë te ata italianë.
Askujt nuk ia kishte marrë mendja që nje ndeshje finale e një kampionati Europian të përfundonte me këtë rezultat gjunjëzues për Balotelin dhe shokët e tij.
Golat për spanjollët u shënuan në pjesën e parë nga David Silva dhe Jordi Alba, në minutën e 13-të dhe të 40-të, ndërsa në pjesën e dytë nga Fernando Torres dhe Mata, në minutën e 83-të dhe 87-të.
Në radhët e italianëve në këtë takim u dëmtuan Chiellini dhe Motta, megjithatë këto mungesa nuk mund të justifikojnë humbjen e hidhur për italianët.
Edhe mediat italiane e kanë komentuar fitoren e spanjollëve të merituar, e me siguri gjatë ditës së hënë do të gozhdojnë super Marion dhe të gjithë kolegët e tij.