Home » Intervistë, Lajme, Vendore » Fatmir Arifi: Problemin e Luginës duhet ta shtrojmë si zgjidhje në instancat ndërkombëtare dhe jo të devijojmë nga e vërteta

Fatmir Arifi: Problemin e Luginës duhet ta shtrojmë si zgjidhje në instancat ndërkombëtare dhe jo të devijojmë nga e vërteta

Fatmir Arifi-2“Realiteti flet se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në gjendje të mjerueshme dhe si asnjëherë më parë që nga përfundimi i luftës nuk kemi pasur një humbje të kuptimit të politikës si tani. Humbja e kuptimit të politikës është si pasojë e devijimit fundamental të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Duhet ta theksojmë se aty ku politika e humb kuptimin e saj, gjendja do të jetë gjithnjë e pandryshueshme”.

 

Kështu shprehet Fatmir Arifi, kreu i Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës, sipas të cilit problemi i Luginës së Preshevës është problem shumëdimensional. Ai nuk është vetëm problem politik por njëkohësisht është edhe problem: historik, etnik, politik, gjeopolitik, gjeostrategjik, etj. Si i tillë, ky problem kërkon të shtrohet në dimensione të tjera.

 

Arifi thotë se të pretendosh zgjidhjen e problemit politik të Luginës së Preshevës në kuadër të të drejtave të njeriut, respektivisht në kuadër të ligjit për pakica, do të thotë ta devijosh dhe në fund ta shkatërrosh thelbin e problemit.

 

“Në këtë kuadër, duke e parë që subjektet politike shqiptare që veprojnë në Luginë të Preshevës, qoftë me apo pa vetëdije, gjithë kapacitetin e tyre e kanë orientuar, në atë që të drejtat e shqiptarëve duhet zgjidhur në kuadër të ligjit për pakica, më bën të besoj se këto subjekte nuk e kanë as idenë e as kapacitetet e mjaftueshme për t’u përballur me sfidat që ky problem bart me vete”, thotë Arifi.

 

Kreu i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës thotë tutje se çështja e Luginës së Preshevës është çështje ndërkombëtare dhe jo problem i brendshëm i një shteti që duhet të trajtohet brenda kornizës së ligjit për pakica. Andaj, si Lëvizje për Integrim e Luginës së Preshevës, kërkojmë nga subjektet politike ndryshim të diskursit politik.

 

“Ne si Lëvizje, zgjidhjen politike e shohim dhe e adresojmë krejtësisht ndryshe nga subjektet politike që veprojnë në Luginë të Preshevës. Duke e ditur që Serbia nuk është homogjene në tërësinë e saj, por ka edhe shumë etni të tjera, siç janë hungarezët në Vojvodinë, shqiptarët në Luginë të Preshevës, boshnjakët në Sanxhak dhe bullgarët në Bosiligrad, atëherë adresimi i problemeve duhet të shtrohet në formën e zgjidhjeve territoriale. Në këtë rast, zgjidhja territoriale nuk nënkupton ndryshim të kufijve në mes shteteve, por reformim organizativ territorial, me ç’rast, etnitë sigurojnë një shkallë të kontrollit në territorin ku janë të shtrira dhe mbi jetën e tyre. Reformimi territorial apo rajonal është një instrument fleksibil dhe është praktikë pothuajse në të gjithë shtetet e Evropës Perëndimore”, thotë Arifi.

 

Sipas tij, autonomia rajonale është jashtëzakonisht e përshtatshme dhe lehtësisht e zbatueshme në shtetet me strukturë heterogjene e popullsi autoktone, qofshin edhe të vogla numerikisht. Për më tëpër, këtë instrument politik nuk mundë ta kundërshtojë as vetë Serbia, pasi që ajo vetë e ka inicuar si politikë në raport me Kosovën dhe Bosnjën.

 

“Andaj, në këtë drejtim ajo çka ne duhet të bëjmë është vetëm ta shtrojmë problemin për zgjidhje në instancat ndërkombëtare dhe jo të devijojmë nga e vërteta, siç është shtrimi i problemit në kuadër të ligjit për pakica”, thekson Fatmir Arifi kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës.

/2L ONLINE/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch