Home » Lajme » FBKSH – PËRKUJTESA

FBKSH – PËRKUJTESA

Shqiperia etnikeTrojet etnike shqiptare

po presin daljen në skenë

të një klase politike nacionaliste

 

Zhvillimi i ngjarjeve në kohët e fundit, çdo shqiptar me vetëdije kombëtare, e bën të kthejë kokën prapa dhe të gjykojë me gjakftohtësi për madhështinë e formimit nacionalist -kombëtar të një armate të tërë njerëzish të shquar që dolën në skenë nga radhët e etnisë shqiptare. Ishte koha kur po krijohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila hodhi themelet e idesë madhështore për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Cili ishte sfondi historik i zhvillimit të ngjarjeve në Ballkan para se të themelohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit? Shkaku kryesor që nxiti themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte Paqja e Shën Stefanit që u vendos mes Rusisë dhe Turqisë pas përfundimit të luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Lufta ruso-turke filloi më 24 prill 1877 dhe përfundoi me Paqen e Shën Stefanit të 3 marsit të vitit 1878. Me nënshkrimin e kësaj paqeje, Rusia mori revanshin kundër Turqisë pas disfatës që pati pësuar në Luftën e Krimesë të vitit 1856.

Në bazë të Paqes së Shën Stefanit, Perandorisë Osmane i shkëputeshin rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth,  duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane /, / në jug të Kaukazit, siç janë: Kars, Ardahan, Bajazid dhe Batum. Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Paqen e Shën-Stefanit. Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Mirëpo, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.

Paqja e Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas asaj paqeje, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, Bilishtit, Pogradecit, Strugës,  Dibrës,  Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, sikurse të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Paqen e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Paqja e Shën-Stefanit e rriti edhe më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja e tyre me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e pa pushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në Vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e Vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë të dëbuar nga zona e pushtimit malazez ishin vendosur në Vilajetin e Shkodrës. Mirëpo,  numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në Vilajetet e Selanikut, Stambollit, Izmirit, Adanasë dhe Sirisë.

Zemërimi kundër Paqes së Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Paqes së Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirur të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundër osmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë, nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane, jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq fatin e Atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombit shqiptar, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

Për krijimin e frontit të bashkuar politik që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Paqja e Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Mirëpo, me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një Atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.

Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Paqja e Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre u vendos që kushtet e përcaktuara në Paqen e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

Në rendin e ditës të Kongresit të Berlinit ishte rishikimi i Paqes së Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës:GjermaniaAngliaFrancaRusiaAustro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.

Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri  i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Mirëpo, delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.

Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi), i dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.

Megjithëse, kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në Memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Beaconsfield, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.

Megjithatë, Fuqitë e Mëdha të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq për ta bindur kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Mirëpo, kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.

Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Paqen e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçanta, të cilat ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre.

Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.

Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Paqen e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin nën sundimin osman. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi Kongresi i Berlinit u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vrajës e të Nishit të cilat me Paqen e Shën-Stefanit i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, Podgoricës, Plavës, Gucisë, Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Me përkrahjen e Anglisë e të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Athina pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin (Vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh, Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe, si Greqisë, po ashtu edhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.

Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Paqja e Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, Gucisë e Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vrajës, Trenit dhe ( Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Paqja e Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik.

Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejtë, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të Traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirëditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirëditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta). Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirëditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë, binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë, ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirëditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë. Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme. Reformat administrative autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter jo shqiptar, por serb në Vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në Vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom.

Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirëditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultus-protektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.

Pra, në këto kushte, kishte kohë që drejt idesë së bashkimit kombëtar po shkonin bashkërisht personalitetet e shquara të letërsisë kombëtare shqiptare, të gjuhës shqipe, të politikës dhe të pushkës shqiptare. Mirëpo, në diskutim e sipër lindën mosmarrëveshje për t’i kërkuar Portës së Lartë pavarësinë apo autonominë. Përkrahësit e autonomisë ishin më largpamës, sepse autonomia kishte përkrahjen e Portës së Lartë. Ndërkohë, përkrahësit e pavarësisë nuk e kishin përkrahjen e Portës së Lartë, por më në fund sipërinë e morën përkrahësit e pavarësisë, të cilët me këmbënguljen e tyre dhe me përçarjen që krijuan mes figurave të shquara të kombit shqiptar, fituan mërinë gjëmën ndjellëse të Stambollit, i cili e shpartalloi pa mëshirë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kësisoj trojet tona etnike, në kuadër të katër vilajeteve, nuk fituan as autonomi, as pavarësi. Ky qe përfundimi tragjik i përçarjes së krerëve mbarëshqiptarë!

Me fillimin e shek. XX-të, kur u pa që Perandoria Otomane po shkonte drejt shpërbërjes, në Shqipëri shpërthyen kryengritje për pavarësi. Ndërsa, kryengritësit shqiptarë synonin të shkëputeshin nga Perandoria Otomane dhe të shpallnin pavarësinë, shovinistët sllavo-grekë synonin të copëtonin trojet etnike shqiptare. Shqiptarët, si gjithmonë, të përçarë, nuk u orientuan drejtë që ta kuptonin se për ta rrezik kryesor për mbijetesë përbënin sllavo-grekët dhe jo Perandoria Otomane. Të përçarë dhe të pa organizuar, shqiptarët u ndodhën të vetëm dhe pa përkrahje para sulmeve të sllavo-grekëve dhe para përkrahjes së fuqishme që u jepte këtyre të fundit diplomacia evropiane dhe veçanërisht shovinizmi rusomadh.

Në këto kushte, Konferenca e Londrës në vitin 1913 nën presionin e fuqishëm të shovinizmit rusomadh, i copëtoi trojet etnike shqiptare për llogari të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, duke e katandisur Shqipërinë nga 134 mijë km², siç thuhet në Fjalorin Enciklopedik Rus të Akademisë së Shkencave të Peterburgut të vitit 1896, në 28 mijë km²!

Konferenca i filloi punimet në shtator 1912 në St.James’s Palace nën drejtimin e Sir Eduard Greit (Edëard Grey). Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua grushtshtet.

Më 30 maj 1913, konferenca i rifilloi punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia, konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuara nga shqiptarë, aleatët ballaknikë mbetën të pakënaqur nga Kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike.

Shqiptarët, si gjithmonë, duke mos pasur asnjë përkrahje, u gjendën ballë për ballë me një situatë tragjike që ua imponoi Evropa shoviniste. Copëtimi i trojeve tona etnike në vitin 1913, qe fatkeqësia më e rëndë që pati goditur ndonjëherë etninë shqiptare në historinë e saj shumëshekullore dhe mësimi më i rëndë që ajo mori, si rezultat i përçarjes tragjike që e pati trashëguar që nga kohët e Ilirisë së Lashtë.

Edhe në Konferencën e Paqes në Paris të viteve 1919-1920, shqiptarët u përfaqësuan me disa delegacione, ku ra në sy përçarja e tyre. Në atë Konferencë, për herë të fundit, Turhan Pasha dhe Luigj Bumçi ngritën zërin për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare. Këtë kërkesë Evropa shoviniste jo vetëm që nuk e mori parasysh, por pati synime ta fshinte Shqipërinë krejtësisht nga harta e Evropës, sikur të mos kishte qenë ndërhyrja vendimtare e Presidentit amerikan Uillson. Pas përfundimit të Konferencës së Paqes, çështja e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare, nuk u përmend më as edhe një herë të vetme, jo vetëm në periudhën mes viteve 1920-1925, por as edhe në kohën e mbretërisë. Kjo heshtje gjëmëmadhe vazhdoi edhe për një periudhë gati gjysmëshekullore të diktaturës komuniste. Madje edhe kur Shqipëria u ndodh para realiteteve tragjike në Kosovë dhe në Çamëri, udhëheqja komuniste shqiptare, në asnjë organizëm të lartë ndërkombëtar, nuk e shtroi kurrë problemin e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare, meqenëse popullsia çame jo vetën që u masakrua barbarisht përmes një gjenocidi të pashembullt në historinë e njerëzimit nga ana e nazifashizmit grek, por u përzu edhe nga trojet e veta stërgjyshore. Po ashtu, populli shqiptar i Kosovës, që prej vitit 1878, kishte rënë pre e sundimit të egër të shovinizmit serbomadh, i cili, pas vitit 1913, kishte marrë përmasa katastrofe.

Shembja e sistemit komunist dhe vendosja e pluralizmit në Shqipëri, normalisht duhej të shërbente si një mundësi konkrete për shtrimin para fuqive të mëdha të kërkesës për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare, duke ngulur këmbë për organizimin e një Konference “Londra 2”, në të cilën të hidheshin poshtë vendimet kriminale të Konferencës së ambasadorëve në Londër, t’i njihej kombit shqiptar e drejta e vetëvendosjes dhe të krijoheshin kushtet për krijimin e një shteti të vetëm në hapësirat e katër vilajeteve shqiptare. Por, çuditërisht, klasa politike gjatë këtyre viteve të demokracisë, nuk e ka shtruar qoftë edhe një herë kërkesën për ribashkimin e trojeve tona etnike. Gjatë kësaj periudhe pas vitit 1990, në krejt hartën e Evropës kanë lëvizur kufij dhe janë krijuar shumë shtete të reja, por vetëm kufijtë e trojeve të copëtuara shqiptare nuk kanë lëvizur, me përjashtim të pavarësimit të Kosovës, i cili ka qenë kompromisi më i dhimbshmi që është bërë në kurriz të shqiptarëve kuptohet nga trusnia politike e faktorit ndërkombëtar ndaj shqiptarëve të pa mbrojtur që përkohësisht të heqin dorë nga ri-bashkimi i trojeve shqiptare të cilin synim e kishte edhe lufta e drejtë e UÇK-së.

Çështja Kombëtare Shqiptare nuk mund të mbetet përjetësisht peng i shovinizmit evropian dhe atij rusomadh që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për copëtimin e trojeve tona etnike. Mbarë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund të heshtin para kësaj Çështjeje Madhore dhe me rëndësi jetike për të ardhmen e kombit tonë, sepse ata nuk i lë të qetë për asnjë çast vepra heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk mund t’i lërë të qetë betimi i shenjtëruar i çdo ushtari të saj, në të cilin thuhet:

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel betimin, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!”.

   Mbarë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund t’i lërë të qetë gjaku i pastër i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, si dhe i gjithë pjesëtarëve të familjes së tij, si dhe i të gjithë bashkëmendimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij që e vunë veten në Altarin e Lirisë, me të vetmin qëllim që jo vetëm Kosova të fitonte lirinë, por edhe mbarë trojet etnike shqiptare të ribashkohen në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur. Ishte pushka e Adem Jasharit që bashkoi  bijtë dhe bijat më të mirë dhe më të devotshëm të kombit në Luftë për çlirim dhe ri-bashkim kombëtar. Më ketë rast u bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve kudo që janë të bashkohen për një qëllim të shenjtë, pra bashkohu edhe ti, që të bashkojmë mendjet, forcën, ekonominë dhe zemrat tona për ti ribashkuar trojet tona shqiptare, të bashkohemi për t’i detyruar të tjerët që të na respektojnë dhe nderojnë, ashtu si shqiptari që di të respekton dhe nderon të tjerët, sepse kështu nderojmë atdheun tonë të dashur SHQIPËRINË.

Nga sa mund të gjykohet dhe të arsyetohet për zhvillimin e ngjarjeve gjatë këtyre më shumë se dy dhjetëvjeçarëve, mund të arrihet në përfundimin se Brukseli që simbolizon Bashkimin Evropian, nuk dëshiron që trojet etnike shqiptare që prej Artës e Prevezës, Janinës dhe Shkupit, Luginës së Preshevës dhe Mitrovicës deri në Tivar, të ribashkohen për të krijuar një shtet të vetëm me një stemë dhe një flamur. Brukseli që përfaqëson qëndrimin  jo të drejtë dhe jo parimor të Evropës ndaj etnisë shqiptare, e ka konsumuar tërësisht dashurinë e vet përvëluese në Evropën Juglindore në të mirë të sllavëve dhe të grekëve këtu e 136 vjet më parë, kur u mblodh Kongresi i Berlinit tepër i rëndë dhe tragjik për popullin shqiptar, përkatësisht etninë shqiptare.

Sllavët dhe grekët nuk e dëshirojnë në asnjë mënyrë ribashkimin e trojeve etnike shqiptare, ngase e kanë mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian. Kjo për faktin se Bashkimi Evropian, etninë shqiptare dëshiron ta mbajë të nënshtruar, të mos e lërë të ngrihet në këmbë dhe të zhvillohet, duke mbajtur të ushqyer në radhët e saj farën e mallkuar të përçarjes sonë kombëtare.

Në kushtet kur Greqia vazhdon majmen e vet me troje shqiptare që shkojnë deri në Artë e Prevezë dhe në të njëjtën kohë ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, në një kohë kur politika zyrtare greke përmes presidentit të dikurshëm Stefanopulos, Himarën e quan tokë greke dhe Korçën vllaho-greke, në një kohë kur presidenti i tanishëm Papulias, Himarën, po ashtu e quan tokë greke, në një kohë kur territori i Shqipërisë së Jugut është ndotur me varreza ushtarësh agresorë grekë, me manastire dhe me memorialë në nderim të tyre, të ngritura me ndërhyrjen direkët të Janullatosit, në një kohë kur Janullatosi është “guvernator faktik” në Shqipëri i shovinizmit grekokaragjoz, në një kohë kur aleanca kriminale serbo-greke, më 14 tetor 2014, shpërtheu me histeri të paparë kundër etnisë shqiptare, me thirrje për vrasjen e shqiptarëve, në kohën kur mbarë udhëheqja serbe mori tërësisht anën e kriminelëve në stadiumin e Beogradit, jo vetëm kundër futbollistëve shqiptarë, por edhe kundër krejt kombit shqiptar, sikurse kësaj i ndihmoi edhe organi më i lartë i futbollit botëror, gjë që u pa me masat që ka marrë ndaj kombëtares shqiptare më 24 tetor 2014, në kohën kur populli shqiptar në Maqedoni vazhdon të trajtohet si i dorës së dytë dhe kur mercenarët vazhdojnë ta nanurisin popullin shqiptar në Maqedoni me marrëveshjen-paçavure të Ohrit, në kohën kur popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës keqtrajtohet dhe shikohet shtrembër nga Beogradi zyrtar dhe nga kisha shoviniste serbe, në kohën kur shqiptarët në Mal të Zi nuk gëzojnë as të drejtën minimale për të mbajtur simbolet e veta kombëtare…! Vallë, a nuk ka trokitur ora e madhe që në skenën e politikës shqiptare të dalë një tjetër klasë politike, me frymëzim dhe me orientim nacionalist – kombëtar, që në programin e vet të ketë si pikë kryesore ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur?

Gjatë këtyre viteve që kemi lënë pas dhe sidomos pas pavarësimit të Kosovës, Fronti i Bashkimit Kombëtar  Shqiptar, dhe jo vetëm ai, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të sensibilizuar mbarë opinionin publik shqiptar se ka ardhur koha për t’u mobilizuar dhe angazhuar për të kërkuar që të organizohet një “Londra 2” ku fillimisht do të duhej që të shfuqizohen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe fill pastaj të fillohet me proceduara të postulateve demokratike për ribashkimin e trojeve tona etnike, mbi bazën e postulateve demokratike sipas parimit të së drejtës për vetëvendosjen e popujve. Përkujtesat që kanë botuar në faqet e internetit figurat e shquara të këtij Fronti, dhe jo vetëm ata, kanë bërë përshtypje të thellë në radhët e mbarë shqiptarëve me formim të drejtë dhe parimor kombëtar /nacionalist/. Në reagimet e qytetarëve shqiptarë ndaj këtyre përkujtesave, ka pasur edhe syresh që kanë ironizuar ose edhe kanë deklaruar se nacionalizmi, na qenka, demek, streha e fundit e maskarenjve. Mirëpo, këtyre mjeranëve u duhet dhënë përgjigjja që meritojnë:

“Antinacionalizmi është streha e fundit e tradhtarëve!”.

Të gjithë ata politikanë shqiptarë që po synojnë me kaq zjarr të hyjnë në Bashkimin Evropian një sahat e më parë se atje na dashka të bëhet “ribashkimi” i shqiptarëve, nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxjerrin në pah mercenarizmin e tyre në shërbim të Evropës dhe në dëm të interesave kombëtare mbarë shqiptare. Kjo për faktin, sepse në Bashkimin Evropian gjithsekush duhet të hyjë me trojet e veta etnike. Prandaj, shqiptarët duhet të hyjnë në BE, si një komb i bashkuar dhe jo si një komb i hallakatur nëpër disa shtete. Mirëpo, Brukseli, me sa duket, po nxiton t’i fus shqiptarët në vathën evropiane, ashtu siç janë, kashtë e koqe nëpër disa shtete, me të vetmin qëllim që ta quajë të mbyllur tragjedinë që i shkaktoi kombit shqiptar me Kongresin famëkeq të Berlinit dhe me Konferencën kriminale të Londrës. Përveç kësaj, ngrehina Evropiane, me kryeqendër Brukselin, sipas gjasave, është një ngrehinë e përkohshme dhe kush mund të jetë i sigurt se një ditë nuk ka për t’u shkërmoqur dhe shqiptarët, si gjithmonë, do të mbeten me gisht në gojë dhe të hallakatur, në mëshirën e greko-sllavizmit. Prandaj, një komb i ribashkuar shqiptar, brenda kufijve të vetë etnikë, do të bëjë të mundur alternativën për krijimin e një shteti të fuqishëm dhe të konsoliduar shqiptar që nuk mund të quhet më shtet i vogël dhe i pafuqishëm. Dhe pikërisht atëherë ai ka për të qenë me të vërtetë faktor stabiliteti në Evropën Juglindore dhe jo si tani që greko-sllavët kombin shqiptar e shkelin me këmbë sa herë t’u dojë qejfi. Shqipëria, me këtë ngastër londineze, nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian me Janullatosin “guvernator në Tiranë”.

Së fundi, Bashkimi Evropian as të ngroh, as të ftoh, për faktin se, siç thotë komentatori i talentuar gjerman Rolf Vinkel,  simptomat e krizës po shtohen sërish në eurozonë. Rritja ekonomike ka rënë, papunësia është shtuar, reformat strukturore ende nuk duken. Dy kolonat e rëndësishme të euros, Franca dhe Italia, po humbasin edhe më tej aftësi konkurruese. Disa ekspertë flasin vetëm për një krizë tjetër të eurozonës, të tjerë shohin në rrezik vetë ekzistencën e eurozonës”.

Në këto kushte, çështja e daljes në skenë të një tjetër klase politike, me frymëzim kombëtar, nacionalist, e cila, burrërisht, t’i deklarojë Brukselit, Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresit dhe Senatit amerikan se shqiptarët, në mbarë hapësirat e Evropës Juglindore, dëshirojnë me gjithë shpirt të hyjnë në Bashkimin Evropian, por vetëm me troje etnike të ribashkuara, sot është bërë më e ngutshme se kurrë, prandaj do të duhej që fillimisht të mblidhen të gjithë ata, ato, subjekte politike, lëvizje e shoqata dhe të merren vesh për përpilimin e një dokumenti me të cilën do të obligoheshin të gjithë shqiptarët që të veprojnë në harmoni me nevojën e ribashkimit kombëtar shqiptar. Kjo klasë politike nacionaliste është më se e domosdoshme të dalë tani në skenë, meqenëse klasa e tanishme politike e ka konsumuar veten, është shndërruar në klasë mercenare në shërbim të Brukselit dhe të greko-sllavizmit, prandaj edhe nuk mund të përfaqësojë interesat madhore të kombit tonë për ribashkim kombëtar.

Çfarë duhet pasur parasysh në Aksionin e Madh Mbarëkombëtar për ribashkimin e trojeve tona etnike?

Së pari, me ribashkimin e trojeve etnike shqiptare, pozita e nesërme politike e shqiptarëve do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore. Pikërisht atëherë shteti shqiptar do të jetë faktorë stabiliteti në Evropën Juglindore. Kjo për arsye se ai do të jetë një shtet i fuqishëm, me autoritet dhe i barabartë me fqinjët tanë sllavo-grekë.

Autoriteti i shtetit të ribashkuar shqiptar do të burojë nga fuqia e tij ekonomike, sepse pas ribashkimit të trojeve tona etnike, në dispozicion të tij do të jenë resurse kolosale mbitokësore dhe nëntokësore, do të jenë fusha pjellore dhe rezerva të shumta ujore, do jetë shpirti krijues dhe iniciativa e qytetarit të lirë dhe të talentuar shqiptar që do të bëjë çudira për lulëzimin e vendit.

Së dyti, kundër aspiratës sonë për ribashkim kombëtar, do të kemi Evropën. Veç asaj, do të kemi klasën e tanishme mercenare në pushtet në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, do të kemi aradhen e intelektualëve mercenarë që janë vënë në shërbim të greko-sllavizmit. Por kjo nuk duhet t’ua ulë vrullin nacionalistëve shqiptarë për ribashkim, sepse ata përfaqësojnë pjesën dërrmuese të kombit shqiptar që e dëshiron me zemër ribashkimin e trojeve tona etnike. Nga radhët e kombit shqiptar duhet të dalin burra të vendosur dhe me integritet intelektual të moshës së re dhe të mesme që të trokasin fuqishëm në dyert e Brukselit, veçanërisht të udhëheqjes gjermane dhe të Bundestagut, por sidomos të Kongresit Amerikan, të Senatit Amerikan, të Departamentit të Shtetit dhe të Presidentit amerikan dhe t’u thuhet me zë të lartë se ribashkimi i trojeve etnike shqiptare është një proces i pashmangshëm që nuk mund të ndalet dhe të kërkohet me ngulm përkrahja e tyre e fuqishme.

Së treti, Shqipëria Etnike do të ketë një tjetër pozitë politiko-ushtarake, sepse ajo do të jetë shteti i 10 milionë qytetarëve shqiptarë, drejt të cilit do të dynden edhe shumë shqiptarë që pas vitit 1990 janë larguar për në emigracion. Forcimin e pozitës së saj politiko-ushtarake  e ndihmon së tepërmi shtrirja e saj në një zonë gjeostrategjike me rëndësi të jashtëzakonshme në bregdetin Adriatiko-jonian, çka bëhet një mbështetje e fuqishme e NATO-s në krahun juglindor të Evropës.

Mbarë atdhetarët dhe nacionalistët shqiptarë duhet të ndihmojnë dhe të mbështesin fuqishëm Frontin Bashkimit Kombëtar Shqiptar (FBKSH), Ardhmërinë Kombëtare Shqiptare (AKSH), Shoqatën Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar (SHAIBK) dhe subjektet tjera kombëtare për t’i pasur si mbështetje të sigurt në aspiratën për ribashkim kombëtar.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress