Home » Lajme, Opinione » FEMRA SHQIPTARE NË DITËN E GRUAS!

FEMRA SHQIPTARE NË DITËN E GRUAS!

AFRORE SHAIPI-2Dita Ndërkombëtare e Gruas këtë vit e gjen femrën shqiptare më mirë se dje, por jo ashtu siç do të duhej të ishte sot. Në këtë 8 Mars ne mund t’i gëzohemi evoluimeve që i kemi bërë si shoqëri, por më tepër se kaq do të duhej t’i kujtonim punët që na kanë mbetur pezull sa i përket përmirësimit të pozitës së femrës shqiptare. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë sakrificën e nënave, grave, motrave e vajzave në zhvillimin e shoqërisë, rolin e tyre kyç në shtetndërtim dhe kontributin e tyre të pashmnagshëm në proseperitet e mirëqenie.

Në ditë feste, ne mund t’i thurrim atribute personalitetit të femrës shqiptare, ashtu siç e meriton, duke vlerësuar sesi diti të përballojë jetën me gjithë vëshitrësitë që ajo i fali; i mbijetoi fatkeqësive dhe luftrave edhe përkundër tragjedive e humbjeve; i vuajti në heshtje padrejtësitë dhe diskriminimin që iu bë nga shoqëria; i rezistoi fyerjeve dhe ofendimeve, iku nga analfabetizmi dhe vendosi të ndjek rrugën e dijes edhe pse ajo ishte plot me rreziqe, pengesa e paragjykime… Por realisht, në jetën tonë të përditshme, a e mbrojmë këtë dinjitet të saj, aq shumë të dhunuar në të kaluarën. A e kemi shpërblyer si duhet sakriciën e saj? Kam frikë se JO!

Janë plot 20 mijë femra shqiptare të dhunuara vetëm gjatë luftes së fundit në Kosovë. Kanë kaluar 15 vjet dhe ende askush s’është përgjigjur për këtë krim. Asnjë falje s’është kërkuar. Këto femra e vuajnë në heshtje fatin e tyre duke mos guxuar të kërkojnë drejtësi nga frika se mos i paragjykojnë. Nuk kanë fituar as mbështetje institucionale sepse asnjëherë nuk është diskutuar mjaftueshëm për këtë plagë që e mundon tash e sa vite shoqërinë tonë. Njejtë sikur fati i mijëra personave të zhdukur që përbën një plagë të pashërueshme për nënat, gratë, vajzat e motrat e tyre. Edhe për këta s’është përgjigjur askush! Dhe kështu është bërë edhe më e rëndë barra e së kaluarës së përvuajtur. Përdersia këto krime nuk ndëshkohen nga asnjeri, dinjiteti i gruas shqiptare nuk është i respektuar! Madje, ky dinjitet edhe sot vazhdon të shkelet! Edhe sot ka dhunë të ushtruar ndaj femrës, krim që përsëri nuk guxon të kallëzohet. Për të njejtat motive. Duke mos patur besim në institucionet shtetërore dhe duke mos patur mbështetje ekonomike, ato vendosin të heshtin duke u pajtuar me jetën e tyre, të varur nga të tjerët.

Të shtyra nga mentaliteti patriarkal, e aq paragjykues sa ndonjëherë edhe po i zë frymën shoqërisë sonë, shumica e femrave sot edhe ngurrojnë të luajnë rol aktiv në shoqëri. Shumë mund të thonë  se është faji i tyre që s’arrijnë dot të integrohen në shoqëri apo se nuk janë të afta përkundër mundëisve të ofruara. Por nuk është kaq e thjeshtë. Të gjithë ata që mendojnë ashtu, t’i gjejnë së pari shkaqet që i bëjnë femrat të ndihen kaq të pasigurta. Femrat shqiptare tashmë janë mësuar me jetën e tyre të kufizuar, duke u munduar çdo ditë të gjejnë një trajektore midis shtëpisë dhe punës. Trajektore, e cila më shumë anon kah kuzhina, fëmijët e familja sesa kah karriera e profesioni. “Të parat janë punë grash, të dytat janë punë burrash”, me këtë frymë është edukuar shoqëria jonë e që për fatin tonë të keq, vazhdojnë të edukohen përafërsisht njejtë edhe brezat e rinj. Librat me të cilat arsimohen nxënësit e filloreve e deri te studentët e universiteteve, në vend që të promovojnë barazinë mes njerëzve, me synim demokratizimin e shoqërisë, ata bëjnë këtë ndarje arbitrare të punëve e madje arrijnë deri te etiketimi i femrave (por edhe grupeve të caktuara të shoqërisë) me ofendime. Qëllimisht apo jo, kjo mbetet në ndërgjegjen e autorëve, recenzentëve dhe botuesve të këtyre teksteve. Ne thjesht duhet të reagojmë dhe ta ndryshojmë këtë traditë.

Përveç edukimit jo të mirë nëpër institucionet arsimore, ajo që duhet të ndryshoj është edhe qasja e medias ndaj femrës. Nëpër ekranet televizive krijohet përshtypja se është arritur emancipimi i femrës kur shohim spikere lajmesh, moderatore apo gazetare të ndryshme femra. Por jo rrallë herë ndodh që figura e femrës të keqpërdoret nëpër debate të ndryshme televizive. Dihet se prezenca e femrës në studio rritë shikueshmërinë e emisionit, prandaj dhe ajo ftohet kryesisht për të tërhequr vëmendjen e shikuesve. Pavarësisht qëllimit të drejtuesve, ky është perceptimi i publikut. Këtë e vërejmë zakonisht nëpër emisione sportive, ku fjala e saj është e papeshë në krahasim me atë të debatuesve të tjerë (meshkuj). Jemi mësuar të shohim debatuese femra për tema me karakter social (jo se ato nuk janë të rëndësishme), por ja që nuk shohim një gjë të tillë nëpër debate politike apo ekonomike. Kemi çdo herë nëpër studio nga 4-5 analistë meshkuj dhe nuk kemi asnjë analiste femër.

Të gjitha këto janë një pasqyrë jo e mirë dhe nuk i shërbejnë zhdukjes së diskriminimit gjinor. Shoqëria jonë duhet të vetëdijësohet se punësimi i femrave vetëm sipërfaqësisht nuk i shërben zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit.

Të kesh presidente femër, nuk mjafton për ta quajtur një vend të emancipuar; të arrish kuotën prej 30% nuk mjafton për të ndalur diskriminimin gjinor, të kesh sekretare, gazetare e moderatore femra nuk mjafton për t’u arritur barazia gjinore në punësim… këto mund të jenë arritje pozitive, por nuk mjaftojnë! Kërkohet më shumë përkushtim ndaj kësaj kauze. Ndryshimet duhet të vërehen edhe në zonat më rurale të vendit dhe në pjesët më të prapambetura të shoqërisë.

Institucionet shtetërore duhet të forcojnë mekanizmat mbrojtës për femrat, t’iu sigurojnë atyre arsimim të barabartë dhe cilësorë; t’iu ofrojnë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe të promovjnë më fuqishëm pjesëmarrjen e gruas në jetën publike dhe ekonomike.

Media, si një mjet i rëndësishëm i shoqërisë bashkëkohore, duhet të ndikojë për mirë në ndryshimin e mentaliteteve e botëkuptimeve, për të luftuar padrejtëistë e diskriminimin dhe për të këmbngulur deri në fund për respektimin e të drejtave të njeriut. Vetëm në këtë mënyrë, mund të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri, ku qytetarët ndihen të lirë dhe të barabartë pa dallim gjinie, race, etnie,feje!

 

AFRORE SHAIPI

(Studente e vitit të parë, Fakulteti Juridik, Prishtinë)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress