
Franca fiton ndaj Marokut dhe ka rastin ta mbrojë titullin
Franca ka arritur të shkojë në pozicionin ku mund ta mbrojë titullin e kampionit të botës të fituar në Botërorin e kaluar të mbajtur në Rusi, ku e kishte mposhtur Kroacinë.

Të mërkurën Franca ka shkuar në finale, pasi në gjysmëfinale të Botërorit “Qatar 2022” e ka mposhtur Marokun. Fitorja ka qenë e pastër dhe me rezultat 2-0.
Sidomos në pjesën e parë, Franca e ka dominuar në të gjitha aspektet Marokun. Francezëve nuk u janë dashur më shumë se sa pesë minuta për ta gjetur golin e avantazhit përmes Hernandez.
Francezët do të mund të shënonin të paktën edhe tre gola të tjerë, sikur Giroud dhe Mbappe të ishin më konkret, por pjesëloja e parë është mbyllur me një gol.
Pastaj, në pjesën e dytë, ka ardhur një dominim maroken me posedim të topit, por vetëm aq. Ka qenë minuta e shtatëdhjetë e nëntë kur Kolo Muani është gjetur në vendin e duhur dhe e ka çuar topin drejt rrjetës. Kjo pas një sllallomi nga Kylian Mbappe pasi paraprakisht topi është fituar në mesfushë.
Me këtë rezultat edhe është mbyllur ndeshja. Finalja Francë – Argjentinë zhvillohet më 18 dhjetor. Që të dy finalistët janë fitues të dyfishtë të Botërorit.