Frankfurter Algemeine Zeitung: Ideja e Ischinger rikthehet në tavolinë me propozimin franko-gjerman

Read Time:3 Minute, 36 Second

15 vite më parë diplomati gjerman Wolfgang Ischinger propozoi modelin e dy Gjermanive si ide për çështjen mes Serbisë dhe Kosovës. Tani, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Algemeine Zeitung”, kjo ide është rikthyer në tavolinë përmes një propozimi gjermano-francez.

“Beogradi dhe Prishtina diskutojnë për targat. Por, në fakt, bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës”, shkruan “Frankfurter Algemeine Zeitung”, duke pyetur nëse është e mundur një zgjidhje sipas modelit gjermano-gjerman, transmeton DW në versionin serbisht.

Në këtë artikull përshkruhen negociatat maratonike mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, për dështimin e të cilave Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e fajësoi Kurtin.

 “Më pas publikisht u përfshi ambasadori amerikan. Si përfaqësues të fuqisë më të rëndësishme që mbron Kosovën, ambasadorët në Prishtinë kanë qenë gjithmonë diçka si zëvendësmbretër jozyrtarë, të cilët asnjë shef i qeverisë së Kosovës nuk mundet lehtë t’i injorojë”, ka shkruar tutje gazeta gjermane.

Ndërsa gazeta ishte në shtyp, në Bruksel u njoftua se ishte arritur një marrëveshje: Serbia nuk do të lëshojë më tabela të regjistrimit që i referohen qyteteve të Kosovës, kurse Kosova do të pezullojë të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me riregjistrimin. Derisa dialogu do të vazhdojë.

“Paaftësia për të rënë dakord për çështje teknike relativisht të vogla bazohet në një konflikt parimesh”, shkruan gazeta Frankfurter Algemaine Zeitung.

Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe “bllokon shtetndërtimin e Kosovës kudo që është e mundur”.

“Në Prishtinë, megjithatë, mungon një pasqyrë se veriu i Kosovës, në të cilin dominojnë serbët, nuk dëshiron të integrohet plotësisht në shtet, sidomos jo me kërcënime. Kurti me kokëfortësi refuzon të japë pëlqimin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, i cili në fakt është nënshkruar me BE-në”, thuhet tutje në artikull.

“Për të mënjanuar konfliktin, raportohet se kohët e fundit një propozim gjermano-francez nxiti idenë që e hodhi në tavolinë diplomati Wolfgang Ischinger qysh në vitin 2007. Ischinger atëherë ishte përfaqësues i BE-së në të ashtuquajturën ‘Treshja e Kosovës’, e cila përbëhej nga një diplomat amerikan, një rus dhe një evropian. Ajo në momentin e fundit duhej të shqyrtonte nëse mund të kishte ende zgjidhje të pranueshme si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, edhe pse Perëndimi atëherë veçse kishte vendosur që të mbështeste pavarësinë e Kosovës”, thuhet tutje në shkrimin e FAZ-së.

Në vitin 2007, Ischinger pikërisht për “Algemaine Frankfurter” në mënyrë specifike përmendi shembullin e dy Gjermanive: “Ka një qasje ndaj traktatit themelor gjermano-gjerman të vitit 1972 në të cilin nuk përmendet ajo që dukej objektivisht e pazgjidhshme, domethënë çështja kombëtare. Natyrisht, situata mes Serbisë dhe Kosovës është e ndryshme, por nuk duhet të refuzojmë idenë e përjashtimit nga marrëveshja të asaj që duket e pazgjidhshme”, kishte thënë Ischinger në atë kohë.

Një model i tillë, vlerëson gazeta gjermane, ofron mundësi që pikëpamjet e kundërta për statusin e Kosovës të shndërrohen në një formë që do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

Në marrëveshjen themelore, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore ia njohën njëra-tjetrës respektimin e integritetit territorial, por Boni zyrtar theksoi në “Letrën për unitetin gjerman” se ende i përmbahet qëllimit të bashkimit.

“Kështu, Beogradi mund ta njohë de fakto Kosovën, por në një letër përkatëse të theksojë pretendimin që rrjedh nga Kushtetuta e saj se nuk heq dorë nga Kosova”, vlerëson gazeta gjermane.

Motoja e një marrëveshjeje të tillë, siç theksonte shpesh Ischinger, do të ishte “Agree to disagree“, respektivisht “Pajtohemi që të mos pajtohemi”.

“Tani, është e qartë se ideja e Ischingerit në thelb është prekur nga propozimi gjermano-francez, për të cilin nuk ka asnjë dokument zyrtar dhe as nuk dihet përmbajtja fjalë për fjalë. Është e paqartë nëse ai propozim mund të zbatohet”, vazhdon tutje artikulli i “Frankfurter Algemaine Zeitung”.

“Një nga arsyet është se BE-ja, si ndërmjetësi më i rëndësishëm pas SHBA-së, aktualisht nuk ka as shkop e as karotë për të ndikuar te të dyja palët. Joshja e saj dikur më e rëndësishme – perspektiva e anëtarësimit në BE – nuk është më realiste dhe BE-ja nuk ka gjetur një ofertë të re tërheqëse për momentin. Kjo redukton në masë të madhe vullnetin në Beograd dhe Prishtinë, që nëse është e nevojshme, të pranojnë edhe kompromise të dhimbshme”, përfundon artikulli i FAZ.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” në Pejë
Next post Toby Vogel: Qëllimi i fazës së re është diçka më pak se njohja