Gabriel Escobar: Serbia bartë pasoja nëse nuk mban zotimin për zgjedhjet në veri
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka raportuar në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Escobar ka thënë se në shkurt dhe mars, Bashkimi Evropian me mbështetjen e SHBA-së ka arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe një aneks të zbatimit.
Gabriel Escobar, ka theksuar se të dyja vendet duhet t’i përmbushin obligimet e marra nga kjo marrëveshje. Ai ka deklaruar se obligim i Kosovës ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kosova dhe Serbia gjithashtu janë pajtuar për t’ia njohur njëra-tjetrës dokumentet dhe simbolet kombëtare. Por më e rëndësishmja, Serbia nuk do të lobojë kundër integrimit të Kosovës. Që prej atëherë ka pasur tensione dhe dhunë të papranueshme ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Ne dhe Bashkimi Evropian kemi bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm dhe rifokusim në implementimin e detyrave të marra nga marrëveshja dhe që të mbahen zgjedhje të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve në veri”, ka theksuar ai.
I dërguari i SHBA-së, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.
“Ne kemi qenë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushtet që kërkojnë për pjesëmarrje në zgjedhje. Kemi marrë zotimin që ata do të marrin pjesë në zgjedhje dhe ka pasoja nëse kjo nuk zbatohet”, ka thënë ai.
Escobar ka theksuar se janë inkurajuar të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e marra në marrëveshjen e nënshkruar
Escobar: Rusia mbetet kërcënim serioz për sigurinë rajonale
Duke folur për rajonin, Escobar ka thënë se pengesat janë mjaft të mëdha, progresi i ndalur në demokratizim, korrupsioni, varësia energjetike nga Rusia, politikat etnonacionaliste, dezinformimi i dëmshëm janë vetëm disa prej sfidave, por që, sipas tij, nuk janë të patejkalueshme.
Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.
“Rusia mbetet ofrues ekskluziv i gazit natyror për disa vende të Ballkanit Perëndimor, një kërcënim serioz për sigurinë rajonale. Teksa e zhvillon luftën kundër Ukrainës, Kremlini përhap dezinformata, shpesh përmes medieve në gjuhën serbe me qëllim të krijimit të ndasive dhe rritjes së tensioneve fetare dhe etnike.
Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve. “Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.
Escobar: Dodiku kërcënim për gjithë rajonin
Escobar ka deklaruar se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.
“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.
https://www.facebook.com/watch/?v=753598976539070
Average Rating