Home » Lajme, Vendore » GDP themelon partinë e re – del me Deklaratë Parimore

GDP themelon partinë e re – del me Deklaratë Parimore

Grupi i Deputetëve të Pavarur sot shpalosi deklaratën themelues të subjektit të ri politik.

Në një konferencë për media, në lokalet e Kuvendit të Kosovës, u paraqitën, deputeti Dukagjin Gorani dhe Visar Ymeri.

Kjo është deklarata që shpalosi Grupi i Deputetëve të Pavarur para mediave:

DEKLARATË E PARIMEVE

Kjo Deklaratë përmbledhë pikënisjet tona ideore, synimet tona shoqërore dhe strategjinë publike për angazhimin tonë politik. Qëllimi parësor i yni është avancimi i angazhimit publik për zhvillim shoqëror dhe shtegdalja nga një dekadë e keq-qeverisjes shtetërore.

1.KONTEKSTI

Republika e Kosovës është rezultat i perpjekjeve të popullit për liri. Ne besojmë se barazia midis popujve dhe brenda popujve është rrugëzgjidhje për paqe, mirëqenie dhe progres. Konsiderojmë se vështirësitë e saj të sotme me Republikën e Serbisë janë pasojë e të kaluarës pushtuese dhe historisë së segregacionit etnik e zhvillimor, që shkaktoi ndasitë mes qytetarëve dhe grupeve sociale. Regjimet e tilla nuk do të përsëriten në Kosovë. Shoqëria jonë që i përjetoi ato duhet të jetë garantuese e trajtimit të barabartë të të gjithë banorëve të saj.

Megjithatë, sot Republika e Kosovës vazhdon të jetë e pazhvilluar si shoqëri, e varfër si ekonomi dhe e pa konsoliduar si shtet. Shumica e saj, qytetarët, janë të nënshtruar politikisht dhe të shfrytëzuar ekonomikisht brenda një shteti që i shërben interesave të pakicës që pronëson dhe kontrollon shumicën e pasurisë.

Sot, qeverisja shtetërore nuk ushtrohet në gjithë territorin e Republikës. Administrata e saj e madhe mundëson punësim për klientët, por jo shërbime për qytetarët. Sistemi politik mundëson demokraci zgjedhore, por zvogëlon legjitimitetin shoqëror. Tregu vendor vazhdon të ketë qarkullim të madh të mallrave, por akumulim të vogël të pasurisë. Si shoqëri, qytetarët e saj jetojnë bashkë formalisht, por të ndarë në realitet. Përgjithësisht, republika jonë mbetet vend ku mundësohet mbijetesa, por jo edhe mirëqenia e bashkëjetesa.

Jemi të përkushtuar që ta ndryshojmë këtë situatë. Sot, qytetarët e Republikës janë shumica që ka pak. Angazhimi për ta, angazhimi bashkë me ta, është përpjekje për interesin e përgithshëm. Politikat që shpunësuan, varfëruan dhe përjashtuan duhet të zëvëndësohen me politikat zhvillimore, social-demokrate, që do të mundësojnë prodhim vendor, punësim për të gjithë dhe shpërndarje të drejtë.

2.PARIMET E PËRGJITHSHME

Ne angazhohemi për liri kolektive e individuale, për bashkësi qytetarësh, sovranitet popullor, shoqëri plurale dhe solidare, zhvillim ekonomik, drejtësi e barazi sociale. Njëkohësisht dhe në kuadër të kësaj, angazhohemi për një sistem politik e ekonomik që nuk diskriminon dhe nuk privilegjon, për barazi të plotë gjinore, gjyqësor të pavarur, administratë funksionale, shëndetësi efikase dhe shkollim cilësor.

Ne besojmë se populli i Kosovës, si edhe popujt e tjerë, ka të drejtë në vetëvendosje, përcaktim të lirë të fatit kolektiv. Në këtë drejtim angazhohemi për realizim të plotë e të papenguar të këtij parimi. Për ne, referendumi është mekanizmi që duhet afirmuar për shprehjen e lirë të vullnetit politik, por edhe për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje për çështjet publike.

Përgjigja socialdemokrate e jona ndaj problemeve bashkëkohore të Republikës dhe shoqërisë konsiston nga besimi në primatin e veprimit politik përmes pushtetit demokratik ndaj forcave ekonomike, duke i drejtuar ato në shërbim të të mirës së përgjithshme. Ne e pranojmë konceptin e ekonomisë së tregut, të vetëdijshëm për aftësinë e saj që të krijojë bazë materiale e cila mundëson mirëqenien shoqërore – por refuzojmë ta pranojmë diktatin e ‘tregut’ në jetën shoqërore.

Për ne liria dhe barazia janë të pandashme. Të dyja janë parakusht dhe përmbajtje e mirëqenies së njeriut dhe të shoqërisë. Liria arrihet si përpjekje kolektive, por konkretizohet si vlerë individuale. Liria e përgjithshme e mundëson dhe mirëmban atë personale. Barazia në trajtim mbetet kusht i lirisë kolektive dhe jetësim i lirisë individuale. Andaj përkushtohemi që ta ndërtojmë dhe zhvillojmë një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe të hapur. Njëjtë angazhohemi që ta mbrojmë lirinë e medias dhe mendimin kritik, që t’i ruajmë dhe mirëmbajmë vlerat themelore të lirisë dhe përbashkësisë, ku asnjë qytetar nuk do të jetë peng i varfërisë, paditurisë e nënshtrimit.

Ne i përkushtohemi dinjitetit dhe mirëqenies së individit duke respektuar të drejtën e tij/saj në zhvillim tëtalenteve deri në plotni. Qëllim yni është shpërndarja e pushtetit, inkurajimi i shumëllojshmërisë dhe mbështetja e kreativitetit të qytetarit, të grupeve sociale dhe të mbarë shoqërisë. Është detyrë e shtetit t’ia mundësojë të gjithë qytetarëve arritjen e këtyre idealeve, duke kontribuar nëpër bashkësitë e veta dhe duke marrë pjesë në vendimmarrjen që ndikon drejtpërdrejti në jetët e tyre.

REPUBLIKË QYTETARE, LAIKE, SOCIALE DHE ZHVILLIMORE

Ne i përkushtohemi një shoqërie demokratike, duke ndarë bindjen se demokracisë duhet t’ia ruajmë statusin e parimit, si frymë organizimi brenda nesh, dhe si qeverisje në institucionet e Republikës. Për ne ajo është pikënisje dhe qëllim. Ne nuk e reduktojmë zhvillimin e demokracisë vetëm nëpërmjet institucioneve, porse angazhohemi për demokraci të plotë, për demokraci gjithkund, edhe nëpërmjet zhvillimit dhe bashkëpunimit me strukturat demokratike shoqërore. Demokracia si vlerë e koncept është mënyra më radikale për luftimin e mendësisë totalitare, si dhe për rishpërndarjen barazitare të peshës politike, mobilitetit social, mundësive dhe të drejtave. Për ne demokracia është përfshirje, forma e saj është rrethi, kështu menjanohet edhe ndarja midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit. Ne angazhohemi që infrastrukura ligjore dhe sjellja institucionale në Kosovë të kenë natyrë afirmative; për të krijuar mundësi e hapësira për përparim shoqëror dhe përmbushje individuale, dhe kurrsesi kufizuese dhe disiplinuese. Njëkohësisht, dhe në këtë drejtim, angazhohemi për balancim pushtetesh midis legjistlativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Ne angazhohemi për republikë qytetare, ku të gjithë gëzojnë të drejtat e njëjta – ku jetohet bashkërisht në paqe dhe ku kulturat e ndryshme zhvillohen lirshëm.

Republika e Kosovës i takon çdo qytetari që jeton në të: ajo duhet që mbi të gjitha të kuptohet si hapësirë e përbashkët e individëve dhe grupeve shoqërore, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe kulturore.

Jemi të vetëdijshëm se qytetaria e shekullit të ri ndërtohet mbi pranimin e normave dhe rregullave të cilat qeverisin një shoqëri funksionale e progresive. Në këtë, besojmë se parimi i përbashkësisë etnike mbi të cilin ndërtohet dhe definohet shoqëria jonë duhet të zëvendësohet me parimin e përbashkësisë së vlerave – duke e promovuar bashkimin shoqëror përmes bindjeve, nevojave, talenteve dhe synimeve të përbashkëta të çdo qytetari të saj.

Ne e shohim çdo gjeneratë përgjegjëse për fatin e vendlindjes së përbashkët dhe të mjedisit të saj. Duke respektuar këto vlera të paqes individuale dhe të drejtësisë sociale, refuzojmë çdo paragjykim dhe diskriminim të bazuar mbi etni, ngjyrë, religjion, moshë, paaftësi, gjini apo orientim seksual—duke kundërshtuar të gjitha format e privilegjeve dhe të pabarazisë.

Të vetëdijshëm se rrugëtimi për liri dhe drejtësi është i papërfundueshëm, ne përkrahim të drejtat e njeriut dhe qeverisjen transparente, si dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme që i shërben nevojave të qytetarit dhe që mundëson shërbime publike të cilësisë më të lartë. Në çdo kohë do të ngritet në mbrojtje të së drejtës së shprehjes, të shkrimit, të lutjes, të asociimit dhe të votimit të lirë, duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve që të gëzojnë privatësi në jetërat dhe shtëpitë e Ne besojmë se sovraniteti i takon qytetarëve dhe se pushteti demokratik buron prej tyre.

Ne angazhohemi për ndërhyrje në strukturën shoqërore dhe ekonomike me qëllim të rivlerësimit të roleve ekzistuese gjinore në funksion të lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit social. Pa barazi mes burrit dhe gruas nuk mund të bëhet fjalë për shoqëri të zhvilluar dhe të përparuar. Këtu, do të afirmojmë politika transformuese dhe do të hapim diskutime në Kuvendin e Republikës dhe në forume të tjera gjithëpërfshirëse, me qëllim të ndërgjegjësimit shoqëror. Barazia gjinore nuk arrihet përmes konsensusit. Edhe pse e domosdoshme, infrastruktura ligjore nuk mjafton nëse nuk ndërhyn në praktikat e çdoditshme shoqërore. Barazia gjinore vetëm në mundësi, në rrethanat në të cilat veprojnë gratë në Kosovë, vetëm sa riprodhon kushtet e pabarazisë, të shtresëzuara historikisht. Janë rolet gjinore në shoqëri dhe familje ato që duhen kontestuar dhe ndryshuar.

Jemi të përkushtuar për një republikë laike. Laiciteti mundëson dhe mirëmban bashkëjetesën. Duke përjashtuar çdo lloj fundamentalizmi e stigmatizmi fetar dhe anti-fetar, ne respektojmë lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes. Duke u përkushtuar për rregullim neutral shtetëror ndaj cilitdo religjion, konsiderojmë se hapësira publike duhet t’i merr parasysh larmitë kulturore dhe religjioze – duke respektuar lirinë e manifestimit deri në kufijtë e garantimit të pacenueshmërisë së të drejtave themelore, në shërbim të kohezionit, paqes, integrimit, interesit të përgjithshëm dhe të emancipimit shoqëror.

Ne përkrahim të drejtën e qytetarit për ta përcaktuar lirshëm formën e qeverisjes që do t’i përshtatej më së miri nevojave të tij/saj, duke u përkushtuar në promovimin e një kornize dhe programi socialdemokrat – të një qeverisjeje më të gjerë të mundshme duke përfaqësuar të gjitha veçantitë etnike dhe kulturore të Republikës së Kosovës. Do të përkushtohemi veçanërisht në promovimin e qeverisjes efikase lokale, duke e kuptuar si nivelin kryesor prej nga ndërmerren të gjitha vendimet jetike për shoqërinë dhe ku shërbimet për qytetarin ofrohen në mënyrën më të drejtëpërdrejtë të mundshme.

4.PARIMET SOCIALE DHE ZHVILLIMORE

Ne përkushtohemi për republikë sociale dhe zhvillimore. Inkurajojmë një ekonomi të qëndrueshme që fuqizon proceset e prodhimit të mirëqenies, që zhvillon talentet e qytetarit dhe që funksionon mbi qëllimin e përfitimit për të gjithë – përmes shpërndarjes së drejtë të të mirave shoqërore dhe të suksesit zhvillimor. Angazhohemi për pjesëmarrje dhe bashkëpunim në industri dhe tregti brenda një ambienti konkurrues, ku shteti mundëson lirinë në treg, por edhe ndërhyn e bashkërendon kurdo që kjo dëshmohet e domosdoshme.

Ne do t’i afirmojmë hulumtimet shkencore dhe inovacionin duke inkurajuar promovimin e teknologjisë për rritje të mirëqenies së qytetarit.

Ne do të punojmë për një partneritet me qytetarin dhe grupet sociale në të gjitha fushat e jetës. E kuptojmë se liria në treg dhe në ndërmarrësi është e domosdoshme për zhvillimin ekonomik – porse tregu i lirë vetëvetiu nuk e mundëson shpërndarjen e drejtë të pasurisë. Andaj, përkrahim shpërndarjen sa më të drejtë dhe sa më gjerë të mundshme të pasurisë shoqërore, duke afirmuar të drejtën e çdo qytetari në siguri sociale dhe aktivitet kulturor. Po ashtu angazhohemi për shërbime sa më efikase publike, për llojllojshmëri dhe inovacion të tyre duke mundësuar qasje të barabartë për të gjithë.

Ne angazhohemi për institucionalizim të solidaritetit shoqëror dhe të ekonomisë sociale. Një ekonomi me rishpërndarje të drejtë të pasurisë prodhon mirëqenie dhe krijon zhvillim të qëndrueshëm, duke ngritur fuqinë blerëse e cila mirëmban punësimin për të gjithë në kushte të dinjitetshme dhe siguri personale.

5.BASHKËJETESA

REFORMA KUSHTETUESE

Konsiderojmë se korniza kushtetuese që rregullon përfaqësimin e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës (modeli i ‘ulëseve të garantuara’ në Kushtetutën e Kosovës) nuk e adreson me sukses situatën dhe nevojat e tyre. Një qasje e tillë e ka zanafillën në përkufizimin kushtetues të Kosovës si ‘shoqëri shumetnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera’ (Neni

3). Dhjetë vjet më vonë, pasojat praktike të këtij përkufizimi u shpërfaqën me institucionalizim të ndasisë etnike në shtetin e ri. Për më tepër, përcaktimi kushtetues se në garën zgjedhore për udhëheqje politike mund të marrin pjesë vetëm subjektet e organizuara mbi bazë etnike, ka rezultuar me mosintegrimin e komuniteteve, por as të përfaqësuesve politik të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Përmes platformës sonë do të angazhohemi që gara për vendet e garantuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës t’i mundësohet çdo përfaqësuesi të komuniteteve etnike dhe kulturore, duke mos u detyruar që përkatësia etnike ta kufizojë dhe përkufizojë përfaqësimin politik. Njëkohësisht mirëpresim e do të punojmë që në krijimin e kushteve për çdo pjesëtar të komuniteteve etno-kulturore të angazhohet politikisht bashkë me ne dhe kështu t’i përfaqësojë interesat e bashkësisë së vet – qoftë përmes angazhimit politik apo garimit zgjedhor. Ne angazhohemi për reformimin dhe përmirësimin e legjistlacionit zgjedhor në vend, ashtu që përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve t’u mundësohet përfshirja në cilindo prej subjekteve politike në Kosovë. Për ne, kjo paraqet pikënisje praktike për integrim të efektshëm politik e institucional të të gjitha komuniteteve, duke hapur rrugë për bashkëjetesë të qëndrueshme ekonomike dhe kulturore, si dhe për paqe sociale. Konsiderojmë se një qasje e tillë, reformatore, do të inkurajonte të gjitha subjektet politike në Republikën e Kosovës që të zhvillojnë politika gjithëpërfshirëse, duke qenë të qeverisura nga logjika shtetformuese që ka në epiqendër qytetarin si përmbledhje të vlerave dhe bindjeve, e jo vetëm si përfaqësues të përkatësisë etnike.

6.BASHKËPUNIMI RAJONAL DHE NDËRKOMBËTAR

Zotohemi për veprim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke qenë të vetëdijshëm për ndërvarësinë e qytetarit me shoqërinë, shtetit me rajon dhe të rajonit me botën. Ne besojmë se qytetari duhet të përfshihet drejtpërsëdrejti në udhëheqjen e bashkësive të veta, të përkushtohet për fuqizim të proceseve demokratike dhe të angazhohet për një sistem të drejtë dhe përfaqësues të qeverisjes – të institucioneve efikase parlamentare, të lirisë së shprehjes, të vendimeve të arritura në shkallën më të drejtpërdrejtë të praktikueshme, dhe të një sistemi të drejtë të votimit për të gjitha nivelet zgjedhore.

Përgjegjësia për drejtësi dhe liri nuk mund të ngujohet brenda kufijve kombëtarë dhe shtetërorë; Ne jemi të përkushtuar që ta luftojmë varfërinë, shtypjen, urinë, paditurinë, sëmundjet dhe agresionin kudo që ato shfaqen – duke promovuar shkëmbim të lirë të ideve, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Ne zotohemi për bashkëpunim me shtete, kombe dhe subjekte të tjera, për ta mundësuar një rend paqësor ndërkombëtar dhe një sistem të qëndrueshëm të sigurisë së përbashkët. Të përkushtuar për arritjen e standardeve më të larta demokratike dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ne i afirmojmë vlerat integruese duke qenë të udhëhequr në këto parime.

Do t’i kontribuojmë procesit të paqes dhe pajtimit anekënd rajonit dhe popujve të Ballkanit, gjithnjë të vetëdijshëm për të kaluarën e përgjakshme dhe për sfidat e së ardhmes. Mbetemi të përkushtuar për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e përbashkët të demokracisë sociale duke u angazhuar në rol konstruktiv nëpër organizatat ndërkombëtare me qëllime dhe objektiva të njëjta.

Janë këto kushtet e lirisë dhe të drejtësisë sociale që janë përgjegjësi e çdo qytetari/e, si dhe detyrë e shtetit që t’i mbrojë dhe avancojë.

Ne jemi gra dhe burra që punojmë së bashku për arritjen e këtyre synimeve.

 


 

Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka 12 deputetë të cilët u larguan nga LVV, pas mospajtimeve që kishin ndodhur në këtë parti me ç’rast themeluan grupin e tyre parlamentar në muajin mars të këtij viti e që janë këta deputet: Visar Ymeri, Aida Dërguti, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Dardan Sejdiu, Faton Topalli, Dardan Molliqaj, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, Frashër Krasniqi dhe Salih Salihu.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch