Home » Kulturë, Lajme » “GJITHMONË,AI KISHTE DASHUR TA PASUROJË E RUAJË FILATELINË SHQIPTARE, SI NJË DETYRIM KOMBËTAR”

“GJITHMONË,AI KISHTE DASHUR TA PASUROJË E RUAJË FILATELINË SHQIPTARE, SI NJË DETYRIM KOMBËTAR”

(Rreth librit të ri të prof.Shefik Osmanit, “Kontribut për historinë e Filatelisë Shqiptare”)

Nga: Prof.dr.Jovan BASHO,

                                   Filatelist

Para disa ditësh, SHB “Filara”-Tiranë,  nxori në qarkullim librin e ri të prof.dr. Shefik Osmanit (Shkodër, 20.05.1923 – Tiranë,21.07.2012), me titullin “Kontribut për historinë e Filatelisë Shqiptare”. Ai u përgatit, me kujdes e përkushtim, nga bashkashortja e tij, Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”. Në fillim të librit, ajo ka publikuar një “Falënderim”, si për prof.dr.Jovan Bashon, që e ka ndihmuar në përgatitjen e librit për botim dhe për z.Emi Gimjani, recensent dhe kryetar i “Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë”.

Redaktor i këtij libri të ri të prof. Shefik Osmanit është prof.dr. Jovan Basho. Ai e ka shkruar edhe “Hyrjen” e tij, të cilën po ua paraqesim lexuesve, më poshtë.

                                                 x  x  x

 Ballinat e librit të ri, me autor prof. Shefik Osmanin

Ballinat e librit të ri, me autor prof. Shefik Osmanin…

Që kur isha i vogël, m’u ngjall së brendshmi një dëshirë e madhe për të koleksionuar materiale filatelike, teksa shikoja babain (Kozma Basho, 1927-1994) që humbiste me orë të tëra në albumet e tij të pullave. Ai e kishte filluar këtë hobi që kur ishte nxënës në vitin e parë të Liceut Kombëtar të Korçës në vitin e largët 1938, kur ishte vetëm 11 vjeç. Dëgjoja me vëmendje edhe diskutimet e tij me kolegët filatelistë të vendit, kur këta vinin në Poradec, midis të cilëve Shefik Osmani zinte një vend të veçantë.

Të dy njiheshin prej kohësh, pasi kishin qënë ndër 100 studentët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik, në vitet 1948-1950. Madje, gjatë periudhës së studimeve, kishin ndenjur në një dhomë, ishin miqësuar shumë, dhe të dy mblidhnin e koleksiononin pulla e materiale filatelike. Babai më fliste shpesh për Shefikun, se e çmonte jo vetëm si shok e mik të vërtetë, por edhe për këmbënguljen e tij, në pasurimin e koleksionit filatelik, megjithë vështirësitë e kohës.

Pastaj unë  fillova studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe, pas mbarimit të Universitetit, nuk u ktheva më në Poradec e, duke qenë në Tiranë, u bëra edhe ndërlidhës midis tyre. Shefikun e takoja jo shpesh, në fakt, më shpesh vitet e fundit të jetës së tij, për shkak të problemeve shëndetësore, të lidhura me profesionin tim të mjekut; por sa herë që e takoja, mbetesha i mrekulluar, nga bisedat me të e gjithmonë i thoja vetes që duhet t’i shkoja më shpesh e prapë nuk gjeja kohë. Si të gjithë njerëzit e ditur, ai ishte i heshtur e fjalëpak. Por, kur e pyesje, të impononte respekt për ta dëgjuar deri në fund, jo vetëm për filatelinë, por edhe për historinë, mendimin pedagogjik, letërsinë, gjuhën etj.

Shefik Osmani e kishte filluar filatelinë që herët dhe gjithmonë kishte dashur ta pasurojë e ruajë atë, si një detyrim kombëtar ndaj vendit të tij. E kujtoj si sot vitin 1992, vit kur u themelua Federata Kombëtare e Filatelisë dhe unë, si më i riu (atëhere 32 vjeç), firmosa në emër të babait (midis 12-13 të tjerëve), i cili nuk mundi të vinte dot në Tiranë, për shkak të turbullirave të atij viti. Personalitetet e atëhershme të filatelisë zgjodhën njëzëri Shefik Osmanin për ta drejtuar këtë Federatë, në rolin e Presidentit, jo vetëm për njohuritë filatelike, por edhe për faktin e rëndësishëm që ai ishte Profesor e filatelia shqiptare do të përfaqësohej, më pas, në të tjera nivele.

Tani, duke pasur në dorë këtë libër me shkrimet e tij për filatelinë shqiptare, ia ndjeva vetes për detyrë redaktimin e materialit dhe pasurimin me anën figurative, në bashkëpunim me E. Gimjanin. Shefiku kishte shkruar shumë, për të gjitha nivelet e natyrisht këto materiale duhet të botoheshin, jo vetëm si një detyrim ndaj vendit e filatelisë, por kryesisht ndaj më të rinjve e pasardhësve, për të njohur jo vetëm rrugën e vështirë të filatelisë shqiptare, por edhe mundin e madh të filatelistëve të shquar për të dokumentuar ato, që kishin parë, dëgjuar e lexuar, përgjatë gjithë jetës së tyre.

Ai kishte folur në sesione shkencore me specialistë të filatelisë, të historisë e të postës. Por nuk kishte përtuar kurrë të sqaronte edhe masën e gjerë të lexuesve, si edhe të vegjëlit, jo vetëm për t’i mësuar, por veçanërisht për t’u ngjallur dëshirën e të marrurit me këtë pasion të veçantë, për të cilin duhet të kesh gjithmonë njohuri të shumta e kulturë të gjerë.

Me botimin e këtij libri, falë edhe këmbënguljes së pakursyer të Zonjës Urti Osmani, do ta kemi përsëri pranë Profesor Shefikun, sa herë do ta na duhet të dimë për filatelinë, veçanërisht për materialet filatelike të Shkodrës ,të cilat ai i njihte aq mirë e që kishte qejf t’ua tregonte të tjerëve, gjithmonë me pasion e përkushtim.

Tiranë, gusht 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress