Glauk Konjufca: Refuzim zyrtar i planit franko-gjerman nga Vuçiq është i lidhur me ngjarjet në veri
Tërë situatën e krijuar me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e sheh për veprim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si “refuzim zyrtar” të planit franko gjerman, tha ai në një konferencë për media këtë të hëne.
“Ajo çfarë ka ndodhur është refuzim zyrtar i Vuçiq-it për planin franko-gjerman”, deklaroi Konjufca, derisa shtoi se të gjitha veprimet e Listës Serbe ditëve të fundit janë asgjë më shumë se të dirigjuara nga Vuçiq.
“Por, pse e shfrytëzoi këtë Serbia? Sepse erdhi momentumi i saj që ta kundërshtojë planin franko-gjerman; sepse targat në të vërtetë nuk janë temë që të shkaktojnë përplasje të nivelit global”.
Kosova nuk dorëzohet, qe i prerë Konjufca, derisa shtoi se përpjekja e kahershme serbe është krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë .
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë artikuloi të njëjtën gjë kur tha se situata e krijuar mund të ketë lidhje me planin franko-gjerman. “Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër”, tha Kurti për Reporteri.net.
Se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, hiç më larg se dy ditë më parë e konfirmoi edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Daçiq ka thënë se plani franko-gjerman e merr për fakt të kryer pavarësinë e Kosovës dhe se marrëveshja ndërtohet mbi këtë premisë.
“Qëndrimi i Serbisë është i qartë, ai plan nis nga baza e papranueshme, nga fakti që çështja e zgjidhjes politike konsiderohet e përfunduar dhe se ne vetëm duhet ta pranojmë, me dëshirë apo pa, me zë a heshtur, pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Ivica Daçiq të premten e 4 nëntorit.
Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një numër rastesh ka thënë se është e papranueshme për Serbinë të lejojë anëtarësimin e papenguar të Kosovës në organizata ndërkombëtare e veçanërisht në OKB, ku shtetësia e Kosovës do të finalizohej në rrafshin ndërkombëtar.
Average Rating