Home » Lajme » “Hanxhiu” dhe vetëvrasja politike me paramendim e L(ut)DK-së

“Hanxhiu” dhe vetëvrasja politike me paramendim e L(ut)DK-së

Shkruan: Nehat Hyseni

Humbja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 tetorit 2019 nga LDK, me një diferencë minimale nën një përqind nga Vetëvendosja, realisht paraqet leksion historik për këtë, por dhe për të gjitha subjektet politike të Kosovës.Cili ishte mesazhi popullor i këtyre zgjedhjeve?Mesazhi kryesor i votuesve kosovarë konsistonte në zemërimin popullor, e sidomos të të rinjëve nga zhvatja e kapja e shtetit dhe hajnia “industriale” e bandave kriminale të “çlirimtarëve”, dmth të qeverisë PAN të Ramush Haradinajt.Gjatë fushatës parazgjedhore, PDK, AAK dhe Nisma, me partnerët e tyre të koalicionit bënin garë për meritat e luftës dhe të pronësisë mbi trashëgiminë mbi UÇK-në, që e konsideronin si kredi apo të drejtë për ta qeverisur e grabitur e zhvatur shtetin deri në pafundësi, duke e konsideruar atë si pronë të tyre legjitime.
Ata nuk silleshin si përfaqësues të popullit, nga i cili kishin marrë besimin për ta mirëqeverisur shtetin, por silleshin si bandë kriminelësh e plaçkitësish që e katandisën Republikën e Kosovës në ambis të pashpresë me vendimet e tyre të “guximëshme”.
Kryeministri Ramush Haradinaj “guxoi” deri në atë masë t’i fusë duart në keqpërdorimin e Buxhetit të Kosovës dhe në degradimin e institucioneve arsimore dhe të pushtetit, sa që për shkak të arrogancës së tepruar dhe papërgjegjësisë e krahasojnë me diktaturat dhe sistemet mafioze të sistemeve diktatoriale të disa shteteve të Amerikës Jugore (Latine).
Tragjikomedia ironike e momentumit aktual të politikbërjes kosovare ështe se ata nuk janë të vetëdijshëm se ishin e keqja e vendit dhe të urryerit e votuesve, sidomos e të rinjëve.Madje, këta të shkretë, tërë kohën u munduan që të na bindin se sa “patriotë” dhe të domosdoshëm për popullin dhe për shtetin ishin!Opozita e përbërë nga LDK dhe Vetëvendosja, kësaj here nuk e patën aq vështirë që ta përmbysin këtë regjim përbindëshish të “çlirimtarve”, meqë ata garuan ndaras, pa bërë koalicion parazgjedhor.Përparësia e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit ishte se ishin të pa provuar në pushtet, që realisht paraqiste vlerë të shtuar dhe përparësi relative ndaj të tjerëve, paçka se në ideologjinë ekstreme majtiste të tyre, votuesit shihnin ngjajshmëri të mëdha me ideologjinë e errët komuniste (Enveriste), që i frikësonte.Realisht, kjo ishte sfida që votuesin e bënte të ishte i rezervuar ndaj tyre, edhepse premtonin çrrënjosjen e krimit dhe kapjes së shtetit, etj.Kurse, në anën tjetër, LDK me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, pretendonte votuesin e zhgënjyer nga keqqeverisja dhe banditizmi i PAN-it, si dhe ata që i frikësoheshin majtizmit ekstrem të Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Kryesisht, pretendimet e LDK-së ishin që të rikthehet fryma rugoviane dhe entuziazmi i votuesve të kësaj partie më të vjetër në Kosovë nga koha e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Duke ia shtuar kësaj edhe entuziazmin dhe ngazëllimin e elektoratit të saj me emërimin e Vjosës si kandidate të parë në historinë e Republikës së Kosovës, sondazhet e qitnin LDK-në bindshëm në vendin e parë, madje me një diferencë të madhe.Natyrisht, duke u mbështetur në ekspertizën solide te ekipit zgjedhor reth saj, tubimi i hapjes së fushatës parazgjedhore i mbajtur më 25 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ishte madhështor.
Ky tubim ishte më i madhi, madje u vlerësua se për nga numri i pjesëmarrësve dhe masoviteti, jo vetëm që ia kalonte të gjitha partive të tjera, por edhe shumicës së tyre marrë së bashku.
Për shumëkënd, u krijua bindja e fuqishme se fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit do të jetë LDK.Por, si duket, gjatë fushatës, ndodhi diçka enigmatike me LDK-në, meqë në fushatë paraqitej gjithënjë e më dominues shefi i shtabit zgjedhor të saj, duke e sfiduar gjithënjë e më tepër dhe duke e gërryer besimin tek kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.Sipas bindjes time, vet emërimi i Lutfi Hazirit, i cili njihet në opinion si babai koalicionit aq të përfolur LDK-PDK në vitin 2014, realisht ishte fatal për fitoren e Vjosës, duke i shtuar dyshimet se nuk do të realizoheshin premtimet e saj për koalicion me PDK-në dhe për çuarjen e koalicionit qeverisës PAN, dmth “krahut të luftës” në opozitë, që ishte deklaruar si objektiv kryesor i fushatës. Dominimi i Lutfi Hazirit në fushatë dhe heshtja e ekipit të Vjosës, në anën tjetër, i cili përbëhej nga të rinjtë që ishin dhe mbetën bashkë me Vjosën, si shpresë për ndryshimet e shumëpritura dhe kundër Thaçit, Veselit e PDK-së lexohej si kryeneçësi e “pleqëve” në LDK dhe të Isa Mustafës personalisht, si kryetar.Entuziazmi për Vjosën zbehej me progression gjeometrik dhe të zhgënjyerit filluan të rrjeshtohen gjiënjë e më tepër kah Vetëvendosja dhe Albin Kurti, meqë dyshonin se vota për Vjosën do ishte votë për Isa Mustafën dhe Lutfi Hazirin dhe do të përfundonte tek koalicioni i padëshiruar me PDK-në, dmth do të ishte kundër ndryshimit radikal të gjendjes.
Kulminacioni i papërgjegjësisë apo i arrogancës ishte caktimi i tubimit përmbyllës të fushatës parazgjedhore në Gjilan!Realisht, nga ithëtarët dhe simpatizantët apo votuesit potencial të LDK-së, ky akt i papërgjegjshëm ishte vrasje politike, kundër vullnetit të “hanxhiut”, dmth votuesit tradicional të LDK-së.
Kjo votë e zhgënjyer e LDK-së kaloi tek Vetëvendosja, duke e rritur atë sidomos në Gjilan dhe në Anamoravë, por më së tepërmi në Prishtinë.Si duket, ky ishte një mesazh i fuqishëm për LDK-në, se me Vjosa Osmanin dhe ekipin e ekspertëve relativisht të rinjë reth saj, janë shpresa dhe fuqia, dmth e tanishmja dhe e ardhmja e LDK-së.Gjithashtu, Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut, që para 3 gushtit 2019, konsideroheshin si kandidatë për postin e kryeministrit, iu dha leksion i qartë që mos t’u mbetet zhig, sepse, siç u pa puna, cilido prej tyre, e sidomos Lutfi Hazirit, poqese do të kandidoheshin për postin e kryeministrit, se definitivisht do të dështonin.Prandaj, kam bindjen e plotë se mund të konkludojmë se në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 6 tetorit, Sovrani apo “hanxhiu” foli shumë qartë, si asnjëherë më parë se është për ndryshime radikale të qeverisjes së vendit.
Fatkeqësisht për LDK-në e fatmirësisht për Vetëvendosjen, këtë e kuptoi më mirë Albin Kurti dhe ekipi i tij dhe, edhepse me diferencë minimale, megjithatë ia doli dhe i fitoi këto zgjedhje.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch