Home » Lajme, Ndërkombëtare » Haradinaj kërkon fakte origjinale për kufirin me Malin e Zi

Haradinaj kërkon fakte origjinale për kufirin me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj takoi anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Ai kërkoi nga ta që të jenë profesional.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim informues anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me të cilët bashkëbisedoi për angazhimin dhe aktivitetin e deritanishëm të Komisionit. Ai kërkoi nga ata që të jenë profesional në mbledhjen e fakteve.

Siç thuhet në një komunikatë për media, anëtarët e këtij Komisioni, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, e njoftuan kryeministrin për punën e tyre të deritashme në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga burimet e ndryshme, nga tereni si dhe nga takimet e punës të zhvilluara gjatë javës së kaluar në Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, me qëllim të sigurimit dhe verifikimit të të dhënave faktografike,  konsultimeve dhe  shkëmbimeve të përvojave me zyrtarët relevantë të këtyre shteteve.

“Raporti përfundimtar duhet të përmbajë një nivel të lartë profesional si dhe të bazohet në fakte origjinale, të vlefshme dhe të verifikuara”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndryshe, dy ditë më parë, kryetari i këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqi tha se ka siguruar fakte se me versionin e kaluar të shënjimit të kufirit, Kosova ka humbur një sasi të konsiderueshme të territorit. Ai nuk e saktësoi sa është kjo, për tha se është e vërtetë se Kosova ka humbur tokë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch