Home » Opinione » “Helmi me mjaltë” i misionarëve të Vuçiqit në Preshevë

“Helmi me mjaltë” i misionarëve të Vuçiqit në Preshevë

Shkruan: Nehat Hyseni
Misionarët e Vuçiqit në Luginë, e sidomos në komunën e Preshevës, janë vënë në aksion me një agresivitet dhe presion e arrogancë të paparë deri më tani në skenën dramatike të politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Serbi.
Lufta e vitit 1999, si dhe ajo e vitit 2000-2001, e dëmtuan shumë rënd qenien shqiptare në Serbi, ku mezi marrin frymë kombëtarisht shqiptarët në tri komunat në jug, dmth në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ose në Kosovën Lindore apo në Luginë të Preshevës.
Pasojat e këtyre luftërave dhe të kësaj katrahure, ishin pothuajse vdekjeprurëse për shqiptarët në komunën e Medvegjës, ku kanë mbetur vetëm reth 10% e shqiptarve, dmth janë shpërngulur reth 90% e tyre, si dhe në malësinë e Bujanocit dhe në Karadakun e Preshevës, ku kanë mbetur shkret fshatra të tërë të shqiptarve.
Askush në Serbi e as në Kosovë, por as UNHCR, që me shumë përkushtim e vullnet të madh bënë regjistrimin e refugjatëve serbë nga Kosova në Serbi, duke e stërmadhuar dhe shumëfishuar madje numrin e tyre, për qëllime politike pansllaviste serbo-ruse në pretendimet e tyre të pangopura hegjemoniste, për gllabërimin e tokave shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Kurse, mbi tridhjetë mijë shaiptarët e shpërngulur nga Lugina e Preshevës në Kosovë dhe në vendet e ndryshme europiane e gjithandej nëpër botë, askush nuk ka bërë kurrëfarë regjistrimi, as nga autoritetet shtetërore e politike të Luginës dhe Serbisë, por as nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga UNHCR-i, UNMIK-u, apo ndokush tjetër nga autoritetet ndërkombëtare.
Prandaj, sot askush nuk çanë kokën për këta 30.000 refugjatët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe çështja e shpërnguljes së tyre nuk është regjistruar askund.
Madje as që është evidencuar si problem shoqëror, politik e humanitar.
Prandaj, këta 30 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës, që jetojnë aktualisht në Kosovë, atje trajtohen si “qytetarë të padukshëm”, dmth shumica prej tyre nuk kanë mundur që të pajisen me dokumenta të Republikës së Kosovës, për shkak të procedurave të komplikuara administrative dhe për neglizhencë dhe mungesë të vullnetit politik të politikbërjes dhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk u përfshi në Dialogun Kosovë-Serbi të Brukselit.
Kështu, në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi dhe
Ivica Daçiqi, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, si dhe në Marrëveshjen e 15 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të BE-së, zonjës Frederica Mogherini, çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk është përfshirë fare!
Madje nuk është përmendur askund, as në margjinat e këtyre marrëveshjeve dhe as të këtij dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.
Plani sekret i Qeverisë së Serbisë (i vitit 2002)
 
Edhepse Lugina e Preshevës u boshatisë shumë nga luftërat e përmendura, duke rrezikuar edhe spastrimin e plotë etnik të shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe në qytetet tjera të Serbisë, e sidomos të Beogradit, ku më parë jetonin reth 50 mijë shqiptarë, pastaj edhe në Vojvodinë, etj., megjithatë Qeveria e Serbisë, si fuket, nuk ishte e kënaqur. Sidomos, në qarqet ekstremiste serbe ekzistonte një frustrim i madh dhe nervozë e mllef i papërmbajtur për shkak të dështimit të planit të vojvodës çetnik, Vojisllav Sheshel, për dëbimin e mbi një milion shqiptarve “matanë Bjeshkëve të nemura” (preko Prokletija). Sepse, shqiptarët e dëbuar, shumica prej tyre u kthyen me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë.
Pastaj, i tërë mllefi i politikës shoviniste të Serbisë u fokusua mbi shqiptarët në Serbi, e sidomos në Luginë të Preshevës.
Me qëllim të spastrimit etnik të Luginës së Preshevës nga shqiptarët, Qeveria e Serbisë miratoi një Plan sekret për këtë qëllim.
Meqë përmbajtja e këtij Plani nuk u bë kurrë publike, për shkak të monitorimit ndërkombëtar të Luginës së Preshevës nga OSBE, si dhe nga organizatat e OJQ-të e ndryshme të SHBA-së (USAID, CHF, SCOPES, etj.); OKB-së (UNDP, etj. si dhe të Unionit Europian, Serbisë i ishte ngushtuar hapësira e reagimit brutal e të shfrenuar për shfarosjen e shqiptarve.
Prandaj, Qeveria e Serbisë u detyrua që të përdorë metoda më të sofistikuara dhe më perfide për realizimin e qëllimeve dhe polikës së saj antishqiptare, duke ia përshtatur rethanave të kohës.
Orientimi i Serbisë, pas vitit 2002 ishte që të veproj brenda faktorit të politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Diverzioni antishqiptar i Ragmi Mustafës
Fillimisht, Qeveria e Serbisë e ndërseu PDSH-në dhe Ragmi Mustafën për shkarkimin e Kryetarit të Komunës së Preshevës, Riza Halimit, në dhjetor të vitit 2005, i cili ishte edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, si dhe lider i politikbërjes së shqiptarve në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Bashkëpunimi sekret midis PDSH-së së Ragmi Mustafës me SPS-in e Daçiqit, si pasues i Millosheviqit, realizohej me politikën “patriotike” të Ragmi Mustafës “për bashkim me Kosovën”, që ishte një mashtrim demagogjik joshës për shqiptarët, por realisht ishte justifikim i politikës serbe “për ndarjen e Kosovës”, që Daçiqi si kryeministër i Serbisë, e shtroi zyrtarisht këtë kërkesë.
Madje edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, asokohe doli me propozimin e ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Në këtë mënyrë u dekonspirua “patriotizmi” i Ragmi Mustafës dhe veprimet e tia të dyshimta lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së.
Kurora e dekonspirimit të kolaboracionizmit sekret antishqiptar të Ragmi Mustafës me Qeverinë e Serbisë, që realisht ishte vetëm “maja e ajsbergut” në lojrat e tia të pista politike, është dhënia e Mirënjohjes (Zahvalnicës) kryeministrit Vuçiq, vetëm një javë pas gjuajtjes së tij me gurë nga familjarët e viktimave në Srebrenicë, me rastin e shënimit të njëzetvjetorit të kësaj masakre ndaj 8.500 myslimanëve të masakruar nga serbët.
Ky gjest i turpshëm i Ragmi Mustafës, të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës i turpëroi para myslimanëve dhe familjarëve të viktimave nga regjimi fashist e gjenocidal i Serbisë, si dhe një tentativë e çoroditur jonjerëzore e anticivilizuese e mjeranit politik shqipfolës, Ragmi Mustafës, për amnistimin e Vuçiqit dhe Serbisë para botës demokratike e civilizuese.
Njëkohësisht, me atë akt makabër antishqiptar, Ragmi Musrafa, ashtu si pasuesi i tij Shqiprim Arifi dhe partia e tij APN, e shfajësoi Serbinë para botës për politikën e saj gjenocidale e anticivilizuese ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Abuzimet kriminale të Shqiprim Arifit

Aktualisht, Organi i Përkohshëm ose Masat e Dhunëshme të Serbisë, që u caktuan kryetar me dekretin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit, Shqiprim Arifin, si argat apo agjent sekret apo “njeri të besueshëm” të saj.
Relacioni Preshevë -Surdulicë -Beograd dhe Preshevë -Vranjë, për të marrë “instrukcione”, është bërë rutinë e përditëshme e Shqiprim Arifit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këto punë të pista antishqiptare, për realizimit të misionit serb, aty ku mbeti Ragmi Mustafa me bandën e tij kriminale.
Formula e veprimit antishqiptar të Arifit e Mustafës dhe partive të tyre ishte dhe mbeti: servilizmi me shërbime e punë të pista antishqiptare ndaj Serbisë, për përfitime abuzive e të papenguara nga ligjet organet e ndjekjese dhe të hetuesisë shtetërore të Serbisë.
Gjithashtu, Shqiprim Arifi e ka vënë në dispozicion të plotë antiligjor e korruptiv buxhetin komunal, duke abuzuar atë për korruptimin e votës së qytetarëve të komunës së Preshevës për zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017.
Buxheti komunal prej shtatë milionë eurosh është bërë realisht si pronë personale e private e Shqiprim Arifit dhe banditëve të tij kriminelë, me mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë.
Ai i ka keqpërdorur dhe ka abuzuar ne mjetet nga buxheti komunal, të parapara për furnizim me barna, material mjekësor dhe për investime në avancimin e shërbimeve shëndetsore në Shtëpinë e Shëndetit dhe në repartin e Maternitetit, duke pranuar 20 punëtorë mjekësorë, kryesisht militantë të APN-së, pikërisht para zgjedhjeve të 24 dhjetorit. Sapo të përfundojnë këto zgjedhje, të gjithëve do t’u ndërpritet marëdhënia e punës, meqë mezi do arrij që t’ua paguaj nga tri rroga, dmth vetëm për tre muaj.
Kurse, votat e blera në këtë mënyrë nga Shqiprim Arifi janë për katër vjet pushtet.
Pra, me një “bëmirësi” abuzive, “njeriu i mirë “ i Serbisë, me punësim korruptiv afatshkurtër tremujor, mjekësisë preshevare i ja shkaktuar pasoja shkatërruese afatgjata, duke na servirur një helmim të shëndetësisë me “mjaltin” abuziv dhe afatshkurtër.
Qytetarët e Preshevës janë të indinjuar skajshmërisht nga këto veprime abuzive ndaj shkatërrimit të institucioneve vitale të komunës së Preshevës, nga këta kolaboracionistë antishqiptar të Serbisë, që me Planin Aksional Lokal 2017-2021, synojnë që t’ i vejnë “kapak” çështjes së shqiptarve të Preshevës, duke e kolonizuar me serbë dhe refugjatë të tjerë nga Lindja e Afërt dhe ajo e Mesme.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch