Në tryezën “Loja me kufij: luftë apo zgjidhje në Ballkan”, u tha se ideja për shkëmbim të territoreve është tragjike për qytetarët e Kosovës.
Sipas Kurtit, deklaratat e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe se marrëveshja do të jetë e dhimbshme, kanë tendencë që të na kthejnë në vitin 2007, kur nuk e kishim statusin e definuar.
“Ky person pas gjashtë vjetësh negociata të pasuksesshme pretendon se e ka shkopin magjik për të na zgjidhur problemin me Serbinë. Unë besoj që bëhet fjalë për dy autokratë. Ka mbetur që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit dhe jemi tamam sikur dikur para katër apo pesë shekujsh”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se kjo parti nuk është kundër dialogut, por kërkojnë që zgjidhja të bëhet në mënyrë të mençur.
Mirëpo, tha se ideja për shkëmbimin e territoreve nuk sjell as njohje, as anëtarësim në OKB.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj i ka ftuar partitë opozitare të bashkohen për interesa shtetërore dhe unitet, e pastaj tha se do të pajtohen për ekipin negociator, platformën negociuese, vijat e kuqe, zbatimin e shumëçka tjetër.