Jorn Rohde: Së shpejti do të kemi vendime që zhbllokojnë situatën
Gjermania së shpejti do të marrë vendime të cilat do të zhbllokojnë situatën në raport me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pas një takimi që pati me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Anëtarët e komisionit kërkuan nga Rohde largimin e masave që Bashkimi Evropian i pati vendosur Kosovës.
“Fillimisht u ftova nga Komisioni i Punëve të Jashtme. Kjo nuk është hera e parë dhe ne kemi diskutuar shumë miqësisht dhe për gjëra të mira për çështjet aktuale, të Këshillit të Evropës, heqjen e masave, dhe ju e dini, unë nënvizova pozicionin e Gjermanisë si partner shumë i ngushtë i Kosovës në Evropë. Shumë shpejt do të kemi vendime që zhbllokojnë situatën”, ka thënë Rohde.
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, tha se si komision mendojnë se Kosova po vazhdon të mbahet nën masa padrejtësisht, në veçanti pas zbatimit në plotni të marrëveshjes së Bratislavës e cila sipas saj ka qenë kriteri i fundit të cilin Kosova është dashur ta plotësoj në mënyrë që të largohen masat.
“Ne e dimë që kur janë vendosur masat ndaj Kosovës para një viti, nuk ka pasur nevojë që në atë vendim të marrin pjesë me votë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që tani kur po flasim për heqjen e tyre kemi shtete të cilat janë për heqje të plotë të menjëhershme, kemi shtete të cilat mendojnë së këto masa duhet të hiqen në mënyrë graduale dhe sigurisht ka shtete që nuk pranojnë që këto masa të hiqen fare, prandaj po besoj që është e padrejtë edhe fakti që një vendim i tillë para një viti s’ka pasur nevojë të votohet fare, ndërkohë që tash kur po flasim një vit më pas dhe kur po kërkojmë që këto masa të hiqen po na thuhet që ka nevojë që të ketë votë të plotë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë një vendim të tillë”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Ajo tha se po pritet që shtetet aleate siç është Gjermania do ta bëjnë punën dhe përpjekjen e tyre që t’i bindin edhe shtetet tjera që vendimi për heqjen e masave ndaj Kosovës të merret sa më parë që të jetë e mundur.
Average Rating