Josep Borrell: Takimi i Ohrit, mundësi që nuk duhet humbur
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka bërë publike disa detaje për takimin që pritet të mbahet nesër në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevan Pendarovski, Borell ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe ka kërkuar që ky moment të mos humbasë.
Ai duke falënderuar presidentin e Maqedonisë së Veriut për mikpritjen e takimit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka shprehur shpresën se pejsazhi i bukur i Ohrit do t’ua ofrojë atmosferën e nevojshme për të arritur pajtimin.
Ai gjithashtu ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia tashmë kanë dhënë komentet e tyre për aneksin e implementimit të Propozimit evropian, të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel.
“Kur janë takuar në Bruksel para tre javësh, Kurti dhe Vuçiq u dakorduan se propozimi i BE-së do të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Ata janë pajtuar të takohen së shpejti për të finalizuar tash aneksin e zbatimit. Mendoj se është e rëndësishme të rikujtoj se ku jemi dhe ku duam të jemi”, ka thënë Borell.
Ai ka folur për vlerën e marrëveshjes, duke shtuar se është mjaft e mirë, por shtegu për zbatimin e saj është edhe më i mirë.
“Takimi që do të mbahet nesër do të përcaktojë hapat konkret që duhet të ndërmerren në një periudhë kohore konkrete, çfarë duhet të bëhet dhe si. Kemi një histori të gjatë të marrëveshjeve që nuk janë zbatuar kurrë. Pra, vlera e shtuar e kësaj marrëveshje duhet të jetë që ajo të jetë e zbatueshme. Pra, duhet të pajtohemi se kur dhe si t’i implementojmë këto dispozita të marrëveshjes. Javët e fundit ka pasur një diplomaci fluturuese, ku emisari ynë Lajçak ka udhëtuar shumë shpesh në Beograd dhe Prishtinë. Të dyja palët kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, dhe nesër do t’i diskutojmë dhe do të prodhojmë një version të konsoliduar të aneksit në bazë të këtyre komenteve dhe diskutimeve”, tha Borell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka shprehur shpresën se Kosova dhe Serbia do të pajtohen mbi rezultatin përfundimtar të këtyre diskutimeve, ndërsa aneksi i zbatimit do të jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes.
“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do t’i vendosim marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë në një shteg afatgjatë dhe të qëndrueshëm përtej krizave që i kemi përjetuar në muajt e mëparshëm. Kjo do të ketë një ndikim të qartë pozitiv tek shtegu evropian i Kosovës dhe Serbisë. Po nisem për Ohër me shpresën unike që Kosova dhe Serbia të ecin përpara, të bëjnë përparim dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet sepse askush nuk mund të përfitojë më shumë se sa populli i Kosovës dhe populli i Serbisë. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Të hënën do t’i informojë ministrat e jashtëm të BE-së, derisa liderët e BE-së do të njoftohen të enjten dhe të premten. Sot sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë drejtuar kah Ohri. Të shpresojmë të jemi të suksesshëm”, është shprehur Borrell.
Average Rating