
Kaja Kallas për RTK: Të tejkalohen pengesat politike, 90% e duan Kosovën në BE
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së. Kaja Kallas, duke folur për shtensionimin e veriut të vendit, iu referua marrëveshjes së Ohrit, ku tha se në atë dokument është një klauzolë ku bëhet fjalë për idenë e integrimit të institucioneve serbe në Kosovë. Ajo tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE.
“Pra, obligimet janë aty, sipas marrëveshjes së Ohrit, dhe ato duhet të përmbushen”, tha ajo.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike kanë deklaruar se Bashkimi Evropian është e ardhmja e Kosovës.
“Mendoj se mbi 90% e njerëzve këtu e kanë mbështetur Bashkimin Evropian. Pra, merreni këtë si qëllim dhe, e kuptoj që politikisht është e vështirë, sepse njerëzit kanë edhe pyetje dhe ndoshta ndonjëherë është politikisht tunduese që të luash me ndjenjat e njerëzve, por në të njëjtën kohë kur e dini se qëllimi juaj është që hyni në Bashkimin Evropian dhe se duhet t’i kapërcejmë këto pengesa, atëherë le ta ndajmë këtë përgjegjësi në të gjithë spektrin politik, që do të thotë ato parti që janë në qeveri, që do të jenë në qeveri, por edhe ato që janë në opozitë”, tha Kallas.
Kryediplomatja Kallas, duke folur për të ardhmen e Kosovës në BE, përmendi Estoninë, si një vend me të njëjtën situatë të paraanëtarësimit në BE.
“Do t’jua jap një shembull. Estonia ishte në të njëjtën situatë në fakt. Dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian na janë kërkuar disa reforma vërtetë të vështira. Por kërkohet edhe mendësinë e të gjithë popullit se duhet ta bëjmë këtë, sepse është më mirë për vendin tonë, për popullin tonë, pavarësisht se a je në opozitë apo në koalicion. Dhe i dolëm”, tha Kallas.
Kallas: Përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë
Në një intervistë ekskluzive për Radiotelevizionin e Kosovës, kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas tha se është duke u angazhuar në procesin e normalizimit në mes të Kosovë-Serbi, sepse kjo është e dobishme për të dyja vendet.
Sa i përket lidhjes së afërt që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka me Moskën dhe Putinin, Kallas tha se këtë ia ka thënë edhe atij në Beograd. Veç kësaj, ajo i ka kërkuar që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë.
“Nëse mund të dëshmojmë se po lëvizim në drejtimin e duhur dhe po bëjmë hapa drejt normalizimit, për ta lënë pas të kaluarën dhe për t’u përqendruar në të ardhmen e përbashkët, mendoj se kjo është e dobishme si për popullin e Kosovës, ashtu edhe për atë të Serbisë”, tha Kallas.
Kryediplomatja e BE-së foli edhe për hapat konkretë do t’i ndërmarrë për ta rikthyer besimin në BE-në si partner i drejtë dhe ndoshta për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës.
“Pra, pikëpamja ime është: Po i dëgjoj të dyja palët. Të dyja kanë disa argumente dhe kritika të vlefshme, por mendoj se duhet ta lëmë pas të kaluarën. Pra, siç e kam premtuar ose siç kam propozuar, sapo Kosova të ketë një qeveri të bashkuar, ne duhet të ulemi në një nivel vërtet të lartë dhe t’i shqyrtojmë shqetësimet, sepse vërtet po përpiqemi ta kapërcejmë këtë pengesë. Është në interes të popullit të Kosovës. Do të ishte shumë më e lehtë t’u ndihmojmë vërtet njerëzve këtu në të gjitha aspektet nëse do ta kishim një normalizim të këtij procesi”, tha ajo.
Ndërkaq lidhur me takimin me presidentin serb Vuçiq, tha se ia ka bërë të qartë qëndrimet e saj, teksa vuri në dukje se ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskës të dalin para drejtësisë.
“Kështu që ia bëra shumë të qarta qëndrimet e mia, dhe i kamë bërë ato të ditura edhe publikisht. Tani, sa i përket përgjegjësisë, e ngrita edhe këtë çështje dhe u premtua se njerëzit që janë përgjegjës për ato sulme do të mbahen përgjegjës”, tha Kallas.
Kallas: Sorensen do të shikojë se çfarë po funksionon e çfarë jo
E për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për ngërçin e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e ASK-së, Kallas tha se tani është emëruar një përfaqësues i ri i BE-së, Peter Sorensen, i cili ka shikuar se cilat janë gjërat që po funksionojnë dhe cilat janë gjërat që nuk po funksionojnë në këtë proces.
“Por, tani për tani, ajo që është e rëndësishme është që ne ta kemi edhe një bashkëbisedues nga ana e Kosovës. Dhe me këtë dua të them se ju patët zgjedhje, por parlamenti duhet të bashkohet dhe ta formojë një qeveri funksionale. Në mënyrë që të mund t’i ndërmarrim këto hapa përpara. Ka shqetësime nga ana juaj dhe argumente nga ana e Serbisë, por ne duhet të ecim përpara me hapa të vegjël, por për këtë na duhet edhe dikush me të cilin mund të bashkëpunojmë vërtetë, dua të them, institucione, institucione funksionale”, tha Kallas.
Average Rating