
Kandidatura e Znj. Ina Rama për Presidente, do të ishte mëse meritore

Nga Skënder Sadri KAPITI
Ka ditë që po zien politika por edhe publiku e mediat për te gjetur një kandidaturë për President apo Presidente të Shqipërisë.
Këtë zhurmë e “lodhje” për të gjetur një kandidaturë të merituar po e bën politika, e cila nuk heq dorë nga një kandidaturë politike,pavarësisht se ajo deklarohen për një kandidaturë konsensuale, të aftë, të pastër, jopolitike dhe kombëtare.
U vetëshpallën disa kandidatura dhe u hodhën disa të tjera propozime sipas preferencave subjektive, personale e partizane. Nisur nga kjo gjëndje mendoj dhe propozoj që kandidatura më e mirë, më meritore moralisht , më e dinjitetshme, më e përgjegjshme para publikut, kombit, ligjit, moralit, profesionalizmit është Zonja Ina Rama, dhe me këtë besoj se është edhe opinioni i gjërë publik. Besoj se me këtë janë dakord edhe vetë politika në tërësi.
Do të kishte qenë mirë që kandidaturën e Znj. Ina Rama ta kishte propozuar opozita zyrtare.
Presidenti i Republikës si kryetar shteti duhet të jetë mbi partitë ,pra jo të jetë politikan që ta dorëzojë mandatin e deputetit dhe dokumentin e antarit të partisë formalish, dhe realisht t’i shërbejë partisë që e zgjedh.
Zonja Ina Rama i ka të gjitha cilësitë e denja për Presidente, pasi i ka treguar ato gjatë kohës kur ajo ka qenë Kryeprokurore e Republikës së Shqipërisë si shëmbull përkushtimi e serioziteti në kryerjen e detyrës, e aftë profesionalish, e pastër dhe pa asnjë akuzë korruptive, pra as e korruptuar dhe as e inkriminuar, pikërisht ashtu sikurse janë dhe e kerkojne edhe kriteret e Veting-ut.
02.06.2022