Home » Opinione » KOALICIONI PASZGJEDHOR, SI “DRITË NË FUND TË TUNELIT”?

KOALICIONI PASZGJEDHOR, SI “DRITË NË FUND TË TUNELIT”?

Nehat Hyseni1Shkruan: Nehat Hyseni

Koalicioni paszgjedhor LDK, AAK, Nisma dhe mbështetja e tyre nga Lëvizja VV, që u krijua dy ditë pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ka për qëllim agjendën  e përbashkët të tyre për realizimin e ndryshimit të qeverisjes aktuale. Këtë e kishin premtuar gjatë fushatës paragjedhore secili prej tyre veç e veç.

Por, meqë rezultati i zgjedhjeve doli i disfaforshëm për LDK-në, e cila pretendonte se do të dilte fituese e këtyre zgjedhjeve, madje e vetme dhe pa bërë koalicion me asnjë parti apo subjekt politik.

Llogaritjet e LDK-së, se PDK ishte dobësuar me ndarjen e fraksionit partiak të Nismës me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, si dhe me aferat dhe kritikat e shumta që e karakterizonin performansën problematike të Qeverisë Thaçi, dolën të gabuara.

Sepse, fushata e PDK-së, e mbështetur edhe me përdorimin e aseteve qeveritare, që e kishte filluar tre muaj para zgjedhjeve, si dhe koalicioni i saj me një grumbull partishë të vogla, të cilat nuk kishin shpresë për ta kaluar peagun zgjedhor prej 5% si të vetme, ia siguruan edhe kësaj here PDK-së vendin e parë me 37 deputetë të fituar. Kurse, LDK kishte 30 deputet dhe u radhitë si parti e dytë.
Prandaj, LDK-së nuk i takonte e drejta e mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Natyrisht se edhe AAK, Nisma e VV nuk ishin në gjendje që të bënin diçka si të vetmuara. Prandaj, ato u bashkuan dhe formuan koalicionin për nevoja krejtësisht pragmatike, e kurrêsesi jo, siç thotë Thaçi se ky ishte “koalicion i inatit”.
Sepse, vetëm si të bashkuara këto parti, siç thamë, mund ta ndryshonin keqqeverisjen, me plotë afera e skandale korruptive e mafioze të Qeverisë Thaçi.

Prandaj edhe ky veprim u pritë me përkrahje dhe mbështetje nga populli i Kosovês, duke ia shtuar shpresat se më në fund do të ndodhë ndryshimi i shumëpritur i kësaj gjendje të padurueshme dhe të papranueshme.
Pikërisht, ky koalicion u përjetua në opinion si “dritë në fund të tunelit”, si dritë shpresëdhënëse se më në fund do të përfundoj keqqeverisja dhe se gjërat do ta marrin të mbarën.
Natyrisht se shqetësimet akoma nuk kanë përfunduar, meqë ka mbetur mjaftë kohë për presione nga më të ndryshmit dhe për tentime për blerjen e deputetëve. Madje, në medie përmenden shifra marramendëse që u ofrohen deputetëve për ta shitur votën e tyre.
Presidentja Jahjaga ka caktuar mbledhjen konstituive të Kuvendit të ri, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, në të cilën do të verifikohen mandatet, do të formohen grupet parlamentare dhe eventualisht do të zgjidhet kryetari i Kuvendit.
Formimi i grupeve parlamentare do ta qartësoj edhe termin “fitues i zgjedhjeve”. Pra, se a do të jetë koalicioni i PDK-së me 37 deputetë, apo ai i koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe VV, që kanë shumë më tepër deputetë dhe automatikisht këtij koalicioni, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i takon e drejta e mandatarit për formimin e qeverisë së re, pa pasur nevojë që koalicionit të PDK-së t’i jipen 15 ditë afat për formimin e qeverisë.
Kjo, juridikisht do të ishte e padrejtë, kurse praktikisht është e panevojëshme dhe humbje kohe.Sepse, nuk ka mundësi ta krijoj mazhorancën qeverisëse.
Tek e fundit, z. Thaçi dhe përkrahësit e tij do të duhej ta pranonin krejtësisht si normale situatën e këtillë, meqë edhe PDK dhe partitë tjera, tetë muaj më parë vepruan ngjajshëm në zgjedhjet lokale 2013, kur në balotazh, me një “koalicion të heshtur” i bashkuan të gjitha partitë votat kundër LDK-së dhe Isa Mustafës, për mandatin e tretë si kryetar i komunës së Prishtinës dhe e bënë Shpend Ahmetin kryetar.
Votat e PDK-së ishin shumë të rëndësishme aty, si dhe roli i z. Thaçi në këtë veprim. Prandaj, z.Thaçi nuk ka të drejtë morale që ta kritikoj koalicionin e tanishëm të partive politike kundër PDK-së. Pikërisht, sepse ai vet, të njejtën gjë ia bëri Isa Mustafës dhe LDK-së.
Por, megjithatë në këto veprime që i përmenda reth mobilizimit të partive politike kundër mandatit të tretë të Isa Mustafës dhe LDK-së në komunën e Prishtinës, si dhe tani kundër mandatit të tretë të PDK-së dhe Hashim Thaçit për Qeverinë e Kosovës, e  shohim si dukuri pozitive reth pengimit të marrjes së mandatit të tretë të qeverisjes, meqë po krijohet një arrogancë e padurueshme dhe e papranueshme e pushtetit dhe (keq)qeverisjes.
Ndoshta është koha e duhur që tani të mendojmë që t’i fusim në Kushtetutën e Republikës së Kosovës praktikat e mira të demokracive të zhvilluara, si psh atë të SHBA-së për ndalimin me Kushtetutë të mandatit të tretë për funksionet dhe postet kryesore të pushtetit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress