Home » Lajme, Vendore » Koshat e mbeturinave…

Koshat e mbeturinave…

MbeturinatNë të njëjtat kosha, ku grumbullohen mbeturinat, shkojnë për tu shërbyer qeniet njerëzore dhe shtazore.

Te koshat e hedhurinave nuk shkojnë vetëm ata që kanë nevojë për ta hedhur bërllokun, por edhe ata që nga skamje dhe mjerimi social, ofrohen për të gjetur diçka për mbijetesë.

Nuk janë vetëm romët, kategoria më e rrezikuar e shoqërisë sonë, që kërkojnë shpëtim te koshat e mbeturinave, por ka edhe të tjerë nevojtarë të përkatësive të ndryshme etnike, pa përjashtuar as shqiptarët.

Shpëtimin te koshat e mbeturinave po e gjejnë edhe gjallesat e tjera jonjerëzore: qentë, macet dhe minjtë.

Lufta e konkurrencës për mbijetesë, të atyre që sillen rreth koshave të mbeturinave, shpesh përfundon me rrezikim të jetës.

Kështu ndodhi edhe me Dritonin e vogël 6 vjeçar, i cili e gjeti vdekjen tragjike nga kafshimi i qenve endacakë, te koshat e mbeturinave, në Fushë Kosovë.

Familjes së Dritonit e prekur nga dhembja e madhe për humbjen e birit të tyre, në prag te festive të motmotit, nuk mund ta zbusin vizitat e ngushëllimtarëve, qoftë edhe të atyre të nivelit të tyre qeveritarë.

Po, familja e Dritonit të ndjerë, duhet të bëhen të fortë, se tragjedia e djalit të tyre, është një derë e dhembshme, nëpër të cilën po hyjmë e dalim çdo ditë. Ndërsa vaji i Dritonit dhe të lehurat e qenve, janë simfonia më e dhembshme e këtij fundviti.

 

E shoqëria jonë duhet të merret më seriozisht me këto probleme ekzistenciale, të cilat po na ndjekin hap pas hapi.

Nuk janë vetëm qentë endacakë, ata të cilët po na sjellin shqetësime, por kemi edhe te tjera probleme të natyrës sociale e politike.

Komuna e Fushë Kosovës dhe ajo e Bujanocit, janë ndër komunat më të prekura nga këto probleme, të cilat nuk kanë program për: Trajtimin e mbeturinave dhe menaxhimin e tyre, pastaj trajtimin e qenve endacakë dhe sigurimin e azilit për strehimin e tyre, zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit, hartimin e programeve sociale për familjet e prekura nga varfëria dhe menaxhimin e lypsarëve, që mbushin rrugët e sheshet pa i përjashtuar edhe koshat e mbeturinave.

Shoqëria jonë nëse nuk merret më seriozisht me këto probleme, së shpejti do t’i kemi “ligjet e xhunglës mbi asfalt”. Do të mbijetoj, ai, i cili është më i forti, mjerë të dobëtit, të cilët nuk i mbron as ligji, as shteti!

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress