Home » Lajme, Opinione » Kosnet e Abot a do ta zbatonit në vendin tuaj një marrëveshje që Gjykata Klushtetuese e ka shpallur kundërkushtetuese!?

Kosnet e Abot a do ta zbatonit në vendin tuaj një marrëveshje që Gjykata Klushtetuese e ka shpallur kundërkushtetuese!?

Nga XHAVIT ÇITAKU

Me la përshtypje një deklaratë e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnet, i cili ndër të tjera tha se qeveria në Kosovë nuk ka filluar me Albin Kurtin. Këtë të vërtetë nuk e luan topi. Qeveria as nuk ka filluar, por as nuk do të mbaroj me Kurtin. Po ashtu, është e vërtetë se të gjitha punët e mira e jo të mira të qeverive të mëparshme duhet t’i vazhdoi qeveria e re. Në disa syresh që në fillim po ka vështirësi për t’i dalë ball e posaçërisht kur bëhe fjalë rreth dialogut Kosovë- Serbi. Në veçanti presion të madh po ka për të zbatuar Marrëveshjen e Asosacionit për komunitetin serb, marrëveshje kjo që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë verdiktin e saj se në 23 pika që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Vallës së presionit iu bashkuan edhe ambasadori amerikan, Kosnet,dhe ai britanik, Abot, të cilët thanë se kjo marrëveshje duhet zbatuar si një obligim ndërkombëtar, e cila edhe është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Që të dy këta diplomat fort mirë e dinë për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese rreth kësaj marrëveshjeje dhe çuditërisht sërish bëjnë presion për të formuar atë Asosacion, i cili në fakt e copëton Kosovën shumë më keq se sa Bosnje dhe Hercegovinën. Përse po insistohet që popullaten e një vendi sovran ta ndajnë në baza nacionale askush nuk po e marrë vesh, mirëpo një gjë dihet se formimi i atij Asosacioni me atë përmbajtje çfarë ishte ratifikur në parlamentin e Kosovës, po të realizohej në praktik, do të humb në tërëi kuptimin e shtetësisë vendi ynë, sepse ndikimi i pushtetit qendror në ato komuna serbe as që do të ishte i mundur dhe as që do të kishte fare efekt për t’u zbatuar nga organet- trupat e Asosacionit. Thënë konkretisht, përmbajtja e Marrëveshjes cenon rëndë integritetin territorial të vendit dhe de fakto pjesa veriore e Kosovës do të ndahej përgjithmonë. Diplomati britanik kishte një qasje më pragmatike duke kërkuar nga pala kosovare që të qartëson se çka e rrezikon sovranitetin e Kosovës, cilat janë ato kompetenca që mund të rrezikojnë Kushtetutën dhe të punohet rreth atyre pikave, tha ai në emisionin “ Kallxo Përnime”.

Përse do të duhej që në një shtet të vogël të funksionojnë dy pushtete paralele

I vetmi shtet në botë që njihet për një ndarje nacionale në mes të bardhëve dhe të komunitetit afrikan, ishte Afrika e Jugut. Funksionimi i pushtetit në këtë vend afrikan ishte i dhunshëm dhe për këtë diskriminim racor u deshtë që të sakrifikohen mijëra afrikan të atij shteti, të cilëve u printe Nelson Mendela, që pos torturave çnjërëzore, ai vuajti edhe mbi dy dekada burg të rëndë. Pas shumë sakrificave njërëzore më në fund erdhi deri të ndërrimi i mentaliteteve të vrazhda racore dhe triumfoi drejtësia dhe në pushet erdhi komuniteti i shumicës. Këtë shembull po e spikati vetëm për të përkujtuar se ndarjet e tilla në baza nacionale nuk janëtë shëndetshme dhe nuk mund të funksionojë përjetësisht, përkundrazi në mes të komuniteteve krijohet një jaz i madh dhe thellohet një armiqësi që vështirë mund të përfundojë pa një konflikt në shkallë të gjerë. Ndaj shtrohet pyetja se si është e mundur që në këtë kohë moderne të bëhen presione për të krijuar dy pushtete paralele në një shtet të vogël, siç është Kosova, në vend që të punohet për një integrim e bashkëpunim të ndërsjellë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Po ashtu, shtrohet pyetja tjetër se përse po u dashka që të priveligjohet vetëm komuniteti serb e jo të tjerët, gjë që qartë po shihet një diskriminim për ta.

Vetëqeverisja lokale në Kosovë njëra ndër më të avansuarat në Evropë

Nëse i bëhet një vështrim i detajuar i vetëqeverisjes lokale, do të vërehet qartë se ajo është ndër më të avansuarat në Evropë. Kjo gjë është bërë e mundshme duke i futur në ligje dhe Kushtetutë praktikat më të mira të shteteve të Bashkimit Evropian si dhe ndihmën e dhënë nga ekspert të njohur të së drejtës, sidomos në fushën e të drejtave të komuniteteve dhe në këtë vazhdë të përfilljes së këtyre standardeve demokratike evropiane nga organet dhe institucionet, komunat në Kosovë kanë kompetenca të mëdha pothuajse në të gjitha fushat. Këtu dhe në këtë bazë do të duhej të punohet se mos vallë ka ndonjë të metë eventuale, që do të duhej të debatohej e të përmirësohej në të ardhmen e jo të mendohet e punohet qëllimisht, posaçërisht nga Serbia, për të krijuar organizma të kundërligjshëm që vetëm sa do ta pengoin funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Prandaj, BE dhe ju të tjerët që po bëni presion, që po përkrahni e mbështetni formimin e një “ mini shteti” në Kosovë zgjohuni nga përgjumja dhe ndërpreni këto “ pazare” në dëm të vendit tonë, duke menduar gjithnjë së Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk do të pranon copëtimin.

Nuk është e ndershme që vetëm Kosovës t’i thuhet se duhet me dhënë diçka për të marrë diçka tjetër. Kjo është një shaka që nuk mund të funksionojë sepse, ç’është e verteta, vetëm Kosova do të duhej të jap, të pajtohet me formimin e një Asosacioni me kompetna ekzekutive, të humb kontrollin në pjesën veriore të vendit. Lë të tregoj dikush nga BE e SHBA se çka po fiton Kosova me këtë rast. Asgjë. Bile as njohjen nga Serbia. Kështu është betuar Vuqiç dhe zor se do të ndodh ndryshe. Punoni e veproni për të avansuar demokracinë, për të forcuar shtetin e Kosovës e jo e kundërta, për të tensionuar edhe më shumë situatën, për të krijuar armiqësi ndërmjet komuniteteve.

Dhe krejt në fund: Athua a do të zbatonin Lajçak, Palmer, Abot, Kosnet një marrëveshje në vendin e tyre, e cila nga Gjykata Kushtetuese është shpallur në kundërshtim me Kushtetutën. Kurrën e kurrës nuk do ta bënin. Atë që nuk e bënë vetë, mos e shtërngo tjetrin të punoj e veproj kundrligjshëm.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch