Kosovë: Dështon edhe tentimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit

Read Time:9 Minute, 52 Second

Ka dështuar për herë të dhjetë konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhen sërish në sallën e këtij institucioni në tentimin e dhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk propozuan kandidatë për Komisionin për votim të fshehtë në vazhdimin e seancës së kaluar ta bëjnë një gjë të tillë sot.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i kërkoi kryesuesit që përkundër presionit të partisë së tij të mos bëhet pjesë e shkeljes së rregullores. “Mos e bëni cirk Kuvendin”, tha ai teksa kryesuesi e paralajmëroi se nuk ka debat dhe ia ndali mikrofonin. LDK edhe këtë herë spati propozim, ashtu sikurse edhe Lista Serbe mbajti të njëjtin qëndrim dhe nuk propozoi kandidat.

Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Në votimin për komision 54 vota ishin për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, por deputetët e tjerë nuk morën pjesë fare në votim.

Si rrjedhojë kryesuesi i kuvendit tha se është i obliguar që ta ndërpresë seancën për mungesë kuorumi. Ai tha se seanca vazhdon të hënën në orën 10:00.

Gërvalla: Bllokada e opozitës e papranueshme, presim që të fitojë arsyeja

https://www.facebook.com/

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur bllokadën aktuale të papranueshme dhe të pakuptueshme nga ana e opozitës.

“Sot patëm edhe një përpjekje për të ecur dhe vazhduar përpara për të thyer bllokadën totalisht të pakuptueshme në konstituimin e institucioneve, duke filluar nga kuvendi. Kjo bllokadë është krejtësisht e papranueshme. Mosbesimin që drejtuesit e opozitës e kanë ndaj deputetëve të tyre tregon që vullneti për të bllokuar proceset është i shtyrë nga motive të cilat është lehtë, por njëkohësisht shumë vështirë të shpjegohen. Nuk e di se çfarë imagjinon opozita në ditët e saj të mira se si mund të dalim nga kjo situatë, por përpjekja jonë për të shfrytëzuar votën e fshehtë, është edhe një përpjekje tjetër me shpresën se do ta kalojmë këtë fazë”, tha ajo.

Ajo e vlerësoi të papranueshme që pengimin që sipas saj po i bëjnë në vazhdimësi partitë opozitare konstituimit të institucioneve.

“Edhe Kushtetuta, edhe Gjykata Kushtetuese, edhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë saktë se kush e propozon kryetarin e Kuvendit, nuk e vënë në diskutim propozimin për kryetar të kuvendit nga partia fituese, prandaj të gjitha këto janë filma, që duan të çojnë në blerje të kohës për të arritur diçka e që opozita duhet të na tregojë tani. A është kjo diçka për të krijuar një qeveri opozitare së bashku me Listën Serbe, apo është që pazaret mes tyre ende nuk anë sjellë rezultat apo dëshirojnë ta çojnë vendin në zgjedhjet e reja”, shtoi Gërvalla.

Sipas saj paralajmërimi i vazhdueshëm i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi për zgjedhje të reja është një mesazh që nuk i drejtohet as Lëvizjes Vetëvendosje, as Partisë Guxo apo Alternativës, por në radhë të parë LDK-së, e cila, sipas saj, nuk ka interes për zgjedhje të reja.

“Ne nuk i synojmë zgjedhjet e reja, por edhe nuk i shmangemi atyre nëse mbeten mënyra e vetme, por nuk do të donim që qytetarin ta çonim te kutia e votimit, edhe pse ai e ka shprehur qartë vullnetin e tij më 9 shkurt. Prandaj, presim që në seancën e së hënës të fitojë arsyeja dhe të mos vazhdojë bllokada”, theksoi Gërvalla.

Krasniqi: Vetëvendosje po tenton ta mbajë pushtetin në mënyrë të paligjshme

https://www.facebook.com/

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit për herë të dhjetë të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e ka akuzuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen se po tentojnë të mbajnë pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe jokushtetuese.

“Sot është hera e dhjetë që mblidhemi dhe asnjëherë nuk është lehtë të dalim para juve për të konstatuar një gjendje të papranueshme, një gjendjeqë vërtetë qytetarët e Kosovës as nuk kanë votuar e as nuk e kanë pritur. Pra një tentim për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, në mënyrë të paligjshme, jokushtetuese, në mënyrë të dhunshme sepse mentaliteti i diktatit është mentaliteti i ish-qeverisë, e cila nuk e ka marrë besimin qytetarë por nuk po pajtohet me verdiktin që ia kanë dhënë qytetarët”, tha Krasniqi.

Sipas kreut të PDK-së, në mungesë të shumicës parlamentare “Albin Kurti dhe LVV edhe sot për të dhjetën herë me radhë tentuan që në forma të paligjshme, jo kushtetuese, fatkeqësisht duke e keqpërdorur në mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet i Kosovës, z. Dehari”.

“Edhe sot tentuan që të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur. Qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për t’i dhënë vendit institucione. Ua përkujtoj e ua përsëris, as herën e parë, as herën e dhjetë, e as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë. Ne pavarësisht sjelljeve të tyre, qëllimet dhe interesat e qytetarëve i kemi prioritet. Andaj i ftojmë që ta ndërrojnë kandidatin dhe të sjellin një propozim i cili vërtet mund të jetë rrugëdalje, që mund të marrë shumicën e votave të deputetëve – ta konstituojmë kuvendin dhe t’i hapim rrugë afateve kushtetuese për formimin e qeverisë”, shtoi ai.

Tutje Krasniqi ka thënë se Albin Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja themelore, sipas tij, pse ai po e mban peng shtetin dhe kuvendin.

“Sepse përndryshe i bie që më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se sa 966 mijë votues të Republikës së Kosovës, që e kanë dhënë verdiktin e tyre, e që ai është që të ketë një zgjidhje tjetër”, tha Krasniqi.

Bajrami: LDK s’ka votë për Albulena Haxhiun

https://www.facebook.com/

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka përsëritur qëndrimin e subjektit të saj politik se nuk do të votojnë për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se tash Lëvizja Vetëvendosje e ka ndryshuar strategjinë dhe në vend se të vendos emrin e Albulena Haxhiut, ka bërë një taktikë dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, e që sipas saj  tashmë është argumentuar jo vetëm nga ky subjekt, por edhe njerëzit profesionistë që janë jashtë Kuvendit të Kosovës, se është shkelje ligjore e kushtetuese.

“Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq sidomos për z. Dehari, i cili si kryesues i seancës nuk përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është aty për shkak se partia e tij është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Është aty për shkak të moshës dhe për asgjë tjetër. Ai duhet të përcjellë skenarin e përgatitur nga Sekretariati i Kuvendit dhe jo skenarin në të cilin atë e fut Lëvizja Vetëvendosje. Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. E kemi deklaruar që nga fillimi se vota jonë është kundër. Kryetari i parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë përderisa ata nuk reflektojnë”, tha Bajrami.

Kadrijaj: Nëse nuk ndryshojnë qasje do të vazhdon bllokada
 

https://www.facebook.com/

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka vlerësuar shkelje ligjore dhe kushtetuese përpjekjen e LVV-së për mënyrën e ndryshimit të votimit për kryetar të Kuvendit.

“Ajo çfarë po ndodhë vërtetë është për keqardhje. Është shkelje ligjore, është shkelje kushtetuese, është shkelke e rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës mënyra e ndryshimit të votimit. Po kërkojnë votë për formimin e një komisioni, ndërsa nuk e kemi emrin e kandidatit. Këtë radhë ne nuk e dimë se për cilin kandidat po formohet ky komision. Nuk i kanë votat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë dhe nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdon dhe faji është i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto janë taktika të LVV-së që po e keqpërdorin pozitën e kryesuesit, sepse është z. Dehari, i cili është i LVV-së dhe i gjori po punon sipas skenarëve të LVV-së”, tha ajo pas dështimit të dhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, braktisjen e seancës nga kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ajo e ka arsyetuar me agjendën e tij të ngjeshur.

Zemaj: LVV duhej të kishte një zgjidhje

https://www.facebook.com/

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në prag të vazhdimit të seancës konstituive të legjislaturës së nëntë ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve duhet të ofrojë një zgjidhje për të dalë nga bllokada.

“Do të duhej të kishte një zgjidhje nga LVV. Shpresoj të mos shpikin diçka që bie ndesh me rregulloren e punës së Kuvendit ose edhe Kushtetutën e vendit. Kjo nuk i ndihmon as procesit, por vetëm e rëndon edhe më tutje dhe po shiohet që fare pak janë të interesuar që të kalojnë në zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimin e Kuvendit dhe ecjen tutje për krijimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Ai tha se votimi i fshehtë do të ishte pjesë e procedurës fillestare ose i hapur siç ka filluar, por sipas tij nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës në mes të lojës ose në fund të lojës.

“Kjo është ABC-ja e jetës parlamentare ose e demokracisë. Kjo vetëm e rëndon procesin, por është tregues i qartë për të shpikur ide të reja dhe për të keqpërdorur atë që i takon sipas moshës për udhëheqjen e seancës”, shtoi ai.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet të ofrojë zgjidhje për të dalë nga ngërçi.

“Ne jemi në një ngërç politik, kjo duhet të pranohet. Partia e parë duhet të ofrojë marrëveshje me ata që mendon që mund ta zgjedhë kryetarin dhe mund ta zgjedhë qeverinë e re, përndryshe duhet të lirojë rrugë, të propozojë ndonjë kandidat edhe nga partitë tjera. I takon që të propozojë si parti e parë. Nuk është parti fituese, sepse po të ishte fituese do të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara”, nënvizoi Zemaj.

Haradinaj: Shpresoj të kemi një kandidat unifikues për kryeparlamentar

https://www.facebook.com/

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shpreson që sot të votohet kryetari ose kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

“Po shpresojmë që të kemi një kandidat unifikues, pra që të ndodhë një propozim i ri. Shpresoj të votojmë sot kryetarin apo kryetaren”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë ka dëgjuar disa mundësi për një kandidat unifikues, por sipas tij ndoshta nuk ka ardhur ende dita për të ndodhur.

Sa i përket procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ai është shprehur: “Mund të ndryshojë procedura nëse ka vullnet të deputetëve, por nëse s’ka vullnet jo. Nëse ftohem në takim a do të shkoj? Jam shumë i zënë këto ditë, nuk kam mundësi”, ka thënë Haradinaj.

Murati: Uroj të ndryshojë qëndrim opozita

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, në prag të vazhdimit të seancës ka shprehur shpresën se sot do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës dhe të votohet kryeparlamentari.

“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, ka thënë shkurtimisht ai në hyrje të kuvendit.

Kurti, Krasniqi e Abdixhiku nuk deklarohen për media, Haxhiu thotë se për votat duhet pyetur opozitën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetja e propozuar për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës. Kurti, Krasniqi e Abdixhiku nuk janë deklaruar për media, derisa Haxhiu e pyetur nëse sot i ka votat, teksa po ecte tha shkurt: “Pyeteni opozitën”.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Mediat e huaja flasin për kthimin e papritur të Vuçiqit nga SHBA-ja
Next post Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, kërkohet një mjedis më i sigurt për gazetarët në Kosovë