Home » Intervistë, Lajme » Kurteshi: Në Kosovë është instaluar një diktaturë policore

Kurteshi: Në Kosovë është instaluar një diktaturë policore

Sami KurteshiIsh-avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi i aktivizuar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u kursye nga Policia me 28 Nëntor, kur u bastisën zyrtar e kësaj partie. Kurteshi thotë se policia nuk e kurseu nga sulmi fizik, sepse ishte e dirigjuar nga Qeveria. Në intervistën e shkurtët për Albinfo.Ch, a konsideron se në Kosovë nuk funksionon demokracia por “tragjikisht, tani kemi të bëjmë me diktaturë policore”.

Albinfo.ch: Keni qenë Avokat i Popullit dhe pas përfundimit të kontratës keni kaluar në politikë? Pse e bëtë këtë hap?

Kurteshi: Edhe gjatë ushtrimit të funksionit të Avokatit të Popullit unë kam qenë vazhdimisht politikisht aktiv, por jo aktiv në ndonjë parti politike. Vetë funksioni i Avokatit të Popullit, si çdo funksion tjetër në kuadër të institucioneve shtetërore është funksion politik. Njeriu është qenie politike. Personi që ushtron këtë funksion nuk mund të jetë tjetër. Një qenie jopolitike nuk mund të ushtrojë këtë funksion. Rrjedhimisht, unë kam bërë vetëm një ndryshim nominal, por jo edhe ndryshim parimor.

Institucioni i Avokatit të Popullit është pjesë përbërëse e një politike kulturore në kuadër të një kulture politike të një shoqërie. Sa është e rëndësishme politika kulturore në kuadër të kulturës politike të një shoqërie, është një temë më vete. Por, është e dëshmuar se në këtë rast kemi një korrelacion pozitiv: sa më e pasur që është politika kulturore, aq më e pasur është edhe kultura politike në një shoqëri. Këtu çalon Kosova.

Albinfo.ch: Ju keni mbrojtur të drejtat e popullit, por Policia nuk iu kursej Juve. Çka nënkupton kjo ne demokraci?

Kurteshi: Mbrojtja e të drejtave të njeriut, popullit, në funksionin e Avokatit të Popullit ka qenë obligim kushtetues. Jashtë këtij funksioni, në kuadër të një partie politike, mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet obligim moral dhe qytetar.

Përkushtimi im jetësor për të drejtat e njeriut ka filluar shumë më herët se ushtrimi i funksionit të Avokatit të Popullit, dhe nuk ka përfunduar me përfundimin e mandatit.

Sjellja e policisë ndaj meje si person më 28 Nëntor 2015, ka dëshmuar plotësisht edhe njëherë më shumë si të drejtë angazhimin tim të veçantë për ushtrimin e kontrollit mbi policinë dhe të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, të cilat janë kompetente dhe mbajnë monopolin ligjore mbi përdorimin e forcës.

Gjatë tërë periudhës sa kam ushtruar unë funksionin e Avokatit të Popullit, jam përpjekur që institucioni i Avokatit të Popullit të përcjellë me shumë kujdes dhe në mënyrë kritike konstruktive punën e këtyre institucioneve, veçanërisht të policisë, për arsyen e vetme, sepse aty mund të ngjajë shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut.

Në pjesën e fundit të pyetjes unë do të përgjigjesha me një pyetje: A është Kosova një demokraci?

Fatkeqësisht, që moti nuk bëhet fjalë për demokraci në Kosovë. Tragjikisht, tani kemi të bëjmë me diktaturë policore.

Albinfo.ch: Keni kaluar në Vetëvendosje, një parti që konsiderohet më ekstremja e spektrit politik kosovar. Pse kaluat në Vetëvendosje dhe jo në ndonjë parti tjetër?

Kurteshi: Çështja e konstatimit ‘më ekstremja e spektrit politik kosovar’ është çështje e emërtimit paushall nga qarqe dhe persona të caktuar. Ky është një konstatim paushall që vije kryesisht nga klika politike kosovare e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në absurditet. Të qëndrosh parimor, i vendosur, i pathyeshëm për një shoqëri që ka për qëllim krijimin e një diskursi politik demokratik me vlera liberale, të një shoqërie të mundësive të barabarta për të gjithë, ky është një ideal fisnik për mua. Për dikë është ekstremizëm politik.

Unë kam kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje sepse konsideroj që ky është subjekti më i përafërt me pikëpamjet e mia filozofike, politike dhe programatike në lidhje me zhvillimet shoqërore dhe institucionale. Ky është djepi më i përafërt filozofik, politik dhe programor për pikëpamjet e mia.

Kur them dhe theksoj cilësorin ‘i përafërt’, kam parasysh pikërisht kriterin themelor që duhet të ketë një grupim, subjekt apo parti politike, sipas mendimit tim: demokracinë e brendshme. Sipas bindjes sime, LVV dallohet me një demokraci të brendshme relativisht të zhvilluar, që lejon ngjashmërinë, përafrimin, por nuk kërkon domosdoshmërisht njëjtësimin në mënyrën e të menduarit politik.

Kjo domethënë, unë personalisht kam vlerësuar lartë diskursin e krijuar demokratik në LVV, ku veprimi komunikativ nuk ka karakter të fitimit të betejës komunikative, por është një veprim me qëllim të shterjes së mjeteve komunikative për sqarim dhe për t’u kuptuar.

Albinfo.ch: Në Vetëvendosje i mbron të drejtat e popullit, apo të drejtat e partisë?

Kurteshi: Të drejtat e njeriut! Të drejtat e partisë si koncept sociologjik, janë pjesë e të drejtave të njeriut. Të drejtat e partisë si koncept politik, janë pjesë e demokracisë. Që të dyja, janë pjesë përbërëse e korpusit të gjerë të të drejtave të njeriut. Ndërsa të drejtat e njeriut janë pjesë përbërëse e thelbit të filozofisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo edhe është ndër arsyet më të rëndësishme që më ka bërë t’i bashkohem LVV.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut, për mua personalisht, për kulturën time politike, për konceptin tim mbi filozofinë politike, është një ndër kriteret themelore për veprim politik.

Albinfo.ch:  A ka pasur dhunë të tepruar policia e Kosovë të shtunën e kaluar?

Kurteshi: Nuk mund të flitet më vetëm për dhunë dhe për teprim. Këtu bëhet fjalë për një terrorizim të qëllimshëm të njerëzve, të qytetarëve, të aktivistëve politike të një subjekti politik. Këtu bëhet fjalë për një kapërcim cilësor, nga gjysmë-demokracia apo demokracia e brishtë në një diktaturë policore.

E tërë ngjarja e ndodhur më 28 Nëntor, vetëm një orë pas manifestimit paqësor politik të mijëra qytetarëve, pa asnjë incident të vetëm, dëshmon për veprimin paqësor të opozitës. Siç duket ky fakt e ka tërbuar klikën politike pushtetore të kriminalizuar në Kosovë, të udhëhequr nga trinomi Thaçi-Mustafa-Veseli. E tërë ngjarja e ndodhur vetëm një orë pas manifestimit, ka dëshmuar në mënyrë të pamohueshme se në Kosovë kemi të bëjmë me banda të organizuara kriminale brenda policisë së Kosovës, brenda qeverisë së Kosovës dhe brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërhyrja e policisë, përgjakja e manifestimit për Festën e Flamurit, ka qenë veprim kriminal, i ideuar, i organizuar, i udhëhequr dhe i zbatuar nga persona të caktuar politikë, me në krye Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Kadri Veselin, Skënder Hysenin dhe Shpend Maxhunin. Veprimi i policisë të shtunën e kaluar ka qenë veprim kriminal terrorist. Kjo është një vepër penale që duhet të ndiqet sipas detyrës zyrtare nga prokuroria shtetërore. Por këtë nuk guxon ta bëjë asnjë prokuror në Republikën e Kosovës, sepse ajo është pjesë e krimit të organizuar institucional.

Albinfo.ch: Si i komentoni burgosjet e deputetëve opozitar?

Kurteshi: Kjo është vetëm një dëshmi më shumë për kapërcimin nga demokracia e brishtë në diktaturë policore, që ka ngjashmëri të mëdha me veprimet e Gestapos naziste në Reichstag-un gjerman në vitin 1933.

Një opozitë që paguan një çmim kaq të lartë për të kthyer dinjitetin e një parlamenti, në perspektivën afatshkurtër, do të dëmtohet në aspektin njerëzor dhe politik. Në perspektivën afatgjatë, një opozitë e tillë do të cilësohet si mbrojtëse e demokracisë parlamentare. Çdo betejë, çdo luftë, çdo përpjekje, ka çmimin e vet. Liria dhe demokracia kanë çmim shumë të lartë. Këtë po e paguan opozita e tashme.

Albinfo.ch: A duhet opozita të kthehet në Kuvend?

Kurteshi: Opozita është përjashtuar nga Kuvendi! Ajo nuk mund të kthehet në Kuvend, sepse nuk lejohet të kthehet nga pjesa e kriminalizuar e policisë së Qeverisë Mustafa-Thaçi-Veseli.

Por, edhe e gjithë kjo situatë ka një anë pozitive për të ardhmen. Në perspektivën afatgjate, për herë të parë në Republikën e Kosovës opozita ka dëshmuar se Parlamenti nuk mundet dhe nuk do të mbetet peng dhe mashë e qeverive prepotente. Asnjë qeveri, pa marrë parasysh se sa e madhe numerikisht është, nuk do të mund të luajë me Kuvendin e Republikës së Kosovës. Opozita, fatkeqësisht e detyruar të shërbehet edhe me mjete dhe veprime jodemokratike, po e kthen Kosovën në republikë demokratike parlamentare. Kjo do të jetë fitorja më e madhe për të ardhmen.

Albinfo.ch: A e ka tepruar edhe Vetëvendosja, që i ka sfiduar Policinë për ta arrestuar Albin Kurtin dhe për të hyrë brenda?

Kurteshi: Vetëvendosja nuk e ka sfiduar fare Policinë! Kjo është e vërteta. Këtë nuk e ka thënë as Policia. Ky konstatim prandaj është i paqëndrueshëm. Askush, asnjë person, në asnjë rast nuk e ka sfiduar policinë më 28 Nëntor 2015, as gjatë manifestimit, as pas manifestimit dhe as me rastin e ndërhyrjes, bastisjes, konfiskimit, vjedhjes dhe shkatërrimit të zyreve të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, as jashtë zyreve të LVV, nga protestuesit apo qytetarët nuk ka pasur asnjë provokim të policisë. Me këtë rast policia e Kosovës ka vjedhur të gjitha incizimet e kamerave të sigurisë në selinë e LVV me rastin e bastisjes atë ditë. Kjo është bërë për të humbur gjurmët e dhunës policore të ushtruar atë ditë në selinë e LVV.

Ndërhyrja e policisë në selinë e LVV ka qenë e tipit fashisoid: pa paralajmërim, me forca për intervenime të shpejta antiterroriste, me armë zjarri, pa vendim për bastisje, pa vendim për arrestimin e aktivistëve të LVV, me qindra forca policore. Krejt kjo në emër të arrestimit të Albin Kurtit, i cili krejt në mënyrë legale ka lëvizur nga manifestimi në selinë e LVV.

Në të vërtetë, e tëra ka ngjarë në mënyrë të organizuar që më herët nga pushteti i kriminalizuar, përmes njësive të kriminalizuara të policisë së Kosovës, në shenjë hakmarrje dhe nervoze për shkak të organizimit të Manifestimit dinjitoz, pa incidente për Festën e Flamurit Kombëtar të disa dhjetëra mijëra qytetarëve të Kosovës dhe kundërshtimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës.

Albinfo.ch: Cili është komenti juaj për gazin lotsjellës dhe dhunën në Kuvend?

Kurteshi: Dhunën në Kuvendin e Republikës së Kosovës e ka shkaktuar Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli së bashku me Kryeministrin dhe zv. Kryeministri, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët e kanë okupuar dhe dhunuar Kuvendin e Kosovës me polici. Aty dhunën fizike e ka shkaktuar thjesht policia e Kosovës me urdhër të drejtpërdrejtë të këtyre tre personave. Kjo mënyrë e keqpërdorimit politik të policisë së Kosovës kundër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është veprim i kundërligjshëm, është rrëshqitje e qartë dhe e drejtpërdrejtë në diktaturë policore.

Gazi lotsjellës i përdorur nga deputetët e partive opozitare në seancat e Kuvendit të Kosovës, nuk është as veprim parlamentar, as veprim i hijshëm, as demokratik. Gazi lotsjellës është një mjet specifik në rrethana specifike.

Vetvetiu, nëse nuk merren parasysh rrethanat dhe zhvillimet politike në vend, përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend do të përbënte vepër penale, ose në rastin më të mirë, vepër kundërvajtëse, por gjithsesi të dënueshme.

Mirëpo, nëse merret parasysh fakti se deputetëve të opozitës nuk u ka mbetur asnjë mënyrë dhe mjet tjetër për të penguar realizimin e vepraveva më të rënda penale të një vendi, rrënimit të sistemit kushtetues, cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial përmes humbjes së territorit shtetëror, që përbëjnë veprat më të rënda penale në një vend, përdorimi i gazit lotsjellës për të penguar një shkelje shumë më të rëndë, është jo vetëm e përshtatshme, por edhe veprim i domosdoshëm në këto rrethana. Përdorimi i gazit lotsjellës nuk ka shkaktuar dhunë në Kuvend. Gazi lotsjellës ka arritur qëllimin për çfarë është destinuar, ndërprerjen e seancave të Kuvendit pa dhunë, para se të miratoheshin veprimet e tilla kundërkushtetuese të qeverisë nga pozita.

Asnjë mjet apo metodë tjetër nuk ka mundur të ndalojë zbatimin e këtyre veprave të rënda kundërkushtetuese. Deputetët e opozitës, sikurse ata të pozitës janë betuar për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial. Ky është obligim kushtetues i tyre dhe duhet t’i përmbahen betimit të tyre, pa marrë parasysh pasojat eventuale ligjore apo politike për të gjithë dhe për secilin prej tyre veç e veç.

Përdorimi i gazit lotsjellës nga deputetët e opozitës është veprimi më i butë dhe më i përshtatshëm i mundshëm në këto rrethana. Përdorimi i gazit lotsjellës, është i dëmshëm për shëndetin, por nuk është i rrezikshëm për jetën e njeriut, nuk është i drejtuar ndaj asnjë personi individualisht, dhe nuk përdoret në mënyrë selektive dhe diskriminuese.

Në anën tjetër, përdorimi i gazit lotsjellës nga deputetët e opozitës është veprim i ndërgjegjshëm politik, jo i fshehtë, i bërë publikisht, brenda sallës së Kuvendit, si mjet i fundit për pengimin e veprimeve kundërkushtetuese të pushtetit të tanishëm.

Edhe nesër, edhe kurdoherë në raste të ngjashme, nëse edhe unë personalisht do të gjendesha në një situatë të ngjashme, me keqardhje por pa hamendje do të zgjidhja përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend, për të penguar rrënimin e sistemit kushtetues demokratik, cënimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të vendit tim.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress