Home » Lajme » Kushtet e Vuçiqit për serbët në Kosovë: “Veç qëndroni në shtëpitë tuaja” do të keni, para, autostradën Mitrovicë – Jarinje, spitale…

Kushtet e Vuçiqit për serbët në Kosovë: “Veç qëndroni në shtëpitë tuaja” do të keni, para, autostradën Mitrovicë – Jarinje, spitale…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbledhur sot në kazermën e Kurshumlisë përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë dhe pas takimit, ai ka dhënë një listë të gjatë të premtimeve.

Vuçiqi ka falënderuar serbët që votuan Listën e mbështetur nga ai, ndërkohë që ka premtuar ndërtimin e disa spitaleve, rrugëve e madje edhe objekt universiteti. Po ashtu ka premtuar nga 100 euro shtesë për serbët në Kosovë, ndërkohë që nëse dy prindërit janë të papunë, atëherë edhe 200 euro shtesë, njoftojnë mediat serbe të premten.

Ka pasur veç një kusht për serbët në Kosovë: “Veç qëndroni në shtëpitë tuaja”.

“Kjo do të thotë se një familje me pesë anëtarë do të marrë një dhuratë. Nëse dy prindër të punësuar kanë tre fëmijë, atëherë do të marrin 500 euro, por nëse dy prindërit nuk janë të punësuar, atëherë do të marrin edhe 200 euro shtesë, pra 700 euro”, tha Vuçiqi. “Është një shumë e madhe parash, dhjetëra miliona euro, por ne duam të ndihmojmë, veçanërisht të varfrit”.

Ai me këtë rast ka akuzuar partitë tjera serbe në Kosovë, e që sipas tij nuk ia duan të mirën popullit serb.

Vuçiqi ka premtuar t’ua “përmirësojë jetën” serbëve në Kosovë, me investimet që do të kryejë Qeveria e Serbisë. Ka premtuar spital për Graçanicën dhe Mitrovicën e Veriut. Ka premtuar edhe rinovimin e rrugës magjistrale Mitrovicë e Veriut – Jarinje.

“Do të jetë si një pistë, asfalt i rregulluar prej gjashtë metrash” tha ai.

Gjithashtu tha se do të ndërtohet objekti për Universitetin paralel të Prishtinës, që tash ka bazën në Mitrovicë të Veriut. Projekti sipas tij do të kap vlerën e shtatë milionë eurove.

“Do të jetë një simbol i forcës në Mitrovicë, në zonën më urbane serbe në Kosovë”, shtoi ai.

U premtuan projekte edhe për Anamoravë dhe Shtërpcë.

Në fund, presidenti i Serbisë porositi serbët siç tha ai të “ruajnë shtëpitë e tyre në Kosovë”.

Ndërkohë, zv.kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka shfrytëzuar rastin të fyejë politikanët në Kosovë dhe të falënderojë Vuçiqin.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch