Home » Opinione » KUSHTETUTËSHKELËSIT SI “MBROJTËS” TË KUSHTETUTËS!

KUSHTETUTËSHKELËSIT SI “MBROJTËS” TË KUSHTETUTËS!

Nehat Hyseni-2Shkruan:Nehat Hyseni

Kosova është bërë nëna e “vakive”. Kemi filluar të dallohemi gjithënjë e më tepër nga bota e përparuar dhe demokratike, jo vetëm për faktinë se jemi futur në “karantinë”, të izoluar e getoizuar nga Europa, sikur me qenë të infektuar nga kolera, apo ndonjë sëmundje tjetër vdekjeprurëse, që e rrezikon vendet tjera.
Fillimisht ishim të mllefosur ndaj vendeve të BE-së, duke i fajsuar ata se po na izolojnë pa të drejtë, edhepse Kosova është treguar kooperuese me organizmat ndërkombëtarë, duke vepruar me dëgjueshmëri dhe displinë të fortë reth formimit të institucioneve që kërkohen nga ata, pastaj të respektimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, etj.
Mjerisht, kjo bindje e jona është vetëm pjesëtisht e saktë. Sepse, sa i përket formimit të institucioneve të reja të kërkuara nga BE, aty mbase nuk çalojmë fare, sepse kemi qenë përherë të gatshëm që t’i formojmë, madje edhe duke u kujdesur që aty t’i fusim njerëzit militantë të partive politike që qeverisnin vendin.

Këtu pa konkurencë prinë PDK e Hashim Thaçit, e cila është kujdesur që gjjthëkund t’i fusë mitantët e vet partiak, në mënyrë që ta sundoj tërë shoqërinë kosovare.

Por, problemi qëndron në faktin se këto institucione nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Madje, disa prej këtyre institucioneve, në vend që të jepnin rezultatet e pritura në lëminë për të cilën ishin formuar, ato përkundrazi, e bllokonin dhe përkeqësonin edhe më zi gjendjen, meqë  menaxhohen nga militantë partiak,  të cilët janë të dirigjuar nga partitë politike të tyre.

Prandaj edhe nuk kemi luftim të njëmrndët të korrupsionit  e as të dukurive të tjera negative në Kosovë  edhepse janë formuar institucione e orfznizma për luftimin dukurive të tilla negative në Kosovë.
Pse ndodhë kjo dukuri e shëmtuar, që edhepse formohen institucione përlkuftimin dhe çrrënjosjen e dukurive negative në Kosovë, megjithatë mungojnë  rezultatet?

Siç e thamë më lartë, pikërisht nga fakti se ato institucione janë formuar nga militantë partiakë, të cilët për punën e tyre i raportojnë shefave   të vet partiakë.

Ndërkaq, pikërisht këta shefa, jo vetëm që nuk janë mbrojtësit e dukurive negative, por shpeshëherë janë edhe gjeneruesit më të mëdhenjë dhe shkaktarët më të shpeshtë të dukurive negative dhe shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.

I tillë është rasti i Kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i cili së bashku me një grup militantësh partiak të tij,  ka shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës (neni 74), duke u zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës,  si pjesë e pushtetit Legjislativ, dhe njëkohësisht është pjesë e pushtetit Ekzekutiv, dmth të Qeverisë. Ai është  madje si kryetar i saj, paçka se këto dy poste janë inkompatibile dhe paraqesin shkelje flagrante të Kushtetutës.

Natyrisht se veprimi i këtillë e dëmton imazhin e Kosovës para botës demokratike dhe njëkohësisht e kompromiton demokracinë e brishtë kosovare.

Pastaj shkelja e tillë e Kushtetutës nga Hashim Thaçi nuk vërehet” fare nga Presidentja, e cila është për nga funksioni “gardiane” e Kushtetutës, si dhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Vallë, a thua nuk janë duke i vërejtur këto shkelje flagrante të Kushtetutës nga Hashim Thaçi as Presidentja e as kryetari i Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë të obliguar dhe kanë përgjegjësi para Ligjit dhe popullit të Kosovës, që ta bëjnë këtë?

A e dijnë ata se heshtja para shkeljes së Kushtetutës i bënë edhe këta bashkëpjesëmarrës në këtë vepër makabër?

Sikur është bërë praktikë tek ne që Presidnti jo vetëm që mos ta mbrojë shkeljen e Kushtetutës, por ndodhë që edhe vet të jetë shkelës i saj, siç ishte rasti i Presidentit Sejdiu kohë më parë, i cili i mbante dy poste inkompatibile: atë të Presidentit të Kosovës dhe kryetarit të LDK-së.

Edhepse me profesion z. Sejdiu ishte profesor universitar në shkencat juridike dhe vokacioni i tij ishte edukimi dhe arsimimi i studentëve në frymën e kultivimit dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, të bazuar në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, vet z. Sejdiu nuk i respektoi këto parime të shenjta të demokracisë!

Ngjajshëm veproi edhe Presidenti Pacolli, i cili u zgjodh President i Republikës së së Kosovës me procedurë jo të rregulltë.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe kryetari i saj, z.Hasani, u treguan mjaftë entuziastë në marrjen e vendimeve negative për rastet e përmendura, kur ishin në pyetje LDK dhe AKR. Kurse, kur është në pyetje shkelja flagrante e Kushtetutës nga PDK dhe Hashim Thaçi, heshtin, duke rrënuar kështu kredibilitetin e këtij tempulli më të lartë të drejtësisë!

Pra, mund të konkludojmë se në Kosovë Kushtetutën dhe Ligjin e shkelin pikërisht ata të cilët e kanë për detyrë dhe obligim ruajtjen e tyre. Kjo do të thotë se kushtetutshkelësit janë në poste dhe pozita përgjegjëse pikërisht  për mbrojtjen e Kushtetutës.

Kurse, tani është aktuale kërkesa e PDK-së, si pakicë në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, me gjithsej 37 deputetë, ose më pak se 1/3, kundër Koalicionit LDK-AAK-Nisma  me VV dhe minoritetet, që numrojnë gjithsej 83 deputetë, ose 2/3 e Kuvendit. Se si do të vendosë treshi i fuqishëm i Kosovës: Thaçi-Jahjaga-Hasani, mbetet të shihet.

Shpresojmë dhe urojmë që, më në fund, së paku kësaj radhe të respektohet shumica parlamentare, si parim themelorë dhe  bazë e demokracisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch