KUVENDI I KËSHILLTARËVE SHQIPTARË TË LUGINËS SË PRESHEVËS
Duke rikonfirmuar përkrahjen për Platformën Politike të këtij Kuvendi të datës 14 janar 2006, veçmas dispozitën e saj përfundimtare me të cilën rikonfirmohet vullneti i popullatës për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm territorial-kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Planit të presidentit Ahtisari, lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkangjitjen e Luginës së Presheëvs me Kosovën;
Të brengosur me përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës, si pasojë e:
– Situatës së rëndë socio-ekonomike dhe politike, që po shkakton migrim të vazhdueshëm të shqiptarëve vendor;
– Diskriminimit sistematik në sferën e arsimit, kulturës, informimit, shëndetësisë, sigurisë, jurisprudencës, lëvizjes së lirë, që janë rezultat e mosrespektimit të Konventave të Këshillit të Evropës që garantojnë të drejtat individuale dhe kolektive;
– Injorimit të kërkesave të institucioneve legjitime dhe legale të dalura nga vota e lirë e qytetarëve të Luginës së Preshevës;
– Mosjetësimit të obligimeve të qeverisë republikane të marra nga bashkësia ndërkombëtare për Luginën e Preshevës dhe obligimeve të saj që burojnë nga Marrëveshja e Konçulit;
– Militarizimit të vazhdueshëm në të tri komunat;
KUVENDI I KËSHILLTARËVE SHQIPTAR MIRATON KËTË
DEKLARATË POLITIKE
Kuvendi vlerëson se situata në Luginën e Preshevës vazhdon të jetë e rëndë me tendencë të përkeqësimit të mëtutjeshëm si rezultat i shkaqeve të sipërmendura.
Kuvendi shpreh brengosjen lidhur me migrimin e vazhdueshëm masiv të shqiptarëve që rrezikon seriozisht ndryshimin demografik të rajonit, si dhe me mungesën e vullnetit politik të qeverisë serbe për veprime konkrete për kthimin e popullatës shqiptare të dëbuar nga ky rajon më 1999.
Kuvendi kërkon ndëprerjen e praktikave të përndjekjeve politike të qytetarëve, aktivistëve dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc;
Në përputhje me respektimin e parimit të reciprocitetit, Kuvendi kërkon, harmonizimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me të drejtat e serbëve në Kosovë.
Kuvendi konstaton dështimin e realizimit të Planit dhe Programit qeveritar në objektivat e tij kryesore, që po zhvillohet në këtë rajon në periudhën 2001-2011 dhe si rrjedhojë, Kuvendi fton NATO-n, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në ta vlerësojnë vijueshmërinë e deritanishme të procesit politik 2001-2011 në Luginën e Preshevës të inkurajojnë palët në hartimin e një Plani dhe Programi të veçantë për Luginën e Preshevës;
Kuvendi kërkon përfshirjen e problemeve jetësore të Luginës së Preshevës në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit;
Kuvendi fton institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë që në kuadër të veprimeve për bashkëpunim rajonal, të angazhohen në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës;
PËR REALIZIMIN E KËRKESAVE TË MËSIPËRME, KUVENDI KËRKON NJË QASJE MË AKTIVE NGA TË GJITHA SUBJEKTET (A)POLITIKE VENDORE NË PËRPUTHJE ME METODAT DEMOKRATIKE TË VEPRIMIT POLITIK DHE QYTETAR.
Preshevë, 03 shtator 2011
Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë
uUvendi i sërbis një koh të gjat aprovojke dhe bjerke rezoluta dhe deklarata për Kosovën por kushi nuk ja ndojke veshin, askend ato deklarata dhe rezoluta nuk e obligojshin, dikur më von u diktu se ato veprime të kuvendit të sërbis ishin pas kon për konsum të mbrendshëm dhe fushata parazgjedhore. Njejt osht tu vepru edhe Kuvendi i këshilltarve Shqiptar me kto deklarata boshe. Kryetari i Kuvendit të Preshevës dje në Seanc deklaroi: Ka ardh koha që të ja lirojm vendin udhëheqsve e pasardhsve tan të ri, ne e dëshmuam se nuk dim të udhëheqim kët popull, Zgjedhjet e ardhshme ju mshojn fshis këtyre politikanve manipulue me popullin.