Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë

Read Time:10 Minute, 1 Second

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë heshtje në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra mëngjesin e së dielës në Banjskë nga terroristët serbë.

Ndërkaq, pas konsultimit me grupet parlamentare është vendosur që seanca të mos nis me deklarime e pyetje parlamentare, por që Kuvendi të propozojnë një projektrezolutë lidhur me dënimin e sulmit terrorist në Banjskë. 

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjen e policit, Afrim Bunjaku ka thënë se në mëngjesin e së dielës “ne humbëm një rreshter, por fituam një hero, emri dhe sakrifica e të cilit do të jetojnë bashkë me Kosovën përjetësisht”.

“Në këto ditë sfiduese për shtetin dhe integritetin territorial të vendit tonë, në ditë të dhimbjes dhe krenarisë për Policinë e Kosovës dhe familjen Bunjaku gjejmë forcën dhe kurajën të shikojmë përtej vijave politike dhe tregojmë unitetin karshi sulmeve të cilat synojnë të shkatërrojnë krejt çfarë është ndërtuar me mund, djersë dhe gjak ndër gjenerata”, ka theksuar Mimoza Kusari Lila në adresimin e saj para deputetëve.

Ajo tutje theksoi se e diela që e lamë pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe dirigjuar direkt nga Beogradi për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë.

“Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Prej mjeteve logjistike, ushtarake, transportimit dhe armatimit e tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit të Serbisë për të cilat autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë ka muaj që kanë paralajmëruar. Dëshmitë nga vendi i ngjarjes, fotografitë dhe sasia e armatimit plotësojnë skenarin i cili parashihte luftë, ndarje dhe destabilitet të Kosovës, në një rrugë pa kthim për vendin tonë dhe rajonin”, ka shtuar shefja e GP të LVV-së.

Sipas Lila Kusarit mëngjesi i të dielës zbardhi të vërtetën e plotë për Serbinë.

“Republika e cila i nisi të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, shkaktoi mbi 140 mijë viktima dhe dëboi 4 milionë persona nga vendbanimet e tyre na u shpërfaq përmes grupeve terroriste ushtarakisht të pajisura, të cilat me udhëzuesin e njëjtë synuan nxitjen e një ndarje të vendit tonë”, ka nënvizuar Kusari Lila.

Kur flitej për të kaluarën dhe domosdoshmërinë e ballafaqimit me të, tha ajo, ka pasur shumë zëra që kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurtin, duke e inkurajuar që ta mbajë shikimin përpara e jo pas nga e kaluara.

“…Por ja që historia nëse nuk mësohet përsëritet. Këtë fundjavë të gjithë pa dallim u bindëm se me Serbinë, e cila parim ka hegjemoninë, do të vazhdojë të ndodhë e njëjta nëse nuk ndryshohet qasja ndaj saj. Një shtet që mbështet terrorin dhe nuk tërhiqet apo pendohet për të, nuk njeh as parimet e dialogimit apo të marrëdhënieve korrekte ndërshtetërore, e njëjta Serbi e cila ende sot mohon krimet dhe masakrat në Kosovë, Reçakun, Arbrinë, Mejën e të tjera, duke mos e marrë asnjëherë përgjegjësinë për krimet ndaj civilëve, e njëjta zgjedh të mohoj involvimin e saj në sulmet terroriste të së dielës, por vulos mbështetjen e plotë të atij sulmi kur shpallë ditë zie për pjesëtarët e grupit terroristë të cilët u vranë në ballafaqim me Policinë e Kosovës”, ka theksuar shefja e grupit parlamentar të LVV-së.

Ajo tutje tha se e njëjta Serbi vazhdon fushatën e dezinformimit, propagandës dhe mbajtjen e gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës, duke shkelur mbi çdo parim  e marrëveshje për të cilën, siç tha ajo, ndërmjetësit ndërkombëtar u angazhuan t’i tregojnë si marrëveshje të arritura.

Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se plani i sulmit në Banjskë ishte i organizuar nga Serbia,  ku në krye të tyre qëndronte kryekrimineli Milan Radojçiq.

“Qëllimi ishte i qartë, siç u kuptua nga vetë sponzorizuesit e sulmit terrorist: krijimi i një realiteti të ri në veri e që për këtë duheshin edhe viktima, ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në manastirin e Banjskës, si një masë nxitëse e një përplasjeje të më vonshme në mes të Policisë së Kosovës dhe popullsisë civile në veri”, tha kreu u LDK-së Abdixhiku, teksa shtoi se një skenar të tillë jo vetëm Kosova, por të gjitha shtetet e dala nga lufta e ish-Jugosllavisë e kishin të njohur tashmë.

Ai më tej shtoi se institucionet tona të sigurisë, në bashkërendim me aleatë, kishin dhënë përgjigje më të adekuate të mundshme, me profesionalizëm më të lartë të mundshëm e me guxim patriotik ndaj Republikës e që, theksoi Abdixhiku, e diela e nisur me  tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të  triumfit të së drejtës ndaj terrorit

“Në një rajon normal një sulm i tillë terrorist do të kishte marrë dënimin nga të gjithë. Ballkani Perëndimor, megjithatë nuk është i tillë” tha Abdixhiku, teksa shtoi se Serbia jo vetëm që bëri të ditur të dhënat për të vrarët, ende të pazbuluar, por shpalosi qartazi edhe mbështetjen për këtë agresion ndaj vendit tonë.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për situatën në veri të vendit, ku pas sulmit të Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës nga një grup terroristësh serbë,  ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku.

“Sot nuk mund të jetë një seancë e zakonshme, si nuk mund të jenë të zakonshme as fjalimet tona, ndaj në emër të PDK-së mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të dënuar sulmin terrorist në vendin tonë”, tha kryetari i PDK-së Krasniqi, teksa shtoi se nuk do të flitet për betejat politike, sepse është një çështje më e rëndësishme, Kosova e cila është nën sulm dhe, shtoi ai, duhet të jenë në krye të detyrave dhe përgjegjësive .

Sipas tij, mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk është përfundimi i synimeve dhe qëllimeve të Serbisë karshi Kosovës, që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë.

“Për mua dhe për PDK është krejtësisht i qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”, shtoi Krasniqi, derisa vuri në pah se konfirmimi i përfshirjes së Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj nga institucionet zyrtare të Serbisë, përfshirë shpalljen atje e ditës së djeshme si ditë zie, tregojnë lidhjen e fortë të këtij grupi  terrorist më shtetin serb.

Edhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës ku dënohet sulmi terrorist i së dielës në Kosovë, të përfshihet edhe një hetim ndërkombëtar.

Haradinaj kishte dha se ajo që ndodhi të dielën ishte sulm terrorist i sponzorizuar prej Serbisë. Ky sulm terrorist, sipas tij e mori përgjigjen më të mirë që kishin mundur ta merrnin.

“Një rezolutë që e dënon sulmin terrorist është më se e nevojshme dhe kërkoj të përfshihet edhe një hetim ndërkombëtar. E vërtet që kjo fitore e ka sakrificën e vetë. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën me anë të së cilës dënon sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi të dielën, e ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

Kryetari i Kuvendit Glauk Kojufca e ka paraqitur përmbajtjen e Rezolutës para deputetëve, të cilët më pas e votuan me unanimitet .

“Kjo rezolutë dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e miratuar.

Përmbajtja e plotë e Rezolutës:

– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1.DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2.VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3.OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5.INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6.KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;

7.KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;

Kurti: Për aktin terrorist, Serbia të sanksionohet ndërkombëtarisht

(E plotësuar, 12:45) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit, foli për ngjarjen që ndodhi në Banjskë të Zveçanit në mëngjesin e së dielës, ku nga sulmi terrorist nga një grup kriminelësh serbë ra në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin kryeministri Kurti tha se vrasja e tij u shndërrua në angazhim më të shtuar në luftimin kundër bandave kriminale e terroriste dhe në fitore të betejës nga Policia e Kosovës.

“Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës, i cili u vra në pritë nga terroristët serbë dhe me të zbardhur drita ata e panë se nuk kanë kurrfarë shanse me Policinë e Kosovës. Ata u vranë, u arrestuan, ose po ndiqen, sepse janë në ikje”, tha kryeministri Kurti.

Ai, ngjarjen e së dielës, në Banjskë të Zveçanit, e vlerësoi si sulm terrorist e kriminal, i cili cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë tonë kombëtare.

“Sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore, duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate”, tha më tej, Kurti.

Ai më tutje u shpreh se për këtë akt terrorist, Serbia duhet të ndëshkohet e sanksionohet ndërkombëtarisht, derisa paralajmëroi se nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin.

Ndërkaq, kryeparlmentari Glauk Konjufca, pas mbarimit të fjalimit të kryeministrit Kurti, ftoi grupet parlamentare që, së bashku, të përfshijnë të gjitha pikat që i konsiderojnë që të jenë pjesë e kësaj rezolute dhe pastaj të hedhet në votim.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Presidentja Osmani takon krerët e partive politike opozitare
Next post Opinion: <strong>Ja cilat janë armët e suksesit të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit</strong>