Kuvendi i Shqipërisë drejt miratimit të mbështetjes pa rezerva për rezolutën për Kosovën

Read Time:3 Minute, 36 Second

Partia Socialiste dhe një pjesë e opozitës parlamentare, kanë rënë dakord për një rezolutë të përbashkët lidhur me Kosovën. Burime parlamentare nga pozita dhe opozita bën të ditur se pas disa debatesh është rënë dakord për një projekt-rezolutë të përbashkët që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës.

Por Partia Demokratike e Lulzim Bashës deklarohet kundër dakordësisë mes PS-së dhe “Rithemelimit”, lidhur me këtë projekt- rezolutë të përbashkët.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur zhgënjim për tekstin e projekt- rezolutës, duke e komentuar dakordësinë si “vendime të një “Aleance të Heshtjes” mes ‘Rithemelimit’ dhe PS-së. Për miratimin e projekt- rezolutës Kuvendi do të zhvillojë një seancë të posaçme të enjten.

Projekt- rezoluta

Dokumenti i dakordësuar mes PS-së dhe një pjese të opozitës thekson se: “Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës; në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon; thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023; Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.”

Kuvendi i Shqipërisë deklarohet se: “Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës; Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.”.

Çuçi: PS është konsistente në mbështetjen pa kushte ndaj Kosovës

Lidhur me arritjen e konsensusit ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi. Sipas tij, përpjekjet mazhorancë- opozitë për gjetjen e dakordësisë për Rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës u finalizuan me sukses.

“Arritëm të kemi një tekst të përbashkët, ku shprehim pa asnjë rezervë mbështetjen për Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Pas votimit nga deputetët në seancën parlamentare, qeveria dhe institucionet e tjera shqiptare duhet të influencojnë dhe kërkojnë një hetim ndërkombëtar për sulmin dhe nxjerrjen sa më parë të autorëve përpara drejtësisë.”, shkruan Çuçi në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, Partia Socialiste tregoi edhe njeherë se kur vjen puna për Kosovën ka një qëndrim të qartë, pavarësisht blofit të dalë boje apo kurtheve të politikës së vjetër për luftën e brendshme.

“Vijimësisht e kemi dëshmuar me vepra mbështejten pa asnjë ekuivok ndaj Kosovës, qoftë dhe duke plotësuar ndonjë tekë të opozitës si në këtë rast. PS ka qenë dhe do të jetë konsistente në mbështetjen pa kushte ndaj Kosovës.”, mbyll postimin Çuçi.

PD kundër

Por nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, në reagimin e tij deklaron se “për turp ‘Rithemelimi’ dhe PS paskan rënë dakort të kalojnë një Rezolutë vetëm me tre pika për Kosovën, ku njëra prej të cilave është citimi i Rezolutës së Kosovës.”

“Kosova në rezolutën e saj aq ka mundur të thotë. Pozicioni i Kosovës aq i brishtë ndërkombtarisht aq i ka lejuar të thotë. Por Shqiperia, e njohur ndërkombëtarisht, në çdo institucion ndërkombëtar dhe të sigurisë, anëtare e OKB-së, e Nato-s duhet të buçiste për Kosovën e në mbrojtje të Kosovës.”, shkruan Çollaku.

Sipas tij, Kuvendi Shqipërisë nuk ka zë për Njohjen Reciproke mes Serbisë e Kosovës si elementi kyç i paqes në Ballkan dhe se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zë për armatimet ushtarake ruse që furnizohet Serbia.

“Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të heshtë, pasi ‘Rithemelimi’ dhe PS kanë dakordësuar për të mos thënë agjë. Sot si deputet i Kuvendit ndihem i turpëruar për këtë “Aleancë të Heshtjes” në dëm të Kosovës dhe Paqes dhe Stabilitetit ne Ballkan.”, shkruan Çollaku.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Sot, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme
Next post Delegacioni i Emisarëve për dialogun, zbarkojnë në Prishtinë dhe Beograd