Home » Lajme » LAMTUMIRË PROF. ISA BAJÇINCA!

LAMTUMIRË PROF. ISA BAJÇINCA!

Erdha në Prishtinë të përshëndetem me Ty për here të fundit. Të përshëndetem dhe të falënderohem për përkushtimin tuaj shkencor në fushën e filologjisë shqiptare. Erdha të përulem për mësimin e dhënë në profilizimin tim shkencor gjuhësor. Dhe, jo vetëm si student, por edhe si profesor ishe prapë me mua. Ishe ndër të rrallët, që më dhe përkrahje morale e shkencore. Ti ishe prej miqve të rrallë, që një pjesë të punës tuaj e ndaje përgjysmë me mua, se e dije që jam i papunë dhe ndiheshe keq, kur më pyesje: -Si është muhaxheri? -A as ky nuk të bëri zgjidhje a? (E kishte fjalën për kryetarin e tanishëm të Ferizajt, Muharrem Svarçën). Ende pa iu përgjigjur e kuptonte me keqardhje përgjigjen… – Jo, profesor, as ky as ai, asnjëri! E tundte kokën në heshtje…

Isa BajçincaDuke ndjerë keqardhje, e ndërronim muhabetin dhe kalonim në bashkëbisedim tjetër, kryesisht për çështje gjuhësore, letrare e në përgjithësi kulturore.

Për ta kuptuar, se profesor Isa e kishte dhembjen me të vërtetë, e jo sa për sy e faqe, është fakti, se punët që i merrte për vete i ndante me mua, duke m’i dërguar për lekturim. Më thoshte: -Ramadan, për 5 ditë i ke këto faqe për t’i lekturuar. E dinte që jam i papunë dhe nuk më pyeste fare a kam kohë dhe a jam mirë me shëndet. Nuk më pyeste as për çmimin… Ishin shkrime të fushës juridike, të vështira sa i përket terminologjisë. Më paguante më shumë se ç’duhej… – Prof. janë shumë! – A ti po më tregon mua, se sa duhet të paguhet lektura a? Ma mbyllte gojën!

Pasi m’i dërgonte, bashkëbisedoja vet me vete. -Po, pse ky m’i dërgon mua shkrimet për lekturim? – A pak ka në Prishitnë a? Një ditë e pyeta për këtë gjë. Ai më tha: -Nga tre vetë që bashkëpunoj, ti je më i miri! Më dukej një përkrahje e madhe, si dhe një vlerësim i sërishëm, që prof. Isa ende i mban mend studentët që i ka pasur. Dhe, të fitonte besim prof. Isa në mua për çështje lekturore, nuk ishte gjë e vogël, sepse sipas meje ishte gjuhëtari e veçmas sintaksologu më i mirë në trojet shqiptare, pa marrë parasysh, që nuk kishte gradë akademike. Ai i kapërcente shumë kolegët e tij në çështje problemore gjuhësore.

Duke përfunduar shkurtimisht kujtimin për të, në shenjë respekti e falënderimi, që sot t’i uroja ndërrimin e moteve, po e bëj një shkrim përkujtimor për njeriun, profesorin, studiuesin, bamirësin, që ndërroi jetë dhe që me mua shpesh e ndante edhe punën e tij…

Prandaj, sot e kujtoj me dhembje të thellë, duke më mbetur referencë për tërë jetën. Ai do të jetojë me mua përherë, edhe pse jam i vetëdijshëm, se kur shkoj në Prishtinë nuk e takoj më për kafe a çaj dhe nuk ka kush të më pyet, se si është muhaxheri… dhe as të më dërgojë faqe për lekturë…

 

Ferizaj, më 30 dhjetor 2015                       Ramadan ASLLANI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress