
Lirohet këshilltarja e Kurtit, znj.Ardita Sinani pas rindalesës, s`ka arsyetim nga policia serbe
Pas gjysmë ore ndalese në pikën tjetër kufitare, “Depce” nga policia kufitare e Serbisë, është liruar këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani.
Pas lirimit ajo nuk ka pranuar ndonjë arsyetim nga autoritetet serbe, por as nuk është deklaruar për media.
Më herët gjatë ditës Sinanin e kanë ndalur edhe në pikën kufitare në Muçibabë, sërish duke mos thënë arsye për ndalesën.
Zyra e kryeministrit Kurti ka kërkuar nga Serbia të ndalojë diskriminimin me bazë etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Ndalimi i Këshilltares së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani në vendkalimin kufitar Muçibabë nga policia kufitare e Serbisë është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes. Znj. Sinani është ndaluar dhe mbajtur për gati një orë sot në pikën kufitare pa i dhënë arsye për ndalesën e saj e që për qëllim ka frikësimin dhe maltretimin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.
Sipas kryeministrisë, kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes.