Home » Kulturë » LUGINA E PRESHEVËS KA NËVOJË PËR INSTITUCIONE RAJONALE KULTURORE

LUGINA E PRESHEVËS KA NËVOJË PËR INSTITUCIONE RAJONALE KULTURORE

Xhemaledin SALIHUShkruan : Xhemaledin SALIHU

Luginën e Preshevës e përbejnë komuna e Preshevës,  e Bujanocit, të cilat edhe teritorialisht janë të lidhura dhe komuna e Medvegjës, të cilat janë komuna autoktone shqiptare me shumicë të popullatës shqiptare. Këto edhepse territorialisht nuk janë të lidhura/ajo e Medvegjës/, paraqesin etnikum të përbashkët shqiptar dhe tërësi etnike, kulturore, gjuhësore, etnomuzikologjike, të traditës, adeteve e zakoneve shqiptare, në kuadër të etnikumit gjithëshqiptar.

Presheva, Bujanoci dhe Medevegja aktualisht i takojnë Republikës së Serbisë, janë komunat më të varfura në Serbi si dhe i kanë specifikat dhe karakteristikat e veçanta në kuadër të kësaj Republike.

Ajo që i bënë të veçanta dhe specifike këto komuna është gjuha, simbolet dhe kultura e Shqiptarëve, të cilët jetojnë me shumicë në këtë krahinë.

Kohëve të fundit, krahas themelimit të institucioneve rajonale në mjekësi, Materniteti, e më vonë Spitali rajonal, pastaj në informim, themelimi i një RTV Rajonal për informim në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës, ndihet nevojë e madhe që të themelohen edhe Institucione Rajonale Kulturore në Luginë të Preshevës.

Për të cilët Institucione Rajonale Kulturore ka nevojë Lugina e Preshevës, gjegjësisht komuna e Preshevës, e Bujanocit dhe Medvegjës në veprimtarinë kulturore,po cekim më poshtë:

1.Themelimi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Krijimtarisë Kulturoretë Shqiptarëve, i cili do të merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kultivimin e krijimtarisë kulturore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Instituti do të punësonte arkeologë, arkitektë, inzhinierë të ndërtimtarisë, historianë, etnomuzikologë, kulturogë, folkloristë e tjerë.

2.Themelimi i Muzeut Rajonal, i cili do të merret me ruajtjen e eksponateve dhe gjithë trashëgimisë kulturore, historike, etnologjike e tjerë të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në Muze do të angazhoheshin kuadro profesionale:kuostosë, historianë e tjerë.

3.Themelimi i Arkivit Rajonal, i cili do të merret me ruajtjen e dokumentacionit arkivor të të gjitha llojeve dhe fushave: politikë, arsim, shkencë, kulturë, mjekësi e tjerë. Në Arkivë do të angazhohen kuadro të mirëfillta që me kohë do të profesionalizohen gjatë përsosjes shumëvjeçare.

4.Themelimi i Teatrit Rajonal i Luginës së Preshevës, i cili do të punësonte kuadrin aktual të aktorëve dhe regjisorëve .Teatri do të zhvillonte veprimtarinë teatrale, sidomos ajo që krijohet në Luginë të Preshevës.

5.Themelimi i Bibliotekës Rajonale, e cila do të merrte përsipër të zhvilloj veprimtarinë bibliotekare në Luginë të Preshevës, do të merrte punët e Amsisë nga Biblioteka e Vranjës, përshkak të specifikave të bibliotekarisë në gjuhën shqipe dhe do të merrte detyrën e bërjes së katalogimit të publikimeve si dhe do të shpërndante ISBN, numrin ndërkombëtar të pubikimeve që botohen në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës.

Detyrën e katalogimit dhe shpërndarjes së numrave e bënë Biblioteka Popullore e Serbisë, e cila me një vendim të veçantë mund t’i huazojë këto kompetenca, të pjesërishme vetëm për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përshkak të specifikave të gjuhës shqipe dhe vonesave që po lindin me rastin e katalogimit dhe shpërndarjes së numrave të publikimeve në gjuhën shqipe. Apo shumica e autorëve që botojnë publikime, shumica e përmbledheve të poezive dalin pa katalogim dhe numër të ISBN, çka jo vetëm që është në kundërshti me Ligjin për veprimtarinë botuese, por edhe janë publikime të egra që bibliotekat kombëtare mund të mos i pranojnë për fondet e tyre,

6.Shkolla e Ulët Muzikore, e cila do të shkollojë kuadro muzikore, të mirëfillta.

Për themelimin e këtyre Institucioneve Rajonale nevojitet pajtim i klasës politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, apo marrëveshje në mes të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pushteteve lokale të këtyre komunave si dhe faktorëve të tjerë relevant në Luginë të Preshevës.

Themelues i Institucioneve Rajonale do të ishte Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndërsa financimin do ta bënin Këshilli Kombëtar Shqiptar nga buxheti i transferuar republican dhe nga buxhetet e pushteteve lokale.

Selia e Institucioneve Rajonale në komunat e Luginës së Preshevës, do të ishte me marrëveshje të këtyre subjekteve, kurrsesi nuk do të ishte mirë grumbullimi i tyre në një komunë  apo sipas kuadrit që posedon komuna, aty do të themelohej edhe Institucioni Rajonal.

Në shikim të parë këto institucione duken sikur megalomane, të panevojshme, por është koha e fundit që të mendojme edhe për gjuhën, simbolet, dokumentacionin, trashëgiminë, kulturën, historinë tonë shqiptare më denjësisht dhe ato t’I institucionalizojmë, sikur veprojnë të gjithë popujt Europës Perëndimore. Përndryshe, jemi dëshmitarë të kohës se për çdo ditë po na ik trashëgimia kulturore, gjuhësore, historike, etnologjike dhe ajo po zëvendësohet me dashje apo pa dashje me ato të Lindjes dhe Perëndimit.

 

Preshevë, më 4 maj 2015

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress