Lugina e Preshevës përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit
Zyrtarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, përshëndesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit nda shtetasve të Serbisë që në kufi prezantojnë vetëm dokumente të këtij shteti.
Afrim Osaj është mërgimtar nga Mitrovica i cili ia kishte mësyrë Kosovës për pushime. Pas bllokimit të kufirit në Bërnjak ai u detyrua që të vijë në vendlindje përmes vendkalimit kufitar Dheu i Bardhë. Por aty hasi në pritje të gjata të cilat shkuan deri në 3 orë.
“Mitrovicë e kanë blloku, Prokuplje nuk shkuam, edhe erdhëm këtu, por shumë gjatë po na bije të presim”, thotë ky mërgimtar.
Kolona në hyrje me Republikën e Kosovës është e gjatë më se dy kilometra.
“As nuk na ka ndalë Austria, as Kroacia as Sllovenia, e madje as nëpër Serbi nuk kemi pas kontroll e këtu me ardhur te shpija, duhet të na i djegin fëmijët”, thotë mërgimtari Isuf Ahmetaj.
E masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Kosovës si dhe vendimin e mbrëmshëm për të prolonguar implementimin e tyre e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit institucional e politik të shqiptarëve të Luginës.
“Absolutisht Lugina e Preshevës mbështetë çdo vendim të Republikës së Kosovës që forcon sovranitetin dhe shtetësinë e saj”, thotë Ragmi Mustafi, kryetar i KNSh –së.
“Përshëndes vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit por e mbështes edhe vendimin e mbrëmshëm që është i koordinuar me faktorin ndërkombëtar”, thotë Nagip Arifi, kryetar i komunës në Bujanoc.
“Këtë, shqiptarët e Luginës së Preshevës ka kohë qe e kanë kërkuar, por kërkojmë që kjo të mos mbetet vetëm ndaj letërnjoftimeve por të jetë edhe në pranimin e diplomave edhe në çështjet e tjera”, thotë Enver Ramadani, kryetar i Kuvendit komunal në Bujanoc.
Ndër kërkesat kryesore të përfaqësuesve politik shqiptarë të Luginës drejtuar qeverive të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë ka qenë vendosja e masave të reciprocitetit në të gjitha sferat e jetës. Përkundër faktit se shqiptarët në Luginë janë numerikisht më shumë se serbët në Kosovë, megjithatë shqiptarët këtu mbetën më të diskriminuarit në rajon.
Average Rating