Luginë e Preshevës: Përfaqësuesit institucional kërkojnë përfshirjen e çështjes së Luginës në dialogun Kosovë-Serbi
Luginasit thonë se në bisedimet Kosovë-Serbi e që po ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga Miroslav Lajçak, do të duhej të kthenin sytë edhe nga shqiptarët e Luginës, si dhe të fusin si temë që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e tyre në Luginë të Preshevës.
Deklarata e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun me Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedës në dialogun Prishtinë – Beograd, ka ngjallur reagimet e përfaqësuesve institucionalë dhe të shoqërisë civile. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i ka quajtur shqetësuese deklarata e tilla, ndërkohë që zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Luginës ai e sheh te dialogu Kosovë – Serbi.
“Deklaratat e zotit Lajçak janë shqetësuese në rast se janë të vërteta dhe njëkohësisht kërkojë që institucionet e Republikës së Kosovës që të sqarojnë se çfarë ka ndodhur në këtë proces. Sepse shpresa e fundit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për zgjidhje përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës është në dialogun Kosovë – Serbi, sepse është pjesë e kontekstit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Ragmi Mustafi, kryetar i KNSH-së.
I pari i Kuvendit në Bujanoc, Enver Ramadani e ka quajtur politike deklaratën e Mirosllav Lajçakut, ndërkohë që ai iu beson institucioneve të Republikës së Kosovës për përfaqësim të shqiptarëve të Luginës në procesin e dialogut.
“ Neve jemi në kontakte të vazhdueshme me krerët e Republikës së Kosovës, me Qeverinë e Kosovës, me presidencën, dhe shpresojmë njëkohësisht besojmë fuqishëm që shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen në dialogun Kosovë ? Serbi e vetmja zgjidhje për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Luginës së Preshevës në tërësi. Kjo deklaratë është politike dhe jo e bazuar në dialogun mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe krerëve apo institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë Enver Ramadani, kryetar i Kuvendit në Bujanoc.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, mendojnë se Lajçak ka ngritur një temë në vete kur ka thënë se u takon palëve që të përcaktojnë temat e dialogut, ndaj institucionet e Republikës së Kosovës e kanë obligim shtrimin e temës së Luginës në procesin dialogut.
“Siç tha edhe kryenegociatori Lajçak, i takon palëve vet që të propozojnë temat të cilat duhet të diskutohen, kështu që pala kosovare në mënyrë emergjente duhet që në takimin e ardhshëm ta shtrojë edhe pozitën e shqiptarëve të Luginës” thotë Jeton Ismaili, gazetar.
“Kemi pritur që nga këto bisedime tashmë të kemi një zgjidhje të problematikave që i kemi në Luginë të Preshevës, tashmë e njëzet vite. Prandaj, kërkojmë që nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga bisedimet Kosovë – Serbi, çështjet e Luginës së Preshevës të shtrohen në tavolinën e bisedimeve” Shefku Jonuzi, nga OJQ Shoqata për Vizion dhe Zhvillim.
Kërkesa e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zgjidhjen e gjendjes së tyre në mënyrë reciproke me statusin e serbëve të Kosovës përmes procesit të dialogut Prishtinë – Beograd, përveç që ka qenë e përhershme, ajo është jetike për një stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në këtë zonë.
Average Rating