Me titullin “Serbia dhe Kosova duhet ti shkëmbejnë territoret” artikulli i medias së njohur gjermane “Deutschlanfunk.de” shkruan për ngjarjet e fundit të dialogut mes dy presidentëve: Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.
“Një pajtim mbi Ballkanin kërkojnë ta arrijnë presidentët e Serbisë dhe Kosovës – një korrigjim kufijsh mes shteteve. Megjithatë, mbi Ballkan sundon një dyshim i madh: serbët, njashtu edhe shqiptarët kanë frikë nga jo-stabiliteti”.
Pasi përmenden figurat që janë shprehur kundër shkëmbimit të territoreve, mes tyre edhe shefi i PDK dhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, media gjermane shkruan se është “koha për një marrëveshje të madhe mes dy burrave të fuqishëm”. Ata e dijnë se do qëndrojnë përgjithmonë në pushtet, nëse fitojnë mbështetjen e Komunitetit Ndërkombëtar.
Siç dihet te komuniteti ndërkombëtar nuk ka më në qendër të vëmendjes zënkat dhe interesat e shoqërive të vogla. Por është presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Komisioni Europian, të cilët “fuqishëm mbështesin shkëmbimin e territoreve.” Kundër kësaj ideje është kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe me pak më entuziasëm edhe kryeministrja britanike Theresa May.
“Presidenti rus stepet. Në fakt ai është përfituesi më i madh i ndonjë marrëveshjeje: nëse Rusia dhe Serbia njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë duhet të vlejë edhe e kundërta, njohja e aneksimit të Krimesë prej amerikanëve. Përshpëritjet në Portën e Lartë të Stambollit dëgjohen deri në Luginën e Preshevës, thuheshte në kohën osmane. Por kjo nuk vlen për banorët e Ballkanit nga përshpëritjet në fshatrat malorë të Tirolit,” e përmbyll media gjermane duke kujtuar bisedën e parë të para disa javëve rreth korrigjimit të kufijve mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiq në Tirolin Jugor.