MINATOR NË ATDHE, MINIERË NË MËRGIM…
Hysen Ibrahimi
Sot doli nga shtypi një libër i veçantë autor i të cilit është Fetah Bahtiri. Libri mban titullin ”FEJZË HALILI, MINATOR NË ATDHE, MINIERË ATDHETARIE NË MËRGIM”, dhe fund e krye i kushtohet veprimtarit Fejzë Halili i cili më datë 13 janar 2023 ndërroi jetë në Suedi ku jetoi e veproi gjatë 34 viteve të fundit të jetës së tij dhe më datë 19 janar u varros në varrezat e qytetit të Mitrovicës, në Shipol.
Lajmi i hidhur për vajtjen e Fejzë Halilit në amshim i goditi rëndë të gjitha ata që e njohën këtë njeri punëtor, të sinqertë, të ndershëm, të palodshëm dhe patriot të madh. Autori i librit, Fetah Bahtiri, e ka pasur bashkveprimtar dhe bashkëpunotor për më shumë se tri dekada, prandaj vdekja e tij atë e ka goditur rëndë. Shi për këtë arsye ka vendosur që ta shkruaj këtë libër.
Autori që në fillim sqaron: “Verba volant, scripta manent që do të thotë: Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet është një thëne latine e cila më trokiti menjëherë në tru. Kjo bëri që ia hyra punës për shkruarjen e këtij libri për njeriun e denjë për respektin më të madh që ndokush nga bashkëpunëtorëte mi e ka gëzuar në Suedi.”
Në këtë libër paraqitet veprimtaria e veprimtarit Fejzë Halili duke vërtetuar çdo gjë me shumë dokumente, lista, vërtetime e procesverbale në të cilat ndodhet nënshkrimi të ndjerit Fejzë Halili. Këto gjurmë të tij kanë mbetur për jetë dhe një ditë do të mburret e tërë familja, pasardhësit e tij, Mitrovica, minatorët dhe mbarë Dardania e kombi shqiptar. Nga dokumentet e prezantuara shihet qartazi se Fejzë Halili ishte çdo herë aty ku kërkohej për të qenë në shërbim të atdhuet, në shërbim të njerëzve me nevojë, në shërbim të çështjes shqipatare, duke punuar me orë të tëra, edhe me nga 12 orë në ditë, në Zyrën e Fondit të Republikës së Kosovë në Suedi.
Kontaktet e tij me bashkatdhetarë në tërë Suedinë ishin të përhershme dhe asnjëherë nuk diti të thoshte se ishe i lodhur. Pjesëmarrja e tij në takime me bashkatdhetarë ka qenë e mirëpritur, sepse ai çdoherë ka rrezatuar çiltërsi, besnikëri dhe atdhetari.
Dëshiroj t´i shtoj edhe dy-tri fjalë për autorin e këtij libri, Prof. Fetah Bahtirin.
Prof. Fetah Bahtiri, i çaset kësaj vepre si diçka që e ka ndjerë në shpirt, diçka kur ai shkuarjen e veprimtarit Fejzë Halili në amshim e ka ndjerë me dhimbje të madhe, ndarje jo e zakontë nga jeta, diçka emocionuese. Për këtë arsye me ide shumë mobilizuese, arrin në kohë rekode ta nxjerrë këtë vepër tejet me rëndësi.
Autori, personazhin e kësaj vepre e përshkruan mbi bazë të fushëveprimtarisë së tij, e që edhe më herët kishte shkruar për personalitetin e Fejzë Halilit. Përveç shkrimeve të mëhershme autori motivohet edhe nga njohja e tij e drejtpërdrejtë me personazhin pasi që gjatë disa dekadave kanë punuar dhe vepruar bashkërisht për çështjen kombëtare në Suedi dhe në atdhe. Kështu, Prof. Fetah Bahtiri në detyrën prej shkrimtari për këtë vepër bëri më tepër se sa që mund të bëjë një shkrimtar i zakonshëm.
Unë konsideroj se ky libër është një vepër me rëndësi kombëtare, historike e letrare duke zgjedhur dhe vënë në letër fuqishëm veprimtarinë atdhetare e humane të personazhit me emrin Fejzë Halili.
Ky libër me dedikim për Fejzë Halilin, jam i bindur se do të mirëpritet me interesim të madh nga të gjithë veprimtarët dhe bashkatdhetarët shqiptarë në Suedi dhe më gjerë, jo vetëm se e pasqyron bindshëm veprimtarinë e Fejzë Halilit, por edhe për faktin se do të jap impulse të reja për krijues të tjerë që duan të shkruajnë për këtë personalitet dhe personalitete të tjera të merituara.
E përgëzoj autorin Prof. Fetah Bahtirin, i cili me një sinqeritet të jashtëzakonshëm, nuk harron veprën e një bashkëatdhetari të respektuar nga të gjithë siç ishte Fejzë Halili.
Average Rating