Home » Lajme, Opinione » MOS E HUMBNI SHPRESËN!

MOS E HUMBNI SHPRESËN!

Leonora Laçi

“Shqipëria ka të ardhme. Mos e humbni shpresën! Tani po fillon gjithçka.” Këto ishin fjalët e Marianna Graf në një kohë të zymtë, që ia drejtonte shpesh njerzëve që takonte sa në një cep, në cepin tjetër të Shqipërisë.

Sa e vështirë është ta ruash shpresën, e kur e ke humbur ta rikthesh  atë, tek një popull që e kishte humbur atë rrugës e bashkë më shpresën kishin humbur dhe vetë në rrugëtime pa krye. Tek një popull që parajsa ia kishte mbyllur portat, dhe ferri ishte i vetmi që ata kishin njohur përgjatë diktaturës komuniste.

Marianne Graf njohu dhimbjen e një popull që ende ecte somnambul në postdiktaturë, ende shihte makthet e asaj kohe sa herë vinte gjumë në sy, si hije diktatura rendte pas tyre…Dimri i komunizmit kishte qenë më i gjati dimër dhe më i ashpri se çdo dimër stinor tjetër.

Sa durimçare kjo grua ! Me një popull që nuk kishte më besim në aftësitë e veta, një popull që nuk e dinte më të ardhmen e vet, lëngonte në shtratin e vdekjes, nuk dinte as ku shkonte as pse shkonte, belbëzonte për “liri e demokraci” por pa e ditur se çfarë janë këto terma, apo si arrihen ato. Marianne nuk e humbi për asnjë çast besimin se do ia dilte të shëronte sado pak plagët e regjura të një populli si shqiptarët. Ajo tregoi dhembshuri, dashamirësi, durim, besim, kembëngulje që gjërat të çohen deri në fund. Bashkë me Mariannen edhe Uilli e Skenderi. Skenderi si krah i djathtë i saj që zbatonte në praktikë ato që Mariana i jepte në letër e të dy i jepnin jetë projekteve të tyre, shpesh herë pa vënë gjumë në sy. Këta janë heronjt e heshtur që punuan për Shqipërinë pa pritur asgjë nga Shqipëria, pa pritur medalje e mirënjohje, bënë punën e institucioneve shqiptare kudo ku ishte e nevojshme.

Si nuk kanë hequr dorë?!- Kështu mendova me vete teksa lexoja librin” Marjana-Historia shqiptare e një austriakeje- e shkruar me mjeshtëri nga Lindita Sina dhe botuar nga Shtëpia Botuese Kompass. Një libër që të ngërthen pas vetës si roman por në të vërtetë asgjë nuk është e idealizuar, aty janë të vërtetat e një kombi, plagët e tij, dhimbjet e tij. Libri duke përshkruar kalvarin e Marjanës për të realizuar projektet e saj dhe pengesat që ajo haste, pa dashje na ka paraqitur një Shqipëri lakuriqe, na ka sjell përpara nesh edhe historinë e së djeshmës së afërt që ka kaluar përpara syve tanë dhe është ende e freskët, na paraqet kalvarin e një populli të tërë që vraponte drejt lirisë, sikur liria të mos ishte në Shqipëri por përtej kufijve politik të saj.

Unë si lexuese e këtij libri pata një ndjeshmëri shumë të madhe teksa e përpiva së lexuari. Lexim dhe reflektim ndaj realitetit tonë të dhimbshëm dhe kur ky realitet është kaq afër meje e bënë që përjetimi të jetë edhe më i thellë dhe të bëj një retrospektiv me të sotmen. E të ngre disa pikëpyetje duke kthyer kokën prapa, se:-A ka ndryshuar Shqipëria?! A është në rrugën e duhur?! A e kemi marrë fatin tonë në dorë si duhet?! A kemi punuar mjaftueshëm me vetën tonë?! A e kemi shporrur mentalitetin komunist mes nesh?! Sa kemi punuar për lirinë e demokracinë që aq shumë e dëshiruam?!

Kur Marjana hodhi sytë nga Shqipëria unë isha një foshnje e porsa lindur dhe përshkrimi i ngjarjeve të ndodhura në ato vite pa dashje më bëjnë edhe mua të reflektoj për vitet e vështira në të cilat ndodhej Shqipëria, kolapsi ekonomik e social, kriza humanitare, kriza politike, paqartësia për të ardhmen, mungesa e politikanëve vizionar. Sa e vështirë t’i emertosh ato vite ?! Ku lotët e gëzimit të rënies së sistemit komunist shpejtë u zevendësuan me lotë të pasigurisë së jetës.

 Marjana erdhi në kohën e duhur në mesin e shqiptarëve që ende nuk po e merrnin vetën dhe nuk po shihnin dritë në fund të tunelit, ajo i ngrohu sadopak zemrat e atyre familjeve që patën fatin e mirë të ishin në vemendjen e saj. Po e ilustroi këtë mendim timin me një fragment nga libri saj-” Takimi i parë me shqiptarët zgjoi tek ajo përshtypjen, që njerëzit që po haste, kishin kohë të gjatë pa parë dritë, sikur të kishin kaluar vite me rradhë të ngujuar diku. Edhe më trishtues ishte për te ky përjetim, kur kuptoi, se ishte dëshpërimi ai që u kishte grabitur këtyre njerëzve dritën e syve.”- përforcon znj.Sina mendimin e saj.

Ikja u bë kryefjalë për shpëtim, ikja drejt asaj varke që në te udhëtonin sëbashku vdekja dhe shpëtimi, dhe ti ishte në fije të periti, rrisku i atij që fija nuk iu këput…Por në malet  e thella edhe lajmet e demokracisë shkonin me vonesë e Marjana ishte sinjali i parë për demokraci, për liri, për shpresë. Të shihje një të huaj dhe ai të mos ishte armik siç ishte mësuar diktatura t’i quante, ishte pra një ngjarje e pazakontë.  

Autorja e librit Lindita Sina shkruan më të drejtë :-” Në kontaktet e saj të para me shqiptarët Marianne kishte vërejtur tek cilido, që fliste me të, një lloj tendosjeje. Atmosfera e bisedës ndryshonte aty për aty. Në njërën anë entuziazëm për të folur me dike një gjuhë, të cilën e kishin njohur vetëm nga librat e vjetër. Në anën tjetër, pasiguria nëse ata po silleshin siç duhet. Këtyre u shtohej edhe mosbesimi mbi arsyet, që duhet ta kishin shtyrë atë person për të ardhur pikërisht në këtë kohë në Shqipëri, kur vetë shqiptarët përpiqeshin të dilnin nga vendi i tyre pa jetë e pa të ardhme. Njëkohësisht ata ndjenin pafuqinë për të menduar dhe vepruar si të huaj dhe paaftësinë për të ndryshuar diçka. Tek e fundit besonin, se të huajt nuk do të ishin kurrë në gjendje të kuptonin shqiptarët dhe realitetin e tyre, ku çdo gjë dukej se kishte marrë fund.” Mjafton të analizosh këtë fragment kaq kuptimplotë për të kuptuar se sa dëme ka bërë komunizmi tek karakteri i shqiptarit.

Marjana ishte shpirti i aksioneve, e ndiqej këmba-këmbës nga Skenderi,  që punët të merrnin drejtimin e duhur. Këta të dy ishin bashkëpunëtorë të pandarë, të besueshëm jo vetëm për njëri-tjetrin, por kishin fituar edhe respektin e banorëve ku shkonin për t’i ofruar ndihmë. Marjana përdorte diplomacinë për zgjidhjen e pengesave që dilnin ndërsa Skenderi përdorte përveç diplomacisë edhe autoritetin e malësorit aty ku ishte nevoja. Marjana kishte bindjen se aty ku lindnin probleme edhe zgjidhjet nuk ishin larg, veçse ato duheshin zbuluar.

Marjana e filloi nga A-ja, që ishte shkolla, pa edukim të një popullit s’ka ardhmëri, për të vazhduar me B-në shëndetin dhe mirëqenien fizike të këtij populli. Shkolla vendi ku kishte zanafillën edukimi i brezave, sa më në veri që shkonte aq më e thellë ishte dhimbja e varfëria. Në fjalën që Marjana mbajti për rinovimin e një shkolle në Fier tha mes të tjerash:- “Nëse femijët dhe të rinjtë marrin sot një arsim të mirë, ata vetë dhe gjithë Shqipëria do të kenë një të ardhme po ashtu të mirë duke iu përafruar gjithmonë e më shumë standarteve të Europës. Projekti i rinovimit të shkollës në Fier synon jo vetëm ndihmën konkrete dhe të menjëhershme në terren, por edhe përcjelljen e një mesazhi të qartë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit: Shqipëria nuk qëndron e vetme në këtë kohë të vështirë. Shoqata AAP, Partneriteti Shqipëri-Austri, do të bëjë çdo përpjekje për të dhënë ndihmesën e saj në këtë drejtim.”

Përjetimet dhe përkushtimi në atë që Marjana bënë, na përshkruhen në këtë botim me detaje, përmes librit unë nuk njoha veç Marjanen misionare por dhe dhembshurinë e shpirtit të saj, humanizmin, dashurinë për njerëzit, dobësinë e saj përpara atyre që vuajnë, Marjanen e perkushtuar tek familja, Marjanen që ka forcë dhe besim të madh tek vetja, që ka aftësi të bind çdo kend me fjalët e saj, Marjanen që i shkon problemeve në rrënjë. E ardhur nga një kulturë që lirinë e ka kryefjalë dhe përballja me një vend që kishte disa dekada që ia kishte harruar kuptimin kësaj fjale. Gradualisht Marjana i ktheu besimin njerëzve. Nuk e stepen dyert që iu mbyllën, as skepetikët, as arroganca e disave, as ngjarjet sporadike nga njerëz dashakeqës e përfitues.

Siç shkruan autorja e jetëshkrimit të Marjanes për raportin që ajo kishte me njerëzit:- “Ajo vepronte ndryshe. Puna e saj fillonte aty, ku për të tjerët ajo kishte marrë fund. Gjithkush ndihej i dobishëm dhe i përgjegjshëm, sepse ajo tregonte besim tek aftësitë e secilit.”

Qysh në vitin 1992 Marjana me Uillin nuk u ndalen në projektet e tyre për Shqipërinë, rinovime shkollash e spitalesh, ndërtime godinash të nevojshme, pako me ndihma në ushqime, veshëmbathje, artikuj shkollor, pajisje mjekësore të nevojshme etj.  Siç cilësohet dhe në libër se:-“Janë shpërndare më shumë se 30.000 pako familjare, të cilat, të vëna në rradhë, mund të krijonin një varg prej 21 kilometrash. Të gjitha ishin paketuar pa përjashtim nga Marjana dhe Uilli. Shumë familje në shumë fshatra e vise të Shqipërisë veriore u furnizuan në kohët e tyre më të vështira. Ato që merrte Marjana me vete pas çdo aksioni shpërndrarjeje ishin mirënjohja e shqiptarëve si dhe listat, ku konfirmohej dorëzimi i pakove. Me kalimin e viteve në zyrën e saj u grumbulluan një mori listash të tilla.”

Buzqeshja në fytyrat e fëmijëve ishte shpërblimi më i madh që mori nga Shqipëria.

Marjanë dje na the neve mos ta humbim shpresën e tani ne po lutem për ty që ti mos ta humbësh shpresën !

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch