Home » Kulturë » NDAHET NGA JETA PROF. SHABAN DEMIRAJ-AKADEMIK, PERSONALITET I SHQUAR I SHKENCËS, ARSIMIT E KULTURËS SONË KOMBËTARE

NDAHET NGA JETA PROF. SHABAN DEMIRAJ-AKADEMIK, PERSONALITET I SHQUAR I SHKENCËS, ARSIMIT E KULTURËS SONË KOMBËTARE

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Shaban Demiraj e Gecaj

Nga e djathta: Prof.Dr. Shaban Demiraj e M.Gecaj (5 mars, 2008)

 

Në moshën mbi 94-vjeçare, në kryeqytetin Tiranë,  nda përgjithnjë nga jeta prof.dr.Shaban Demiraj-Akademik, “Mjeshtër i Madh” e “Mësues i Popullit”. Ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit, u organizua sot në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ai ishte kryetar disa vjet radhazi. Bënë homazhe familjarë të tij, ish-kolegë e ish-studentë të shumtë, personalitete të arsimit, shkencës e kulturës. Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i dërgoi familjes meszh ngushëllimi.

1.

Ja vitet, ikin me shpejtësi dhe si pa u kuptuar…14 vjet më parë, pata kënaqësinë të merrja pjesë në festimin e përvjetorit të 80-të  të lindjes së prof.dr. Shaban Demirajt-Akademik. Ajo ceremoni e thjeshtë u zhvillua në një zyrë të Akademisë së Shkencave, ku ai kishte punuar e drejtuar, me vullnet e pasion, për disa kohë. Nga blloku i shënimeve, po shkëpus këto radhë, që i kam mbajtur atë ditë:

“Në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në një mjedis të ngrohtë miqësh e kolegësh, u organizua ceremonia e dhënies së titullit të lartë, “Mjeshtër i Madh”, Akademikut Prof.Dr. Shaban Demiraj, “Mësues i Popullit”, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Merrnin pjesë anëtarë të kësaj Akademie, punonjës të institucioneve qendrore shkencore dhe atyre të larta arsimore, kolegë e bashkëpunëtorë të afërt të tij…”.

Më tej, shënoja se aty foli Prof.Dr. Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai theksoi punën shumëvjeçare, të gjërë dhe të frytshme të Akademikut Demiraj, këtij personaliteti të shquar të shkencës, arsimit e kulturës shqiptare. Më tej, nënvizoi veprimtarinë e madhe kumtuese e botuese të tij, brenda e jashtë vendit, sidomos në fushën e albanologjisë. Gjithashtu, u ndal në ndihmesën e dhënë nga prof. Demiraj në përgatitjen dhe edukimin e disa brezave të mësuesve të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe cilësitë e tij: ndershmërinë, korrektësinë, përkushtimin në punë etj.

Pas dorëzimit të titulli të lartë, Prof. Demiraj shprehu falënderimet për vlerësimin e madh, që i bëhej dhe premtoi se do ta vazhdonte më tej punën e tij, shkencore dhe arsimore. Gjatë koktejit, të organizuar me këtë rast, u sollën kujtime intime e u bënë vlerësime të larta për jetën dhe veprimtarinë arsimore e shkencore të Prof. Shaban Demirajt. Kështu, folën kolegët e bashkëpunëtorët e tij: Bedri Dedja, Ethem Lika, Hamit Beqja, Tish Daija, Floresha Dado, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe e Seit Mansaku.

2.

Lindi në Vlorë, më 11 janar 1920. Pas çlirimit të vendit, punoi ca kohë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Në vazhdim të studimeve të tij, në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Si nxënës i Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit e më pas i Eqrem Çabejt, duke parë aftësitë e tij, që nga kjo kohë u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik, ndërsa më 1957 në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.  Tregues i përgatitjes së tij shkencore e pedagogjike ishte titulli “Profesor”, që e meritoi më 1972. Pas krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1989 u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj. Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer si përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Më 1977 iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”. U nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, më 1979 dhe me “Çmimin e Republikës” të klasit I, më 1989. Në vitet e para pas krijimit të Universitetit të Tiranës, lëndët albanologjike për ne studentët e Fakultetit Histori-Filologji ishin më të vështira dhe kërkonin më tepër vëmendje, djersë e shqetësim. Ndër këto lëndë ishte dhe morfologjia e shqipes. Leksionet e kësaj lënde na i jepte pedagogu Sh.Demiraj. Kishim dëgjuar se ai kishte nisur një shkollë fetare, por ishte larguar andej për t’iu përkushtuar më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Nuk di se përse, por në mendjen e ne të rinjve ai ishte pedagog shumë strikt, kërkues dhe rigoroz, çka na bënte të mos e nënvleftësonim aspak lëndën e tij. Përkundrazi, shkonim rregullisht në leksione e seminare dhe përgatiteshim seriozisht për kërkesat e tij.

Me gjithë këtë “rreptësi” të prof. Shabanit, ndjenim se ishte dhe mjaft dashmirës ndaj nesh. Këtë gjë e provuam dhe kur disave na u dhanë temat e diplomës. Ai u tregua i gatshëm të na ndihmonte dhe të na udhëzonte, për çka ne ishim të interesuar. Po kjo përkujdesje e tij u duk edhe në kohën e mbrojtjes së diplomave.

Prof.Dr. Shaban Demiraj u shfaq kurdoherë para kolegëve e studentëve:  punëtor i palodhur, me vullnet  të paepur dhe mjaft prodhimtar. Ai njihet autor i shumë veprave shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë. Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953). Ndër këto, përmendim edhe: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980), “Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), “Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989). Studime të tij me interes të veçantë janë ato për filologjinë e arbëreshëve.  Një libër të posaçëm (më 1990) i ka kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, Prof.Dr. Eqrem Çabej-Akademik. Ndërsa më 1994, botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.

Me interes mjaft të  madh është libri i shkruar nga Prof.Demiraj kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e spikatur me titull: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe”, (Tiranë, 1999). Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.

Ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca kombëtare e ndërkombëtare për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja. Në “Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1972), lexoi kumtesën: “Çështjet gramatikore në Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Po kështu, ka mbajtur ligjërata pasuniversitare ose kumtesa në Prishtinë, Shkup, Beograd, Sofje, Kluzh, Kopenhagë, Insburk, Vjenë, Romë, Paris, Këln etj.

Veçanërisht ishte e dukshme ndihmesa e Prof. Demirajt për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe. Për këtë gjë dëshmon edhe përfshirja aktive e tij në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por dhe përpjekjet e tij të mëpastajme. Ja çfarë thoshte ai, në një bisedë të tij:

“Të gjithë duhet të përpiqemi që ta përsosim vazhdimisht shqipen tonë letrare, e cila i ka përmbushur gjithnjë dhe më mirë kërkesat e një shoqërie me zhvillim të pandërprerë. Të gjithë duhet të përpiqemi ta zhvillojmë e ta pasurojmë atë dhe, njëkohësisht, ta ruajmë nga ndikimet e gjuhëve të tjera dhe sidomos nga vërshimi i fjalëve të huaja të panevojshme, dukuri kjo, që kohët e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Dhe, me këtë rast, një punë të madhe mund dhe duhet të bëjnë sidomos arsimtarët, shkrimtarët dhe gazetarët, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi brezin e ri dhe mbi masat e gjëra të lexuesve”.

3.

Gjatë jetës, pas mbarimit të studimeve të larta, jam takuar shumë herë me Prof. Shaban Demirajn. Këto kanë qenë në tubime të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare. Por dhe me rastet, kur kam biseduar me të në detyrën e gazetarit. Edhe kur ai u bë Kryetar i Akademisë së Shkencave, në vitet e Demokracisë, gjithnjë vazhdoi të ishte i thjeshtë, dashamirës dhe i gatshëm për ato, që i kërkoja. Më vinte mirë se tani ishte më i lirë, më i çiltër dhe i shpenguar. Dukej se më parë kishte pasur një si “barrë” në kurriz, si shumë intelektualë tjerë të shquar. Megjithëse i moshuar e i pamundur nga gjendja shendetësorë, ai ka marrë pjesë e ka folur jo një herë edhe në veprimtari të Shoqatës sonë të Arsimtarëve të Shqipërisë, ku jam sekretar i përgjithshëm.

Janë me qindra e mijëra ish-studentët e bashkëpunëtorët e rinj të Prof. Shaban Demirajt, anë e mbanë Shqipërisë. Ai kurdoherë është treguar i pakursyer me këshillat e tij në leksione, udhëheqje diplomash e disertacionesh, me recenza etj. E gjithnjë u ka edukuar atyre dashurinë e vullnetin për punë, studim e krijimtari shkencore. Ja se si u drejtohej atyre dhe shprehte besimin ndaj tyre, në një rast:

“Mesazhi im për intelektualët tanë të rinj është që të punojnë me përkushtim, secili në fushën e tij, për të ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të vendit tonë. Shqipëria ka një potencial intelektual të pasur, i cili duhet nxitur që t’i shfrytëzojë sa më shumë aftësitë e tij për të mirën e vendit tonë. Por, për këtë qëllim, intelektualët tanë të rinj edhe duhen ndihmuar me të gjitha mënyrat që të mos detyrohen të braktisin Atdheun dhe të shkapërderdhin energjitë e tyre në dhe të huaj”.

Ja, i tillë është, me pak radhë, portreti i këtij ish-pedagogu të sa e sa breza studentësh, studiuesit të pasionuar të shqipes dhe intelektualit të shquar Prof.Dr. Shaban Demiraj-Akademik, i cili i me jeetën e tij të përkushtuar I ka bërë nder  arsimit e kulturës kombëtare dhe shkencës shqiptare, mbarë vendit e popullit tonë.

Tiranë, 31 gusht 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch