Home » Lajme, Vendore » Në janar, demarkacioni procedohet në Kuvend

Në janar, demarkacioni procedohet në Kuvend

Komisioni që është emëruar nga Ramush Haradinaj për demarkacion, sërish beson se komisioni i vjetër ka bërë gabim me demarkimin e kaluar.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi pritet të dal në Kuvend në janar të viti të ardhshëm. Sipas Komisionit për Punë të Jashtme, kjo marrëveshje e konsideruar nga opozita si kontradiktore, do të dal në Kuvend pas datës 15 janar 2018, kur edhe Kuvendi i Kosovës kthehet nga pushimi dimëror.

Këtë qëndrim Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme e mori pas prezantimit disa orësh të fakteve nga Komisioni i ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Komisioni që është emëruar nga Ramush Haradinaj sërish beson se komisioni i vjetër ka bërë gabim me demarkimin e kaluar.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqi, ka ripërsëritur se ish-komisioni ka bërë gabime dhe ka tejkaluar kompetencat e tij.  Ai tha se ish-komisioni i ka hyrë procesit të delimitimit pa një marrëveshje paraprake, duke caktuar vijë të re kufitare. Por, kësaj radhe, Bulliqi u fokusua në shpalosjen e fakteve rreth kontrollit efektiv të kufirit.

“Kosova ka menaxhuar me rrugën, Kosova e ka ndërtuar rrugën, Kosova e ka shtruar asfaltin, Kosova e ka mirëmbajtur rrugën, Kosova i ka bërë ato projekte për rrugën, Kosova e ka kontrolluar atë territor deri me datën, në bazë të një shkrese, 12.01.2009 dhe kjo është një shkresë zyrtare e Policisë së Kosovës, ku për herë të parë nga pala malazeze kërkohet që kompanitë tona tash e tutje mos të shkojnë të pastrojnë dhe mirëmbajtjen atë rrugë të cilën e kemi mirëmbajtur tash e 67 vjet, prej 1945 deri në janarin e vitit 2009”, tha Bulliqi.

Ndërsa, profesori i së drejtës ndërkombëtare Zejnullah Gruda, theksoi se komisioni i kaluar ka caktuar kufirin e ri, e jo demarkimin e kufirit ekzistues, ashtu siç e ka pasur edhe kompetencë. Madje, sipas profesorit Gruda, ish-komisioni është dashur ta ndërpret punën pas kalimit të kompetencave.

“Problemi ka qenë që këta janë lëshuar në një punë që nuk ka qenë punë e tyre, në drejtësi i thonë kryerja e punëve e personave të pa thirrur të punëve tjera. Edhe kjo është ajo që përbën defektin ose shtrembërimin me të madh. Në momentin që ka filluar punën komisioni i përbashkët me malazezët është parë qartë se dy komisionet kanë fushëveprim të ndryshëm të mandatuar ose janë të autorizuar me punë të ndryshme…Pra këta kanë ardhur me një mandat tjetër, të caktojnë kufij të ri, jo ta shënojnë kufirin dhe këtë e keni në të gjitha procesverbalet”, u shpreh Gruda.

Ndërsa, anëtari tjetër i këtij komisioni Florim Isufi, ka paraqitur një argument që sipas tij, dëshmon se Kosova ka kontrolluar pjesën kontestuese në vitin 1981. Sipas tij, në një aksident të ndodhur po atë vit, Mali i Zi nuk është marrë fare me të, derisa të gjitha procedurat i ka kryer ish-Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress