Në vend të anëtarësimit sot është dita e mosanëtarësimit të Kosovës në KiE
Sot do të duhej të ishte dita e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por kjo nuk ka ndodhur, pasi Qeveria e Kosovës ka refuzuar ta përmbushë kushtin që iu kërkua nga disa vende anëtare. Prandaj, sot në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Megjithatë, vendet anëtare kanë shprehur gatishmëri që Kosova të mund të bëhet anëtare në një fazë të mëvonshme, nëse e dërgon draftin e Asociacionit në Kushtetuese. Përmes ministres së Jashtme, Kosova dje e dërgoi letrën zotuese për Asociacionin, por letra u konsiderua e vonuar.
Nga përkrahja për Ukrainën e deri të sfidat që i sjellë inteligjenca artificiale, ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës diskutuan dhe vendosën për shumë çështje, por jo edhe për të shumëpriturën, anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Krejt çfarë i mbeti përfaqësuesve të kësaj organizate ishte shqyrtimi i mënyrave si të shkohet tutje me procesin e anëtarësimit të vendit.
“Anëtarësimi i Kosovës është përmendur disa herë sot gjatë deklaratave të ministrave. Ne kemi marrë letrën nga Asambleja e Përgjithshme, me rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës. Dhe, në kuadër të presidencës sonë bëmë gjithçka që mundëm për të çuar përpara procesin, së bashku me të gjitha shtetet anëtare. Dhe, Komiteti i Ministrave ka nisur tashmë diskutimet për këtë çështje dhe aktualisht po shqyrton se si të vazhdojë tutje”, tha Dominique Hasler, ministre e jashtme e Lihtenshtjanit.
Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të shefave të diplomacive evropiane të organizatës më të vjetër në botë. Epilogu pozitiv i votimit nuk ishte i garantuar meqë nga Kosova u kërkua që të përmbushë një parakusht e i cili lidhet me hapa konkrete drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sidoqoftë, kjo çështje nuk u la pa u përmendur gjatë takimit ministror, para së gjithash nga fqinjtë e Kosovës.
“Komiteti i Ministrave duhet të veprojë i frymëzuar nga thirrja e Asamblesë Parlamentare, e cila pasqyron misionin thelbësor të organizatës sonë. Mirëpresim të gjitha shoqëritë dhe njerëzit që u përmbahen vlerave tona. Ndërsa qeveria e Kosovës duhet të përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare dhe të dëgjojë me kujdes përkrahësit e saj më të vendosur, të mos humbasim më kohë dhe ta korrigjojmë këtë gabim duke mbajtur së shpejti një tjetër ministror dhe të mirëpresim popullin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Igli Hasani, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Sikur shefi i diplomacisë shqiptare, ashtu edhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, bënë thirrje që të mbahet një takim i jashtëzakonshëm ku Kosova do pranohet në Këshillin e Evropës.
“Është me rëndësi të madhe që të mos i shmangemi pranimit të të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe përkushtimet tona. Prandaj, ne e kemi mbështetur vazhdimisht synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim rekomandimin e Asamblesë së Përgjithshme për të ftuar Kosovën për t’iu bashkuar kësaj organizate. Ne besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet e tjera. Anëtarësimi sa më i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.
Kryesuesja e radhës në këtë organizatë, Ministria e Jashtme e Lituanisë, ishte pak më optimiste për fatin e Kosovës, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Nuk kam shumë për të shtuar lidhur me Kosovën. Nuk është çështja nëse do ndohë por kur do të ndodhë. Procesi do vazhdojë”, tha Ingrida Šimonytė, kryeministre e Lituanisë
Për anëtarësimin e Kosovës është i domosdoshëm pëlqimi i ministrave. Ata takohen vetëm një herë në vit. Gjithnjë ekziston mundësia për organizimin e takimit të jashtëzakonshëm, ku do votohej anëtarësimi i vendit në organizatë. Sidoqoftë për momentin nuk ka konfirmim nëse ka disponim për një takim të tillë, në mënyrë që anëtarësimi mos të shtyhet për vitin tjetër.
Average Rating