Home » Kulturë » Në vend të një urimi: DITMBARA VATNIKAJ: BISEDË E PAMBARUAR, ME GAZETAREN E RE…

Në vend të një urimi: DITMBARA VATNIKAJ: BISEDË E PAMBARUAR, ME GAZETAREN E RE…

Nga: Murat Gecaj

Murati, Ditmbara e Shefqeti

Nga e majta: Murati, Ditmbara e Shefqeti (Tiranë, 2011)

Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, më poshtë po ribotoj një shkrim, që mban datën e më shumë se tre viteve të shkuara. Pa u zgjatur, shtoj se Ditmbara Vatnikaj studioi e punoi me pasion për t’u bërë gazetare dhe sa më e aftë. Në atë kohë, ajo përgatiti disa shkrime me vlerë. Ndër të tjera, përmrendi këtu se realizoi me mua bisedën me temë, “Këndvështrimi i intelektualit, prof. Murat Gecaj, ndaj socializmit real”, me 16 pyetje e përgjigje të shkurtëra. Gjithashtu, trajtoi temën me përmbajtje shoqërore, “Dashuria në familje, ndihmesë e madhe për njerëzit me paaftësi” etj. Pas mbarimit me sukses të studimeve universitare, ajo e ka plotësuar ëndrrën e saj, duke iu përkushtuar botës televizive.

Mirëpo, nuk është ky shkaku kryesor i ribublikimit të këtij shkrimi. Pra, ja “sekreti” i vërtetë: Ditmbara është fejuar dhe ka vendosur ta lidhi përjetësisht jetën, me djaloshin Shefqet Azizaj. Dasma e tyre është njoftuar se bëhet, në Tiranë, më 23 gusht 2014. Me këtë rast, nga zemra ju urojmë atyre: Shëndet, gëzime dhe lumturi të përhershme, në familjen e re, që do të krijojnë së bashku!

Tiranë, 22 gusht 2014

Urime zemre

Shumë urime zemre, për çiftin e ri!

1.

Kur po i shkruaj këro radhë, sjell ndërmend edhe 5 marsin 2011. Atë pasdite, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, zhvillohej një veprimtari kushtuar “Ditës së Mësuesit”. Vëreja me kureshtje se përballë meje, në radhën e dytë nga e djathta, ishin dhe motrat Ditmbara e Çetina Vatnikaj. Të dy, emra të bukur e domethënës. Para se të niste veprimtaria, u dhashë atyre me shënimin tim, dy libra, njëri nga ata me jetëshkrimin tim. Më ngjante se aty në sallë, këto dy kusherira nga nëna (bija të djalit të tezes, Vuksanit), kishin sjellë një “copëz” nga vendlindja e tyre e bukur, fshati  Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, nga e kam dhe unë origjinën. Me ata sytë e bukur, si të lumit ujëkaltër, i cili gjarpëron mespërmes atij fshati, ato vështronin të përqendruara në ato, për çfarë flitej. Dhe, sidomos këtë gjë, e bënte Ditmbara. Arsyeja ishte sepse kjo vazhdon vitin e fundit, në degën e gazetarisë, të Universitetit jopublik “Ufo”, në kryeqytetin Tiranë.

Pasi kaluan disa minuta, Ditmbara më dërgoi një mesazh në celular dhe kërkonte të falur, se do të dilte jashtë. Do të shkonte për të marrë pjesë në një detyrë praktike, që e kishte me pedagogun e saj, publicistin A.Çipa.

Pak ditë më pas, Ditmbara më nisi me e-mail një shkrim, që do ta dorëzonte për pedagogen e saj, me një temë shoqërore. Të them të vërtetën, shkrimin ma kishte dërguar me një adresë, që e hapi rrallë. Pra, atë e lexova pasi ajo e kishte dorëzuar temën dhe për të kishte marrë notën 9 (nëntë). Por edhe mua më pëlqyen, si tema e zgjdhur dhe trajtimi i saj. Sigurisht, kjo gjë më gëzoi dhe dëshiroja të shihesha një herë tjetër dhe të bisedoja më shtruar me këtë gazetare të re.

2.

Kështu, koha kaloi dhe, në një pushim ndërmjet leksioneve, u takova përsëri me Ditmbarën. Ajo më foli për leksionet e provimet e pritshme dhe për punët praktike, shoqëruar nga pedagogët e saj. Më tregoi edhe se miku im e përgjegjësi i katedrës së gazetarisë së atij Universiteti, prof. Hamit Boriçi, kishte qenë pak i pamundur nga gjendja shëndetësore. Por, ndër të tjera, më shprehu shqetësimin e punësimit, pas marrjes së diplomës. Gjithashtu, e ndiente se kishte disa boshlleqe, edhe pas kësaj shkolle të lartë, sidomos përsa i përket njohurive gjuhësore e letrare. Prandaj, më tha ajo, se vitin tjetër akademik dëshiron të regjistrohet edhe në një fakultet tjetër, pra për gjuhë-letërsi, pa u shkëputur nga puna.

Ditmbara ka një e-mail interesant, pra aty shkruhen dhe këto fjalë “gazetarepoete”. Duke biseduar me të, ajo më tregoi dhe një “sekret” të saj, pra që shkruan poezi, bile që në shkollën e mesme. Por, deri tani, i ka mbajtur pak si “të fshehura”, pra nuk i ka publikuar ato, vetëm në gazetën e shkollës së mesme. Ia thashë këtë mendim asaj, por dhe kam bindjen që krijuesit, në poezi ose prozë, pra ata që i shprehin ndjenjat e tyre në këto gjini, e kanë më të lehtë edhe për të shkruar artikuj më të bukur e të frymëzuar, që “ngjisin” më fort te lexuesi.

Në vazhdim të bisedës sonë, kjo gazetare e re m’u shpreh hapur se nuk i ka me shumë dëshirë temat me karakter politik, pra që ato t’i trajtojë në shkrimet e ndryshme. Po kështu, sikur e ka pak të vështirë në gjetjen e temave interesante për shkrimet e saj. Sigurisht, e këshillova atë se nuk është e nevojshme të kërkojë aq shumë, në këtë drejtim. Pra, i thashë se temat e bukura janë dhe ato, kur flet e shkruan për ngjarje, dukuri e njerëz, në dukje të thjeshtë, por që në vetëvete e mbartin realitetin e ditës. Kështu pasqyrohet jeta e gjallë, dinamike dhe lexuesit e ndiejnë më pranë shkrimin e saj, me ndjenja, mendime e përfundime të arsyetuara dhe të shprehura aty me natyrshmëri.

Ditmbara më tregoi, me sinqeritet, se më tepër i pëlqen të shërbejë në shtypin elektronik, pra në ndonjë televizion, ndoshta jopublik. Këtë mendim të saj nuk ia kundërshtova, por e këshillova se kudo, në shtypin e shkruar dhe në atë elektronik, për gazetarin lipsen shkathtësi, kërkesë ndaj vetes në kapjen dhe trajtimin e temave të ndyshme etj. Kështu, hap pas hapi, gazetari i ri e gjen vetëveten në botën e gjerë të shtypit, krijon individualitetin e vet dhe, pse jo, bëhët i njohur, me shkrimet ose intervistimet e tij.

…Kur po ndaheshim, pasi piva një kafe me Ditmbarën, aty në lokalin e këndshëm pranë Universitetit “Ufo”, sigurisht, i urova asaj studime të mbara dhe arritje sa më të larta në provime. Por biseda jonë mbeti “përgjysëm”, pra ajo do të vijojë edhe në raste të tjera. Kjo sepse edhe njohja me “sekretet” e punës së gazetarit nuk kryhet plotësisht në auditorët e shkollës së lartë. Ky proces, ca më i vështirë, vazhdon, më tepër e pandërprerje, në jetë. Pra, nevoja e mësimit nga përvoja e më të rriturve, e brezave paraardhës në fushën e shtypit, është një kërkesë parësore për çdo gazetar të ri, që dëshiron të bëhet “dikushi’ në jetë.

Tiranë, 18 mars 2011

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch