Nëse doni të dini si punon politika dhe si i gjen shqiptarët Viti i Ri, për këtë dëgjoni qytetarët te Bashkim Hoxha!
NGA SKËNDER SADRI KAPITI
“Mirëmëngjes me Bashkim Hoxhën”, dëgjoni se cfarë thonë qytetarët te Bashkim Hoxha i cili përvecse si personalitet dhe intelektual erudit, gazetar, shkrimtar dhe dramaturg i shquar , ai ka meritën e madhe se prej më shumë se 25 vitesh drejton emisionin te i cili flet zëri qytetar , zëri i së vërtetës dhe realitetit, gjë që e ka bërë z. Hoxha një personalitet publik shumë të dashur e të respektuar. Dhe prandaj them se: Nëse doni të dini si punon politika dhe si i gjen shqiptarët ky Vit i Ri, për këtë dëgjoni qytetarët te Bashkim Hoxha!
Emisioni“Mirëmëngjes me Bashkim Hoxhën”, është emisioni me i madh i qytetarëve ,sepse ai është emision i publikut, me publikun dhe për publikun , ku flasin qytetarët për hallet e tyre të shumta; ku flitet për varfërinë, për papunësinë ,për mjerimin ,për padrejtësinë, për eksodin, për anën e errët e të përvuajtshme të realitetit shqiptar. Këtu qytetarët ankohen të dëshpëruar për atë se çfarë pësojnë,vuajnë dhe përballet publiku, i cili sikur çlirohet pak kur ai tregon të vërtetat e realitetit të zymtë shqiptar, pasi pothuajse në të gjitha emisionet dhe televizionet e tjera në Shqipëri dominojnë luksi, mashtrimet, propaganda, dritat, reklamat e mallrave dhe ushqimeve të paarritshme për xhepat dhe portofolet e qytetarëve; nëpër sheshe kudo verbërojnë dritat në pemët e Vitit të Ri a thua se jemi vendi më i lumtur në botë; nëpër TV dominojnë emisionet e kota, shterpë dhe çoroditëse dhe sidomos reklamat mashtruese.
Kudo zhurmë e dukje festive për festat e fundvitit , të cilat qeveria, bashkitë, politika dhe mediat nisin e i festojnë 30 ditë apo më shume kohë përpara tyre. Një pakicë e vogël e shqiptarëve: pushtetarët, oligarkët, politikanët, mediatikët e “mëdhenj” të reklamës e mashtrimit si dhe shtetarët, gjyqtarët e prokurorët e korrupsionit gjithë vitin ata e kanë festë e lumturi sepse kanë me bollëk e me tepri paranë e zullumit, mashtrimit, hajnisë e korrupsionit. Një pakicë kanë problem dhe shqetësohen se ku dhe si ta shpenzojnë e ta harxhojnë paranë; disa, pra një pakicë kanë hallin se çfarë dhuratash të shkëmbejnë mes tyre kurse qeveria dhe televizionet e bajatshme kanë tre muaj që reklamojnë me bujë 5 mijë lekshin për pensionistët për të blerë bakllavanë apo kaposhin e Vitit të Ri.
Disa dhe vetëm disa kanë hall se dhe në çfarë vendi të botës të shkojnë për pushime, për dëfrime, për të luajtur kumarin e bixhozin dhe për lloj-lloj hobi e për të realizuar çfarë edhe shohin nëpër ëndrra, ndërsa familjet shqiptare presin që t’u dërgojnë euro fëmijët e tyre për të blerë bakllavanë, arrat e kaposhin për Vitin e Ri, ashtu sikurse që familjet e shumta dhe prindërit presin gjatë gjithë vitit nga fëmijët e tyre në emigrim qe t’u dërgojnë paratë për të paguar ujin , dritat ,ushqimet dhe ilaçet.
Average Rating