Nesër është dita e Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava ka mbajtur konferencë për media, ku ka thënë se Fitër Bajrami bart brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh.
“Nesër është dita e Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në gjithë botën. Të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe, andaj edhe është një manifestim falënderimi për Zotin pas agjërimit të muajit të bekuar Ramazan. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në familjet tona e në shoqërinë tonë me gëzime e hare, duke u përhapur me një gjuhë falënderuese në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në këtë ditë të bekuar të fundit të Ramazanit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë kaq madhështore, festën e Fitër Bajramit”, tha ai.
Sipas tij, urtësia e festës së Fitër Bajramit është gëzimi dhe hareja, të cilat trokasin thellë në shpirtrat e besimtarëve.
“Fitër Bajrami bart brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh, që e dallojnë nga festat e tjera, bart vlerat shoqërore dhe njerëzore të Islamit, ku zemrat bashkohen në miqësi, prandaj, gëzimi i Bajramit përfshinë çdo shtëpi të besimtarëve. Bajrami është një ditë që edhe fëmijët i mbush me gëzim, buzëqeshje e argëtim, një ditë për të afërmit që i bashkon ata në drejtësi dhe lidhje, ditë e vizitave dhe përqafimeve të shumta, ditë e lutjeve dhe shpresës, ditë ku bamirësi liron dorën për bamirësi, ditë kur duhen pastruar shpirtrat dhe duhen shtrënguar duart, duke shtuar dhe promovuar vëllazërinë, besnikërinë dhe dashurinë edhe më të fortë”, tha ai.
Average Rating