Nevzad Lutfiu: Pres mbështetje nga ambasadori Hill për Luginën
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Lugrinë të Preshevës, Nevzad Lutfiu për “Info plus” të RTK-së, ka thënë se është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill me të cilin ka biseduar për situatën politike në Luginë.
Lutfiu ka deklaruar se ambasadorin Hill e ka njoftuar në hollësi me të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Luginë të Preshevës.
Ai ka theksuar se më shumë është ndalur për moszbatimin e planit shtatë-pikësh të nënshkruar në 2013 nga zyrtarët lokal të Luginës me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë. “Kanë kaluar disa vjet dhe ky plan nuk është zbatuar”, ka thënë Lutfiu, duke shtuar që i ka kërkuar ndihmë ambasadorit për këtë çështje.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka thënë se në takim me Hillin ka folur edhe për mosnjohjen e diplomave të Kosovës. Sipas tij, kjo po i paraqet problem të rinjve që kanë diplomuar në Kosovë dhe për këtë shkak po detyrohen ta lëshojnë Luginën e Preshevës. Ai ka theksuar se diplomatin amerikan e ka njoftuar edhe për gjendjen e mjerueshme të shkollave shqipe në Luginë.
“Diskutuam për planin 7 pikësh, për mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe për gjendjen e shkollave shqipe. Në lidhje me planin 7 pikësh theksova se nëse ky plan nuk fillon të zbatohet shpejt, nesër mund të mos ketë kuptim zbatimi i tij, për shkak të ikjes së kuadrove. Ngrita shqetësimin se për shkak të mosnjohjes së diplomave të Kosovës institucionet do të kenë probleme me plotësimin e vendeve të punës. Edhe ambasadorit Hill ia paraqita gjendjen e shkollave shqipe në Luginën e Preshevës, përmes fotografive”, ka theksuar ai.
Lutfiu u shpreh optimist se ambasadori Hill ka gatishmëri për të ndihmuar shqiptarët e Luginës në mënyrë që pushteti në Serbi të angazhohet për të respektuar të drejtat e qytetarëve të kësaj ane.
Average Rating