Home » Kulturë, Lajme, Ndërkombëtare » NJË MONOGRAFI FAMILJARE ME TEMATIKË ORIGJINALE

NJË MONOGRAFI FAMILJARE ME TEMATIKË ORIGJINALE

Muhamet SHATRI  

Mujë S. Berisha & Fahri B. Hoxha, Familja emblematike Myftiu – begati e traditës atdhetare, arsimore dhe fetare (monografi historike dhe gjenealogjike  

– Vepër për historinë e gjenealogjinë, për pasurinë e bamirësinë, për veprimtarinë kombëtare e fetare të familjes MYFTIU    

Këto ditë SHB “Faik Konica”,  me editor shkrimtarin e mirënjohur Nazmi Rrahmani,  botoi librin e lartëpërmendur për të cilin edhe unë dua të them disa fjalë.  

Në këtë monografi autorët Mujë S. Berisha dhe Fahri B. Hoxha  (tani i ndjerë) kanë ndri­çuar me mjeshtri historikun e njërës prej familjeve më në zë shqiptare nga gjysma e shek. XIX deri në vitet e 50-të të shek. XX.  Kjo është arritur falë punës ngulmuese dhe mbështetjes në materialet arkivore, sidomos të fondeve dhe koleksioneve të kësaj familjeje, pastaj në dokumente të botuara, në kujtime të protagonistëve të këtyre zhvillimeve si dhe në publikimet histo­riografike e publicistike. 

Meritë e veçantë e autorëve është përcaktimi  për trajtimin e historikut të një familjeje nga shtresa e kamur e shoqërisë shqiptare që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në mjedisin tonë. Është shumë interesante dhe udhërrëfyese për studiuesit tjerë  trajektorja e shteg­timit të kësaj familjeje nga Mirdita ku kishin gjetur strehë nga rrebeshi barbar i Serbisë mesjetare për në trojet e ori­gji­nës, si dhe bashkë­­pu­nimi e kultivimi i marrëdhënieve tradicionale ndërfetare me mirdi­torë të tjerë të vendosur në Prishtinë dhe në trevat e tjera të Kosovës.  

Monografia “Familja emblematike Myftiu …është një burim i pasur njohurish për famil­jen Myftiu, gjenealogjinë dhe veprimtarinë e shumë përfaqësuesve të saj në periudha të ndry­sh­me, madje në një shkallë të gjerë deri në përmasa kombëtare. Për nga fusha e studimeve që për­f­shin, është një arritje e mirëpritur jo vetëm për historianë, por edhe për etnologë, ekono­mistë, soci­o­logë, gjuhë­tarë etj., të cilëve u ofrohet mundësia për t’u njohur më shumë dhe më mirë me këtë familje të gjerë, e cila, me gjithë rolin e madh dhe kontributet e jashtë­zakon­shme që ka dhë­në në zhvillimet tona kombëtare në disa drejtime: politikë, ekonomi, arsim, fe, sport, huma­ni­zëm etj., deri në fund të shek. XX ka qenë e anatemuar dhe, të thuash, plotësisht e eklipsuar.   

– Një qasje objektive dhe origjinale  

Autorët Mujë S Berisha dhe Fahri B. Hoxha iu kanë qasur në mënyrë origjinale dhe objektive trajtimit të veprimtarisë së përfaqësuesve të familjes Myftiu, qoftë në aspektin ekonomik, kulturor, arsimor, fetar, humanitar etj., qoftë në fushën e veprimtarisë atdhetare, madje, në këtë drejtim në mënyrë të veçantë. Kështu, libri  monografik “Familja emblematike Myftiu – begati e traditës atdhetare, arsimore dhe fetare (monografi historike dhe gjenealogjike)” i këtyre autorëve tashmë të dëshmuar në letrat shqipe, ngërthen në vetvete tri fusha kryesore: histori, etnografi dhe ekonomi. Është meritë e veçantë e auto­rëve, të cilët kanë arritur me mjeshtri që t’i shmangen klisheve të historiografisë “marksiste”, që, siç theksuam më lart, i ka anatemuar pa përjashtim dhe ka injoruar rolin dhe kontributin e shtresave më të pasura të shoqërisë shqiptare, duke i paraqitur si ushejza që kanë jetuar me djersen dhe gjakun  të varfërve.  Përkundër kualifikimeve të deri vonshme, dihet, vetëm zi, në këtë vepër ata na dalin njerëz të suksesshëm që sigurojnë mirëqenien dhe statusin e tyre, por edhe ndihmesën për nevojtarët, dihet, me pasurinë e fituar me punë, inovacion, angazhim vetëmohues dhe sakrifica të mëdha. Për të qenë më bindës dhe më autentikë, autorët janë nisur nga fshati Sllatinë e Epërme e Anamoravës, duke e zgjeruar pastaj gamën e interesimeve të tyre për historinë dhe mënyrën e shtri­rjes së degëve të kësaj familjeje në mjedise të tjera, si: në Shkup, në Prishtinë, në Viti, në Shti­me, në Turqi (Izmir, Ankara, Stamboll etj). Autorët, krahas eksplorimeve disavjeçare dhe hu­lu­m­­timeve këmbëngulëse, kanë arritur që të mbledhin shumë të dhëna të rëndësishme histo­rike e demografike, sidomos ato të kujtesës që shtrihen në një terren mjaft të shtrirë hapësinor dhe kohor. Kështu, mbi bazën e eksplorimeve të vazhdueshme kanë arritur të përgatisin këtë bo­tim, për mendimin tim, mjaft dinjitoz për familjen Myftiu (Tanëk) Sipas autorëve, pinjollët e familjes Myftiu vazhdimisht ndanë fatin e bashkatdhetarëve të tjerë dhe u angazhuan me përkushtim për emancipim dhe pavarësi kombëtare që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, në qëndresën kundër pushtuesve serbë në fund të vitit 1912 dhe në përba­lljen me makinerinë gllabëruese të Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë deri në prill të vitit 1941. Ata u angazhuan edhe për rikuperimin e statusit dhe të institucioneve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe më gjerë, sidomos nëpërmjet të Lidhjes II Shqiptare të Prizrenit dhe të mekanizmave të saj. Në fund të Luftës së Dytë Botërore Myftilerët u ballafaquan me valën shkatërruese të forma­cione­ve serbo-jugosllave; më dhunën dhe likuidimet barbare, me vrasjet në kufi dhe me  dënimet shumëvjeçare e torturat më të rënda e më mizore nëpër burgjet jugosllave për çka u detyruan të lëshonin trojet e të parëve dhe të shpërnguleshin në Turqi, në vende të ndryshme të Evropës, madje edhe në SHBA, Kanada etj.  

– Vepër me interes për historiografinë dhe etnografinë shqiptare  

Bazuar në vlerësimin tim, kjo monografi i përmbush plotësisht kriteret shkencore për botim dhe është me interes për historiografinë shqiptare, etnografinë dhe më gjerë. Botimi i kësaj vepre sa shken­co­re po aq edhe aktuale, edhe pse me vonesë, mund të them se po vjen në një kohë të duhur. Autorët kanë arritur që në këtë vepër-monografi të gërshetojnë natyrshëm historinë e gjeografinë, urbanistikën e etnografinë, ekonominë e tregtinë, bujqësinë e artizanatet, letërsinë e arsimin, kulturën kombëtare e fetare, humanizmin e familjeve më në zë, sakrificën e tyre etj., në tërë përbërësit e në shtrirjen e nevojshme. Ata, në veprën e tyre, jo vetëm që i bëjnë jehonë traditave atdhetare, traditave më të mira të familjeve fisnike për shumë kohë të anatemuara e të injoruara nga pushtuesi, por edhe të  përcillen porosi (mesazhe) të fuqishme atdhetarizmi e pune, mesazhe paqeje e krenarie kombëtare, mesazhe përparimtare e demokratike, mesazhe qytetarie e dashurie, mesazhe humanizmi e mirë­kup­timi, mesazhe të mbrojtjes së dinjitetit e të nderit, mesazhe të mirëkuptimit tradicional ndërfetar midis shqiptarëve, mesazhe të ripërtëritjes  e të ngadhënjimit të së drejtës dhe të së mirës, pra të gjithçkaje që është e drejtë, e lartë, e zdritshme e njerëzore. Vepra i krijon kujtdo një përfytyrim të qartë rreth përmasave të kësaj pune të kryer me përkushtim, me dashuri dhe me përpikëri e mjeshtri (skru­pu­lo­zitet). Kjo vepër do t’u shërbejë kohëve që po kalojmë, detyrave që shtron çështja kombëtare mbarë­shqip­tare në trojet etnike e gjetiu në diasporë, do t’i kontribuojë stabilizimit dhe përparimit demokratik të vendit tonë. Autorët, në përgjithësi, kanë pasur një qasje problemore shumë origjinale dhe më një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm e të kuptueshëm për të gjithë. Ata i kanë dhënë lexuesit një doracak (manual) udhëtimi në të kaluarën e familjes fisnike Myftiu, një udhëtim mes ngjarjesh, njerëzish, historishë intresante, burrash të fortë e bujarë. Duhet shtuar se autorët gjatë shkrimit të tekstit kanë dhënë shënime sqaruese për disa nga protagonistët të këtyre rrjedhave dhe për ngjarjet që lidhen me këtë problematikë, duke e bërë kështu këtë mo­nografi të qartë për lexuesin dhe ndihmesë për studiuesit e kësaj prob­lema­tike. Monografia, në vija të përgjithshme, korrespondon me publikimet e tjera të derisotme në histori­ogra­finë shqiptare, por tematika e saj është e veçantë dhe origjinale. Ky është një studim që mund të shërbejë si udhërrëfyes për vazhdimin e trajtimet kontri­bu­tit dhe rolit të familjeve aristokratike në rrjedhat e historisë sonë.   Pra monografia nuk u adresohet vetëm një rrethi të ngushtë lexuesish. Ajo iu drejtohet të gjithëve, të moshuarve e të rinjve, intelektualëve e studiuesve të fushave të ndryshme të dijes, të kulturës e të krijimtarisë, qytetarëve e fshatarëve të thjeshtë, burrave e grave, sepse të gjithë kanë obligim të njihen me historinë e gjenealogjinë (origjinën) e familjeve të tyre e më gjerë, sidomos të atyre që kanë reflektuar e kanë dhënë më shumë për atdheun e kombin. Pra, ky libër mund të shërbejë si një model i mirë se si mund të ndërtohen monografi të kësaj natyre për familje të tjera të njohura për të arritur një ditë në një botim akademik sintezë. Duke hedhur dritë në familjen e njohur Myftiu, në organizimin e brendshëm të saj, shtrirjen, objektet e banimit, kopshtet, veprimtarinë ekonomike e shoqërore, arsimore, patriotike e fetare, autorët kanë arritur që sadopak të na njohin edhe me historinë, traditën shekullore, përparimin, qytetërimin, jetën shpirtërore etj. të mjediseve ku kanë jetuar pjesëtarët e saj të shpërndarë gjithandej, duke filluar nga Sllatina e Epërme, Shkupi, Prishtina, Shtimja, Izmiri, Ankaraja, Stambolli etj.  

– Hedhje dritë në veprimtarinë shumëdimensionale të familjes Myftiu  

Një vend të veçantë në këtë monografi zënë portretet e dokumentuara, profilet biografike rreth disa figurave historike të familjes Myftiu, të cilat janë shquar si veprimtarë të çështjes kombëtare, punëtorë shumë të përkushtuar, ekonomistë të mëdhenj, intelektualë të shquar, humanistë të pashembullt. Vlen të nënvizohet gjithashtu përpjekja e autorëve për të hedhur dritë në psikologjinë e anëtarëve më të njohur të familjes Myftiu (Tanëk), duke përmendur shkëlqimin e tyre në , aspektin et­no­grafik, paraqitjen e mënyrës së jetesës së kësaj familje të madhe, strukturën e kulturën e saj ma­te­riale, shoqërore e artistike, normën e sjelljes, veshjen, virtytet dalluese, si: mikpritjen, besën, bu­rrë­rinë, humanizmin, altruizmin etj.Autorët, duke qenë vetë punëtorë të devotshëm të arsimit, nuk e anashkalojnë çështjen e shkollimit dhe veprimtarinë e gjithanshme të shkollave: fetare, private e shtetërore, sidomos kontributin e familjes Myftiu në hapjen e tyre, në mbështetjen morale e materiale të kuadrit arsimor si dhe të fë­mi­jëve e të rinjve. Autorët kanë vepruar me korrektësi intelektuale dhe me ndershmëri qytetare, duke përmendur referenca të ndryshme, emrat e informuesve që e bëjnë këtë libër-monografi me të vërtetë doku­men­tare.  Shfrytëzimi dhe emërtimi i këtyre burimeve të zgjedhura me dobi, në kuptimin më të mirë të fjalës, veprat e dijetarëve: ato historike, shkencore, letrare, kulturore, fetare, monografi tematike, mbishkrime objektesh e varresh (epitafe, epigrafe, epigrame), pllaka përkujtimore, artikuj në revista e gazeta, kujtime (një varg informatorësh, burra e gra të moshuara, që i kanë furnizuar autorët me të dhëna të sakta), informacione gojore (gojëdhëna të verifikuara, deklarata, fotografi etj.), është me interes mjaft të madh.  

– Përfundim  

 Mund të përfundohet se autorët i kanë dhënë vetës një detyrë sa të vështirë, aq edhe fisnike, të nxjerrin në dritë një familje që është një vargan malesh me shumë maja. Vargu i njerëzve të ditur dhe i burrave të shquar të familjes Myftiu, për të cilët flitet në këtë monografi, është shumë i madh. Kështu, autorët ia kanë dale në për­mbu­shjen e qëllimit të tyre, duke na dhënë kështu një monografi me përmbajtje interesante të bazuar në fakte të pamohueshme. Autorët, falë përkushtimit disavjeçar, me kompetencë dhe objektivitet i kanë bërë një shërbim të mirë jo vetëm familjes Myftiu, por edhe historisë, etnografisë e kulturës sonë në përgjithësi. Libri, besoj, do lexohet, jo vetëm nga rrethet profesionale shkencore por edhe të një rrethi të gjerë lexuesish, jo vetëm në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare por edhe tek shqip­tarët në Turqi dhe gjithandej në Mërgatën tonë. Ai i jep mundësi lexuesit që të ndalet e të analizojë me gjakftohtësi, duke nxjerrë jo vetëm vlera të përgjithshme, por edhe të veçanta për disa fusha të dijes.  

Malmo, Suedi, 22. III. 2021  

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress