Nga Fehmi
Ramadani
Para disa ditësh doli një i ashtuquajtur “Plan amerikan” (kështu e kishin
cilësuar mediumet e ndryshme të rajonit) që kishte renditur në detaje
“Marrëveshjen eventuale Kosove-Serbi”, të cilat duhet thënë nuk i kishim hasur
deri me sot dhe që në të vërtetë krijoi një lloj qartësie te pjesa më e madhe e
opinionit tonë, por edhe në anën tjetër krijoi huti te një pjesë e spektrit
politik shqiptarë e kosovarë që vërtet angazhohen ekskluzivisht për përfitime
politike, karrieriste dhe pushtet.
Ajo për të cilën po shkruajmë këto rreshta është që të analizojmë dhe
komentojmë ato pika të cilat u shfaqen si rrufe dhe u përhapen në portalet dhe
mediumet e ndryshme informative deri te pozita dhe opozita serbe duke krijuar
premisa së gjërat po fillojnë të qartësohen më mirë.
Duke potencuar “se informacioni ishte marrë nga segmente të mirë informuara dhe
të besueshme të huaja dhe u shpërnda në formë të fragmentarizuar “, të gjithë
neve na zgjoi kërshërinë, na futi në mendime, kalkulime, aludime, analiza dhe
veprime që besojmë se janë të drejta dhe secili sipas bindjeve të veta
ideologjike qoftë edhe taborreve politike.
-Pika e parë që na ra në sy ishte TEKST I SHKRUAR SHKURT, QARTË dhe në formë
TEKNIKE, që na la të mendojmë se me të vërtetë, autorët në këtë rast duhet të
kenë qenë profesionist të niveleve të përgaditura politike me karierë të lartë
politike dhe kanë hartuar një projekt të këtillë (zakonisht nëpërmjet kanaleve
të tyre të inteligjencës) dhe e kanë menduar si të udhës që ta plasojnë në
publikun shqiptarë e më gjerë me qëllimin që t’i përafrohet “ Day-D”, që
mendohet të jetë mesi i muajit Maj, ose fillimi i muajit Qershor 2019, që
përkon me 100 vjetorin e Konferencës së Versajes që mbylli plagët e Luftës së
Parë Boterore.
-Pika e dytë që potencohej si koncept ishte: KËTË MARRËVESHJE E KANË PËRPILUAR
AMERIKANËT, RUSËT, KINEZËT, ANGLEZËT dhe FRANCEZËT d.m.th të pes shtetet
anëtare të përhershme të KESHILLIT TË SIGURIMIT TË OKB-SË , të cilat duhet
thënë e vërteta e madhe i kanë në dorë fatet e politikës ndërkombëtare duke
anashkaluar GJERMANINË, AUSTRINË DHE TURQINË, si shtete që kanë interese në
këtë proces, duke krijuar një balancë tërësisht të RI GJEOPOLITIK, por që
kërkon trajtim si temë e veçcantë.
-Pika e tretë që përmbyllte tekstin ishte FIRMOSJA NË FILLIM TË QERSHORIT 2019,
që d.m.th firmoset në 100-vjetorin e Konferencës së Versajes që edhe si atëherë
SHTETET E MËDHA, SUPERFUQITË BOTËRORE, duan ta zgjidhin këtë NYJE GORDIANE
BALLKANIKE, që e rëndon rajonin mbi 100 vjet me një të rënë të Shpates (analog
siç veproi Aleksandri i Madh që zgjidhi Nyjen Gordiane me një të rënë të shpatës).
Kjo nënkupton, që as shqiptarët e Kosovës, as serbët e Kosovës, as shqiptarët e
Serbisë dhe as serbët e Serbisë, nuk do të jenë të lumtur plotësisht, por të
kënaqur deri diku, duke iu dhënë një mundësi zhvillimi, emancipimi, kulturimi,
arsimimi në të ardhmen dhe brezat e ardhshem ta quajnë të panevojshme “çfarë
kanë bërë paraardhësit e tyre “(shikoni dhe analizoni me kujdes ligjërimet e
presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, që theksojnë se nuk do të jenë të lumtur asnjëra
palë deri në fund).
-Nga ana teknike, pikat e prezantuara,të cilat kronologjikisht do t’i
shtjellojmë një nga një (përveç njërës pikë) përfshinte këto tematika me
nëntematikat e veta:
1.PRESHEVA deri në fshatin KLENIKE i bashkohet KOSOVËS, nëse do ta lexonim në
ligjeratë të drejtë, kjo nuk na thotë ndonjë gjë të madhe, por PRESHEVA një
qytet i vogel dhe KLENIKE një fshat me pak shtëpi e me ca pleqë serb që mezi
mbijetojnë, që as vetë Serbia nuk kujdeset, por nëse futemi në kontekstin e
KORRIDORIT 10 dhe SIGURISË USHTARAKE (lexo: Bazave ushtarake), këto dy terma
marrin një rendësi të jashtëzakonshme. KLENIKE-në vijen ajrore është larg nga
Presheva afër 15 kilometra, me Maqedoninë rreth 7-8 kilometra dhe me Bujanocin
diku rreth 11 km. Menjëherë poshtë saj (burimi i informacionit na tregon) se Serbia
do ta devijojë KORRIDORIN 10 për të dalë në Kumanovë të Maqedonisë nga
trekëndëshi me 2 kilometra: Davidoc-Ristoc-Srpska Kuqa që në kilometra efektiv
kjo autostradë e re është më e gjatë vetëm se 9 kilometra më shumë deri në
Kumanovë. Financimi i saj në rastin më të mirë do të merrej përsiper nga
Serbia, në rastin optimal financimi bëhet nga Bashkimi Europian dhe në rastin
me të keq nja haraç shtesë që do ta paguanin janë shqiptarët prapë (bëhet fjalë
për një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro ), por që në esencë shqiptarët
do të përfitojnë segmentin aktual prej 27 kilometrash, të përfunduar tashmë me
fondet e Qeverisë së Serbisë ndër vite.
Hekurudha- gjithashtu mund të jetë në tematikë, por duke qenë se e ka humbur
rendësinë e saj, mendojmë se anashkalohet kësaj rradhe . Pra në këtë formë edhe
serbët edhe shqiptarët kanë mundësi qetësie, lëvizjeje, transporti në kushte të
njëjta pa diskriminim.
2. KUFIRI vendoset afer fshatit BILAÇ, duke qenë se do të krijohen 2 Distrikte
të mbrojtura dhe me Status Special; si Bujanoca dhe Mitrovica (që në të njëjten
kohë lihen si mina me sahat që kjo marrëveshje të funksionojë) fshati që i
ndanë dy komunat; Preshevë dhe Bujanoc është Bilaçi dhe në segment fshati
Levosojë (ku ditë më parë kishte qëndruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq
duke bërë ndarje etnike të popullates). Pra, ky kufi do të kishte karakter
vetëm se ligjor (deri ku do të shtrihej autoriteti i shtetit të Kosoves),
ndërsa në fakt do të administrohej nga forcat e NATO-së. Po të përcjellim ligjërimet
e politikës së madhe ata flasin për “Luginë të Preshevës” të jemi të drejtë, ky
term kurrë nuk ka ekzistuar, është shfaqur tek në vitet 2001-2002,
gjeografikisht përfundon në fshatin Bilaç dhe Levosojë.
3. BUJANOCA merrë STATUS SPECIAL, si SPECIAL DISTRIKT- fuqitë e mëdha i bëjnë
keto veprime kur deshirojnë të pajtojnë popuj (në një formë, ose në një tjetër
na flet historia e qyteteve si Berlini, Strasburi, Gjibraltari, Gdanjski, Hong
Kongu, Brçko, Trieshta për disa vite, etj ) që kanë pasur konflikte të
përgjakshme në histori, si shqiptarët me serbët jo për ndonjë gjë, por duke iu
lënë ura bashkepunimi për të ardhmen. Në përgjithësi këto lloj qytetesh marrin
FONDE dhe INVESTIME shumë të mëdha si të shteteve të mëdha, por edhe të
shteteve amë (Serbia, Kosova dhe Shqipëria) duke pasur një standart shumë më të
lartë. Për Bujanocin parashikohet një trajtim i veçantë, sepse struktura e
popullsisë është akoma shumë e përzier(60 me 40 në favor të shqiptarëve), në
një farë forme do të paraqiste një lloj problemi për serbët lokal, prandaj
barazia do të jetë e garantuar.
4. MITROVICA merrë STATUS SPECIAL, si SPECIAL DISTRIKT -jo më kot Kuvendi
Komunal ka kaluar vendimin për unifikimin e qytetit të Mitrovicës, sepse i tërë
qyteti, Veriu dhe Jugu do të bashkohen në këtë STATUSIN SPECIAL . “Burimi si
mesazh” na le të kuptojmë se ADMINISTRATORI të paktën për 20 vite do të jetë i
huaj, do të demilitarizohet e tërë zona dhe investimet do të jenë kolosale nga
Kompanitë e huaja multinacionale që tërë zonës do t’i sjellë një prosperitet
shumë të mirë. Mitrovica mbete nën juridksionin e Kosovës, por me status
special për dy pjesët e saj. Detajet tjera vështirë të parashikohen në këtë
fazë, por mendohet që do të integrohet me zor, ose me qejf brenda një periudhe
kohore të arsyeshme.
5. Nga 6 deri ne 8 fshatra të MEDVEGJËS i bashkohen KOSOVËS- kjo nënkupton
Medvegja mbetet nën Serbi dhe po të shikojmë hartat dhe popullsinë lokale,
pikat strategjike mund të identifikojmë me fshatrat që mund t’i bashkohen
Kosovës, por që me informacionet e tanishme do të ishte spekulim i pastër
informative.
6. KORRIDORI 10-do të shpallet “Rrugë e Mbrojtur Ndërkombëtare”, kjo do të
bëhet për shkak se segmentit të përmendur i duhen 1 deri 3 vite derisa të
kompletohet, prandaj i tërë segmenti do të jetë “i lirë” dhe “i mbrojtur”, “ i
sigurtë” dhe “i kalueshëm”, për të gjithë, ndërsa pika e kalimit kufitar
TABANOCE do të jetë pikë kalimi kufitare e integruar, e menaxhuar nga
administrata e huaj, për të siguruar mosdiskriminimin e asnjë personi që kalon aty
(aty kalojnë tërë popujt e Europës për në Greqi dhe Turqi e tutje). Pas një
periudhe kohore 3-5 vjeçare mendohet që t’i kalojë palës së Kosovës, derisa
Serbia do ta ketë segmentin e vetë në krahun tjetër nëpër fshatin KLENIKE.
7. Liqeni UJMANIT (GAZIVODA)-do të privatizohet për 99 vite, ky liqe është
ndërtuar nga një kredi e marrë nga ish-Jugosllavia, në institucionet financiare
në Klubin e Parisit dhe Londrës. Përjashto propaganden serbe që trumbeton se
është kthyer kredia, ajo në fakt nuk është kthyer dhe është blerë në vitin 2000
nga një Kompani angleze emri i së cilës nuk thuhet, por nënkuptohet që sot ka
vlerën e disa miliardave eurove. As Serbia, e as Kosova atë borxh nuk e kthejnë
dot, as nuk e kontrollojnë dot liqenin në tërësi, prandaj do t’i lihet kësaj
Kompanie administrimi dhe pronësimi për 99 vite. Kosovës, gjithashtu do t’i
lihen rreth 1.5 deri 2 km të pjesës fundore të liqenit nën suverenitetin e saj
ligjorë. Pra, edhe Liqeni i Ujmanit në një formë do të ketë statusin
special.
8. TREPÇA- do të privatizohet për 99 vite (Kompani amerikane, franceze, kineze
dhe ruse ) dhe statusi i Trepçës është ngrirë që në vitin 1922-1924, kur është
bërë e mundur njohja me pasuritë dhe rëndësinë e saj. Konglomerati i atëhershëm
ishte i përbërë nga Kompani të shteteve të sipër cituara, plus Mbrëteria SKS,
dhe si e tillë, përveç asaj të kthehet në gjendjen fillestare, nuk ka rrugë
zgjidhje tjetër. Dokumentet arkivore, rrjedhat e histories tregojnë që ky
resurs i natyrës do të shfrytëzohet më së shumti nga këto shtete, natyrisht që
edhe Serbia dhe Kosova do të përfitojnë në proporcion 30% me 70% në favor të
buxhetit të Kosovës nga ky eksploatim 99 vjeçarë. Tjetër zgjidhje për te nuk
shihet në horizont, përveç përfitimit të të gjithëve.
9. KISHAT SERBE-do të përfitojnë “Pavarësi dhe Ekstrateritore”, kuptohet nëse
nisemi nga diskursi politik i Vuçiqit i dy viteve të fundit, përfundimisht
Serbia është e gatshme të heq dorë nga miti i Kosovës i krijuar me shekuj, me
kushte që të sigurohet një periudhë tranzitore e butë disa vjeçare, që
nënkupton pikërisht këtë që serbet “të mos ndihen të poshtëruar “ (fjalia që më
së shpeshti e përdorë Vuçiq). Kjo nënkupton edhe një lloj sigurie për serbët që
do të mbeten nën administrimin e Kosovës dhe pjesës dërmuese shqiptare. Ky status,
në esencë shqiptarëve nuk do t’i pengonte, sepse nuk është relevant në
diksursin politik dhe atë amerikan si i tillë .
10. Pjesa që shkon me Serbi janë: ZVEÇAN, ZUBIN POTOK DHE LEPOSAVIQ (këtu nuk
përfshihen 7 fshatrat shqiptare të këtij rajoni). Këtë më askush nuk e vë në
dyshim, territor i dominuar mbi 95% nga serbët (sikunder Presheva me mbi 95%),
prandaj natyrshëm, me të drejtën e Vetvendosjes këto tri Komuna i bashkohen
Serbisë, por në të njëjtën kohë hiqet ASOCIACIONI i Komunave serbe në Kosovë (Plani
i Ahtisarit plus nuk vlen, të drejtat e dyfishta të serbëve nuk merren
parasysh), sepse më nuk ka fuqi relevante ligjore. Kosova me këtë shkëmbim me
Luginën e Preshevës humb pak kilometra katrorë, por ky është çmim më i lirë që
duhet paguar kosovarët për hirë të shkrirjes së gjendjes së status quos dhe
inkuadrimeve euro-atlantike.(Hashim Thaçi, deklaratë në SHBA) .
11. KOSOVA- do të njihet nga Serbia me emrin KOSOVO(në rastin specific Kosovo I
Metohija, kjo vlen vetëm për Serbinë). Serbia do të preferonte ta pranonte
termin KOSOVA I METOHIJA (Tokë e Kishës ) dhe ndoshta paradoksalisht emri mund
të jetë konteksti më i madh mes dy shteteve që po njihen, prandaj pala
shqiptare duhet të ketë kujdesë edhe një variant B, psh. të propozojë shteti i
ri të quhet DARDANIA, në mënyrë që Serbisë t’i hiqen të gjitha mundësite
historike dhe ligjore mbi atë që ata e quajnë “zemra e Serbisë”. Në këtë pikë
pala kosovare duhet të jetë shumë vigjilente, sepse shpeshherë në histori kemi
raste që emrat janë bërë shkas për konflikte dhe luftëra nëmes perandorive,
shteteve dhe kombeve.
12. Forcat e NATO-së do të marrin mandat 33 vjeçarë, ky mandat është për të
siguruar terrenin nga Aleanca e NATO-së që të dy popujtë të përafrohen, të
zhvillohen dhe të integrohen, ndërsa në esencë vlerësoj se ky mandat nuk
përfundon KURRË, pasiqë SHBA-të dhe MBRETERIA E BASHKUAR kanë identifikuar
Kosovën dhe Shqipërinë (shqiptarët), si popullin më aleat në Europë. Në këtë
kontekst e vleresoj që burimi i informacionit ka futur pikën vijuese ku përmend
tri bazat e Nato-së (Bondsteel, Kuçova dhe Vlora ), por që kjo kërkon një
analizë të veçantë me të cilën do të sqarojmë ditëve në vijim.
13. Baza “JUG “-CEPOTINE në Bujanoc do të hyj në Kosovë, kjo kalon nën
administrimin e NATO-së dhe do të jetë bazë tokesore dhe logjistike për të
siguruar një sërë detyrash dhe çështjesh si pasoje e kësaj marrëveshjeje e që
duhet thënë nuk janë të pakta.
14. Firmoset TRAKTATI I MIQËSISË KOSOVË-SERBI- Falen reparacionet dhe dëmet e
luftes, një përfundimi logjik i këtij konglomerati vendimesh, çeshtjesh,
interesash ekonomike dhe ushtarake të fuqive të mëdha, tendencave dominuese,
sidomos në burimet energjitike në rajon dhe më gjerë, rrugëve detare, tokësore
dhe ajrore, pikave strategjike, etj etj që do ti bëjë palët shqiptare dhe ate
serbe, që këto dy dokumente ti firmosin pa bërë asnjë koment shtesë mbi te,
thjeshtë do të jenë të lumtur që e firmosen.
Nga ky dokument nxjerrim konkluzionet e mëposhtme:
a). Nga Konferenca e parë e Versajes deri tani kanë ndryshuar rrënjësishtë
interesat gjeostrategjike, ekonomike, politike dhe ushtarake, kanë ndryshuar
faktorët dhe actorët, ndërsa lojtarët e vegjël kanë mbetur të njëjtë, si
atëherë edhe tani pa i hyrë ligjërimeve politike dhe patriotike të shumë e
shumë personave publik e politik, tregon që në fund të fundit “Bota e
Civilizuar” po mendon të riparoj sadopak tragjëdinë e NJë Shekulli më parë kur
i ndau shqiptarët, por në të njëjtën kohë nuk po përsëriten gabimet e veta
ekonomike dhe ushtarake të kohës. Por, sot secila palë ka kapur njërin lojtarë
të vogël dhe e shfrytezojnë sipas një interesi të projektuar për 100 vitet e
ardhshme.
b). Krijimi i dy distrikteve special bënë të mundur që prapë dy popujtë në
armiqësi, sot të bëjnë ura bashkëpunimi për gjeneratat e reja, ndërsa në rastin
më të keq, Mitrovica e Veriut do t’i bashkohet Serbisë, kurse Mitrovica e Jugut
Kosovës, me një URE dhe MUR ndarës në mes veti, por që do ta “libanizonte” dhe
“palestinizonte”gati tërë rajonin (e njëjta gjë vlene edhe për Bujanocin).
Prandaj, skenari me URA dhe MURE është i pranueshem për serbët dhe rusët, por
jo edhe për shqiptarët dhe SHBA-të.
c).Futja e Kompanive të mëdha në Ujman dhe Trepçë do t’i jepte hov investimeve
në rajon, sidomos në kontekst të projektit “TAP” (Trans-Adriatic-Pipeline)që do
ta bënte regjionin shumë të fuqishëm në burimet energjitike dhe të domosdoshëm
për pjesën tjetër të Europes. Kjo do t’i mundësonte shqiptarëve të Kosovës, por
edhe serbëve të ndjehen me më shumë dinjitet dhe të zhvilluar, më të vlerësuar
dhe aspak inferior ndaj europiano-lindorëve.
d).Gjermania është në lojë vetem se në pjesën e Serbisë, prandaj jo me kot
investimet me miliarda i bënë në Serbi dhe asgjë në Kosovë, apo Shqipëri
(përveç investimeve nga fondet e BE-së, qe me naivitet shqiptarët i trajtojnë
si fonde gjermane).Gjermnania fatkeqësisht është kundër këtij koncepti amerikan
të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Ajo më shumë po brengoset për të drejtat
e serbëve të Kosovës duke I rritur deri në stadin e ZAJEDNICES, kurse për
shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të drejtat e tyre të diskriminuara as që
mërzitet)
e). Më fund, kjo pjesë e ngushtë dhe e vogël e Europës arrinë qetësinë dhe
sigurinë aq shumë të ëndërruar prej largimit të Perandorisë Osmane, në të
njëjtën kohë ndan ndikimin amerikano-britanik-francez nga ndikimi ruso-gjerman.
f). Politika mbarëshqiptare duhet që të punojë në këtë moment historik, t’i
lëjë menjanë ligjërimet e kota, patriotike dhe demagogjike, për interesa të
ngushta partiake, por të krijojnë një MOMENTUM TE RI HISTORIK për të tashmen
dhe të ardhmen e gjeneratave të shqiptarëve dhe të tjerëve që do të vijnë pas.
Home » Lajme, Opinione » Opinion: DISA REFLEKSIONE MBI “PLANIN AMERIKAN” TË MARRËVESHJES EVENTUALE KOSOVË-SERBI