Home » Opinione » Opinion: PSE HASHIM THAÇI DO TË DUHEJ TË TAKOHET ME BORIS TADIQIN

Opinion: PSE HASHIM THAÇI DO TË DUHEJ TË TAKOHET ME BORIS TADIQIN

“Më mirë është të bisedohet për shumë vjeç, se sa të luftohet vetëm një ditë, sepse …”-Fjalë e urtë popullore.

 

Shkruan: Fehmi Ramadani

 

Në hapësirën Ballkanike në të kaluarën shumë politikanë e kishin ndërtuar karrierën e tyre politike mbi fatkeqësinë e popujve tjerë. Kjo politikë më së shumti ishte ndërtuar në kurriz të shqiptarëve të robëruar, të cilët ishin të ndarë në disa shtete të këtij gadishulli.

 

E kaluara e shqiptarëve është shumë e hidhur, por tani kur kemi një raport sidokudo më të volitshëm të këtij populli, sidomos pas pavarësisë së Kosovës, atëherë projektet për një politikë demokratike dhe paqësore me shtet fqinje nuk kanë alternative tjetër.

 

Shqipëria dhe Kosova, dy vende demokratike që kanë synim projektin e vlerave evropiane dhe BE-në nuk ka dyshim se duhet të ndërtojnë vizionin politik mbi të ardhmen e vendeve të tyre, por gjithnjë duke respektuar dhe mbështetur në vlerat më përparimtare dhe më humane të botës demokratike. Kjo politikë duhet të jetë projekt i përhershëm, si në raport me pakicat e tyre që jetojnë në këto vende, por edhe në raport me shtet fqinje.

 

Edhe pse Kosova është një shtet i ri dhe rrugëton në shtet-ndërtimin e saj, ajo po përballet me probleme të theksuar, si për faj të vetin, por edhe për shkak të politikës robëruese serbe, e cila edhe pse ka 4 vite që ka shpallur pavarësinë, ende po e pengon zhvillimin e saj.

 

Politika serbe, e cila ende nuk ka hequr dorë nga projektet nacionaliste është një pengesë shumë e theksuar në frenimin e proceseve demokratike në Kosovë.

Përkundër kësaj politike, politika shqiptare, si ajo në Tiranë, por edhe në Prishtinë ia kanë zgjatur dorën e pajtimit politikës serbe, edhe pse kjo e fundit do të duhej të ishte ajo që të kërkonte falje për krimet dhe gjenocidin që kishin bërë serbët ndaj popullit shqiptarë, por kjo le të mbetet problem i tyre.

 

Deklarimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit për takim të mundshëm me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq janë në kursin e pajtimit dhe të një politike vizionare, e cila në thelb ka tejkalimin e hendeqeve për të kaluarën e hidhur, krijimin e raporteve më të mira ndërmjet dy popujve tanë, por edhe paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit. Kjo politikë ka një plan të qartë dhe ka mbështetje të gjerë nga bota demokratike, ndërsa politika e izolimit dhe konfrontimit, që për fat të keq ende është në planin e Beogradit nuk do të ketë mbështetje dhe asnjë perspektivë.

 

Nuk mund të mohohen zërat racional në Beograd, sidomos të shkollës liberal-demokratike dhe konceptit antinacionalist serb të Dimitrije Tucoviqit, Svetozar Markoviqit, Bogdan Bogdanoviqit, Stojan Stojanvoiqit, Ivan Gjuriqin, Natasha Kandiqin, Sonja Biserko, Milan Nikoliqin, Çedomir Jovanoviqin, Nenad Çanakut etj, të cilët mund të konsideron si e ardhmja demokratike e Serbisë, e cila përfundimisht do ta nxjerrë këtë vend nga projektet e errëta nacionaliste dhe do ta drejtojnë kah pajtimi, fqinjësia e mirë në këto hapësira dhe vlerat perëndimore.

 

Politika e Beogradit me këta njerëz dhe me politikanë tjerë të cilët do të vijnë më vonë do të ketë një të ardhme më të mirë, si në raport me fqinjët, të zhvillimit demokratik, por edhe në raport të zhvillimeve progresiste në rajon dhe më gjerë.

 

Pas zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në Serbi gjatë kësaj vere do të ketë ndryshime të dukshme në rolin e elitave politike dhe me ndihmën e politikës ndërkombëtare do të futen në vallen e proceseve pozitive, të cilat do të ndodhin në rajon, sidomos në raportin e inkuadrimit të këtij vendi në BE dhe shfrytëzimit të privilegjeve që do të ketë ky vend nga organizmat ndërkombëtar.

 

Takimi eventual i Hashim Thaçit me Boris Tadiqin nuk është ndonjë dobësi e politikës sonë, por përkundrazi është një vizion i lartë politik se si duhet të zgjidhen kontestet ndërmjet dy vendeve në formë demokratike e paqësore dhe kurrë më me krime dhe dhunë. Kjo frymë e re politike duhet të inkurajohet dhe të mbështetet e jo të futen pyka të ndryshme nga disa politikan mediokër, të cilët nuk do të duhet të ishin në skenën politike të këtij vendi.

 

Një maksimë popullore thotë: “Më mirë është të bisedohet me vite, se sa të luftohet edhe vetëm për një vit, sepse pasojat janë shumë të mëdha”.

Andaj, është koha e fundit kur politikanët tanë, si në Shqipëri, Kosovë dhe gjetiu duhet të bëhen edhe më të përgjegjshëm për përgjegjësinë të cilët e kanë gjatë këtyre proceseve, sepse nga roli i tyre varen shumë procese në një shoqëri.

 

Krijimi i politikës së re dhe frymës tolerante do të duhet të ishte omega e politikës në rajon dhe dy popujt tanë vetëm me një mirëkuptim dhe tolerancë të duhur do të mund të tejkalonin vështirësitë nga e kaluara, por edhe ecjen përpara dhe zhvillimin e tyre. Kjo është politika e një vizioni progresist dhe perspektiv për dy popujt. Në këtë rrugë duhet hapëruar pa u ndalur në të ardhmen.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch